Valentina Bunjaku-Rexhepi: Në Kuvendin Komunal të Gjilanit ka hapësirë të gjerë për debat

31.07.2015 (komentet: 0)

 

Gjatë periudhës së parë të këtij viti, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur 5 seanca të rregullta, në të cilat ka shqyrtuar shumë çështje me interes për qytetarët si dhe ka miratuar 41 vendime, ku edhe opozita ka qenë pjesëmarrëse aktive në debat dhe në disa raste edhe në vendimmarrje.

 

Kështu ka thënë Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, në një konferencë me gazetarë, ku ajo ka folur për aktivitetin e organit vendimmarrës në periudhën e parë të këtij viti, që të enjten ka mbajtur seancën e korrikut, ku është diskutuar puna 6-mujore e qeverisjes komunale si dhe janë miratuar disa vendime.

“Ne vlerësojmë se në Kuvendin Komunal të Gjilanit është krijuar një klimë demokratike për debat dhe punë, që janë vlera të kësaj vendimmarrje dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi, duke nënvizuar se në disa raste janë futur në rend dite për shqyrtim edhe pika që janë propozuar nga opozita.

Kryesuesja e Kuvendit ka thënë se është e kënaqur edhe sa i përket bashkëpunimit me subjektet politike si dhe me shefat e grupeve të këshilltarëve në Kuvend Komunal. “Shpeshherë e kam toleruar opozitën të marrë kohë më shumë se sa lejon rregullorja e punës së Kuvendit”, ka thënë ajo.   

Ajo u shpreh e kënaqur edhe me transparencën, duke thënë se Zyra për Informim ka bërë një prezantim mjaft të mirë të angazhimeve edhe të opozitës në Kuvend Komunal.

Sa i përket koalicionit, Valentina Bunajku-Rexhepi, ka thënë se LDK-ja nuk ka problem me numra në Kuvend Komunal, sepse e vetme i ka 14 mandate, por ka treguar vullnetin e saj për ta ndarë qeverisjen me partnerët tjerë, për të respektuar edhe vullnetin e qytetarëve.

Përndryshe, ajo ka thënë se Kuvendi Komunal i Gjilanit ka themeluar edhe dy komitete të reja, Komitetin për Barazi Gjinore, që është i pari i këtij lloji në Kosovë, si dhe Komitetin për Bashkëpunim Ndërkufitar, ndërkohë që i ka inkurajuar femrat të jenë më aktive në vendimmarrje dhe politikëbërje dhe të mos kënaqen me përfaqësimin e garantuar.   

Kthehu mbrapa

Shto koment