U debatua për duhanin

07.07.2014 (komentet: 0)

Prikaz slikovne datoteke debat_yac.JPG

Sot në Restaurant Luli u mbajt debat në lidhje me pirjen e duhanit nga të rinjtë dhe respektimin e ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit nëpër vende publike.

 

 

Debati ka qenë pjesë e projektit "Pirja e Duhanit Vret", projekt i financuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Departamenti i Rinisë dhe implementohet nga OJQ "Qendra e Aktivizimit të Rinisë".

Në panel të debatit morri pjesë vetëm Drejtori i Inspeksionit të Komunës së Gjilanit, z. Selver Xhelili, derisa të papërgjegjshëm u treguan zyrtarë nga Policia e Kosovës, Gjykata dhe Prokuroria, të cilët nuk erdhën për të marrë pjesë në debat

Gjatë debatit u prezantua hulumtimi i bërë nga kjo organizatë me të rinjtë e shkollave të mesme dhe qytetarë në Regjionin e Gjilanit, përkatësisht Komunat Gjilan, Kamenicë dhe Viti.

Në hulumtim janë përfshirë mesatarisht 150 pjesëmarrës, prej tyre 62 të intervistuar kane qenë nga qyteti i Gjilanit, 52 nga Qyteti i Vitisë dhe 36 nga Qyteti i Kamenicës, prej të cilëve 92 ishin mashkuj dhe 58 femra, të cilët ishin ndarë në 3 grupmosha, përkatësisht 15-20 vjeçare, 21-26 vjeçare dhe 27-47 vjeçare.

Nga hulumtimi, u bë e ditur që ka rritje të pirjes së duhanit nga të rinjtë e shkollave të mesme në dallim me vitet e kaluara, që është një fakt mjaft shqetësues për shoqërinë tonë. Gjithashtu u bë e ditur që janë disa lokale që nuk e respektojnë ligjin për ndalimin e pirjes së duhanit nëpër vende publike dhe se institucionet përgjegjëse edhe pse mirren me to, nuk e kryejnë punën si duhet me përpikëri.

Në fund të hulumtimit, u rekomandua që institucionet angazhohen në respektimin e ligjit, të bëhet verifikimi i shkelësve të ligjit, të pengohen shitësit ambulant, të vetëdijësohen dhe senzibilizohen qytetarët për zbatim dhe implementim të ligjit, si dhe të bëhet një punë sa më efektive nga ana e institucioneve relevante për shqiptimin e masave ndaj shkelësve të ligjit.

Selver Xhelili, drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Gjilanit foli për punën që po e bën drejtoria e tij në zbatimin e ligjit nga ana e kafiterive dhe objekteve të mbyllura, për shqiptimin e dënimeve për shkelësit e ligjit dhe u zotua që drejtoria e tij do të angazhohet edhe më shumë në respektimin e ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit nëpër vende publike.

Kthehu mbrapa

Shto koment