Vetëvendosje me debat ia njehin dështimet qeverisjes lokale

07.02.2015 (komentet: 0)

 Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan ka zgjedhur organizimin e një debati për të folur për dështimet e qeverisjes së Gjilanit në krye me Lutfi Hazirin, përgjatë një viti e ca prej se e kanë marrë pushtetin.

 

 

Ismajl Kurteshi, koordinator i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh deputet i Parlamentit të Kosovës ka thënë se 2014-ta ka qenë vit i ankesave, premtimeve, udhëtimeve dhe kërcënimeve të Lutës. Sipas tij, Gjilani, i udhëhequr nga LDK-ja në krye me Lutfi Hazirin gjatë vitit 2014, sipas GAP-it i realizoj vetëm 18% të premtimeve. Asnjë projekt i madh nuk ka përfunduar gjatë vitit 2014 në Gjilan. Në Gjilan nuk ka ardhur as një investim i huaj. Parregullsitë në punësim, tenderim dhe realizim të projekteve kanë qenë të shumta në vitin që e lamë pas. Viti 2014 do të mbahet ndërmend për ndërtimet pa leje dhe mungesë transparence.

 

“ I vetëdijshëm se premtimet e mëdha, gjatë fushatës zgjedhore ishin mashtrim, sa për t’i fituar zgjedhjet, Luta po sa erdhi në Komunë i alarmoj qytetarët se ka gjetur shumë borxhe. Kthimin e borxheve e vuri si prioritet për t’i shërbye si arsyetim për dështimet që do të pasonin. Luta edhe pse është pyetur shumë herë sa borxhe i ka gjetur? Kujt dhe pse i ka borxh komuna? Sa dhe kujt i janë kthyer borxhet? Luta asnjëherë nuk është përgjigjur”, ka thënë Kurteshi.

 

Sipas tij, gjendja e rëndë dhe borxhet nuk e penguan Lutën që të udhëtoj shumë shpesh jashtë vendit. Udhëtimet e shumta jashtë vendit Luta mundohej t’i arsyetonte me investimet që do të vijnë nga donatorët e huaj, por viti kaloj e investimet nuk erdhën.

 

“Vlen të përmendet se Luta asnjëherë nuk raportoj sa mjete të taksapaguesve gjilanas i la në hotelet luksoze nëpër Evropë, Amerikë e Azi”, tha Kurteshi.

 

Sipas tij, Luta, këto ditë ju kërcënua qytetarëve se nga janari do të ketë zero tolerancë për ata që nuk ja paguajnë borxhet Komunës, kurse vet Luta ka lejuar kompani të ndryshme të ndërtojnë në Gjilan pa plan e pa leje e pa paguar as një cent. Po flitet për shuma të mëdha borxhesh edhe nga udhëheqësit komunal.

 

“ Sa do që Luta nuk është aspak transparent faktet ekzistojnë për punësime pa konkurs për shpenzime enorme të zyrës së kryetarit, për keqpërdorimet e zyrtarëve komunal dhe për mos realizim të premtimeve gjatë vitit 2014. Apo realizimin e vetëm 18% të premtimeve’, tha Kurteshi.

 

Nevzad Isufi, shef i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në asamblenë e Gjilanit u përqendrua në fjalë ne tij nga pozita e anëtarit të Kuvendit komunal duke thënë shumë gjëra nuk kanë shkuar siç duhet, dhe besoj se këtë qytetarët e kanë ndjerë tashmë nga përditshmëria. “Nga ajo që është premtuar dhe nga ajo e realizuar na ndanë një det i tërë, këtu nuk e kam fjalën vetëm për premtimet gjatë fushatës zgjedhore por edhe në fillimet e qeverisjes së re kemi pasur ripërsëritje të këtyre premtimeve”, tha Isufi për të shtuar se që nga fillimi ka pasur shkelje e shmangie ligjore.

 

Sipas tij,puna e komiteteve është bërë “ad hok”, pothuajse shumica e komiteteve kanë punuar pa plane vjetore. Gjurmëve të këtij fillimi të punës ka shkuar edhe gjithë qeverisja njëvjeçare e LDK-së dhe partnerëve të saj. Shumë pak është punuar nga ajo që është premtuar. Kjo qeveri përpos ngecjeve në fillim të projekteve dhe realizim të tyre shumë gjëra i sjellë në kuvend me vonesa të mëdha.

 

“Nga qeveria komunale kemi fjalë vetëlavdrimi për transparencën, për vendin e dytë për tansparencë në nivel vendi nga Instituti Demokratik i Kosovës, por nuk e dimë çfarë instrumentesh ka KDI, por ne si pjesëmarrës të Kuvendit nuk mendojmë kështu, përkundrazi mendojmë se mungon shumë transparenca”, ka thënë Isufi.

 

Ai tha se gjatë kësaj periudhe njëvjeçare të qeverisje komunale të LDK-ës kemi pasur një prirje të theksuar për ndryshim të dokumenteve e vendimeve. Kështu është bërë edhe me dokumentin kryesor të komunës siç është Statuti i Kuvendit të Komunës, por pa pëlqimin e opozitës, me ç’rast janë bërë ndryshime në organizim të drejtorive, pa ndonjë shpjegim qartësues dhe bindës pos thirrjes në një organizim që i përshtatet kryetarit dhe partisë në pushtet.

 

Fehmi Sylejmani, këshilltar komunal i Vetëvendosjes foli për premtimet e kryetarit Haziri dhe të qeverisjes së tij. Ai tha se Haziri kishte premtuar shumë për qytetarët e Gjilanit, por edhe pas një viti e më tepër të udhëheqjes së tij nuk po mundemi të numërojmë të paktën një nga ato premtime të realizuara.

 

Arijeta Rexhepi, udhëheqëse e Sekretariatit të gruas akiviste ka folur për rolin e gruas në shoqërinë gjilanase duke thënë se nga kryetari I komunës e nga përfaqësues të partisë në pushtet, kemi dëgjuar shumë fjalë premtuese, se gratë do të jenë të përfaqësuar në të gjitha nivelet, se do ta avancojmë gruan në komunën tonë. Po, kemi përfaqësim të gruas, vetëm sa për të respektuar ligjin për barazi gjinore, por nuk kemi gra në ekzekutiv!

 

“Në kabinetin qeverisës të kryetarit Lutfi Hazirit nuk kemi asnjë femër, a thua nuk kanë hapësirë për të vepruar , pra nuk i është ofruar asnjë femre pozitë vendimmarrëse!

 

Në një komunë ku gjysmën e popullatës e përbëjnë femrat, është një nënvlerësim dhe injorim total, nga ana e kryetari Haziri, meqë asnjë femër nuk kemi në ndonjë drejtori përkatëse. Prandaj është mirë që kjo shtresë e e respektuar e popullatës që të vetëdijesohet dhe në të ardhmen të ketë shumë kujdes se kujt do t’ia jep votën. Nuk jemi vetëm për të votuar dhe kryer punët e shtëpisë, por jemi edhe për të punuar e menaxhuar, e pse jo edhe për të na besuar”, ka thënë Arieta Rexhepi.

 

Besa Baftiu, nga sektori i shëndetësisë dhe njëherësh deputete e parlamentit të Kosovës ka thënë se kanë kaluar më shumë se një vit e përmirësimin në sektorin e shëndetesisë nuk kemi.

 

Sipas saj, ka mungesë të barnave duke filluar nga ato të listës esenciale e deri te materiali shpenzues, Kemi mosplanifikim të resurseve humane, derisa në disa ambulanca të qytetit ka mbingarkese të stafit ka ambulanca që rrinë te mbyllura në mungesë të tij. Nëpër fshatrat e mëdha të komunës vazhdon të mos këtë mjek të rregullt gjatë javës, bile edhe atëherë kur shkojnë punojnë vetëm 3-4 orë. Kanë dështuar vizitat sistematike të nxënësve nëpër shkolla.

 

“Ka edhe shumë shkelje që po bëhen sa I përket punësimit të mjekëve të rinj të cilët nuk janë të paktë në numër, sepse kriter për punësim është vetëm libreza partiake”, thotë Besa Baftiu.

 

Feriz Tërstena , nga nënkomitetti i Urbanzimit ka thënë se Komuna e Gjilanit nuk I ka të hartuara akoma planet urbanistike në tërësi. “Shumë pjesë të qytetit fare nuk kane plane urbanistike , mirëpo edhe aty ku ekzistojnë këto plane nuk janë përfillur, por kanë ndodh ndërtime pa kurrfarë kriteri . Nga ana tjetër këto plane është dashur të revidohen pasi ka kaluar periudhë e gjatë kohore prej se janë miratuar”, tha ndër tjerash Tërstena.

 

E, Murat Mustafa, anëtarë i GP në Vetëvnedosje dhe anëtar i nënkomitetit për arsim foli për disa defekte, përkatësisht dobësitë që e kanë përcjellë sektorin e arsimit në vitin 2014, derisa Leonard Miftaraj nga sektori i ekonomisë në Vetëvendosje tha se mos zhvillimi ekonomik në Gjilan është si pasojë e paaftësisë së kësaj qeverie për ta përmirësuar jetën e qytetarit. Ndërsa, Sami Shabani, kryetar i nënkomitetit për kulturë ka thënë se gjendja në kulturë në komunën e Gjilanit, nuk mund të jetë ndonjë përjashtim nga gjendja përgjithshme nëpër të cilën po kalojmë si shoqëri, ajo është veç se më e rënduar si pasoj e keqqeverisjes së pushtetarëve tanë dhe trajtimit të saj si një “luks”, ndërsa Nehat Osmani, kryetar i Nënkomiteti për Sport në Vetëvendosje ka thënë se për faj të këtij pushteti pjesa më vitale e popullsisë sonë-rinia është përjashtuar nga përkujdesja institucionale, pjesa më sublime e shoqërisë sonë nga e cila ishin drejtuar sytë e shpresës dhe të ndryshimit ishte privuar nga e drejta themelore për t’u përfaqësuar, atyre po u mohohej e drejta për të shprehur kreativitetin e tyre sportiv, artistik, për të shfaqur imagjinatën rinore e studentore. Ai tha se edhe pas një viti qeverisjeje nuk kemi hasur asnjë investim në ndonjë projekt me rëndësi për sportin gjilanas, nuk kemi hasur në asnjë plan dinamik të zhvillimit të sportit në përgjithësi e në asnjë plan konkret të aktiviteteve që do pasojnë e përshkojnë sportin, kjo njësi e kabinetit të kryetarit nuk ka zhvilluar madje as një debat me interes për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e sportit në veçanti.

 

Yll Islami nga Sektori i Rinisë tha se degradimi i vendit nuk është diçka e re dhe e sapofilluar. Ngjarjet e fundit që kemi parë në nivelin qendror, tregojnë për një devijim politik. Ky devijim nuk e ka kursyer as Komunën e Gjilanit tash e sa vite, tash e sa qeverisje. Në Gjilan ka qeverisur LDK e PDK duke zëvendësuar njëra tjetrën, duke vazhduar me politikat e njëjta. Pra, kemi pasur njerëz të ri e politika të vjetra.

 

“Premtimet megalomane për sferën që përfshin rininë, janë vetëm pjesë e një programi premtim madh parazgjedhor që sigurisht se përveç se nuk mund të realizohet nuk ka as vullnet për gjë të tillë”, ka thënë Islami.

 

Përndryshe, këtij debati i koontribuan me diskutimet e tyre edhe Besnik Bsilimi, Shaban Terziu, Elhami Shabani, Muharrem Bajrami, Isa Shefkiu, Ragip Abazi, Ukshin Murtezi e pjesëmarrës të tjerë. 

Kthehu mbrapa

Shto koment