Trajnimet e këshilltarëve komunalë janë të nevojshme për të rritur efikasitetin në vendimmarrje

31.10.2014 (komentet: 0)

 

Organizata zvicerane “Helvetas” ka organizuar një trajnim dyditor me këshilltarët e asamblesë komunale në Gjilan, me qëllim të fuqizimit të rolit të vendimmarrësve, ku janë trajtuar një varg çështjesh që kanë të bëjnë seancat e Kuvendit, rolin e grupeve parlamentare, komitetet, buxhetin, dëgjimet dhe takimet publike si dhe pika të tjera që avancojnë demokracinë e pushtetit.

 

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, e ka vlerësuar të dobishëm trajnimin dhe ka thënë se punëtori të tilla janë të shumë të nevojshme për këshilltarët komunalë, për të rritur efikasitetin e punës së Kuvendit.

Në pa mundësi buxhetore që Komuna të bëjë vetë trajnime për anëtarët e Kuvendit, Bunjaku-Rexhepi ka kërkuar edhe nga organizatat tjera që punojnë në këtë fushë, që të organizojnë trajnime të tilla dhe të ngjashme për asamblistët.

Përndryshe, trajnimin në Gjilan, që është organizuar me kërkesën e Valentina Bunjakut-Rexhepit, që njëherësh është edhe kryesuese e Asociacionit të Komunave të Kosovës, e kanë ndjekur shumica e anëtarëve të Kuvendit Komunal, nga të gjitha subjektet politike që përfaqësohen në vendimmarrje.   

Fatime Rrahmani, zyrtare e projektit “Demos”, ka thënë se këshilltarët komunalë kanë treguar interesim të madh gjatë kohës së prezantimit dhe shtjellimit të tezave të  trajnimit. Sipas saj, rezultate të mira janë dëshmuar veçmas te puna në grupe.

Rrahmani ka thënë se qëllimi i këtij projekti është fuqizimi i rolit të këshilltarëve nëpër asambletë komunale.

Ajo tha se organizatori kishte planifikuar që këto trajnime të mbahen në 17 komuna të Kosovës, por me kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës, është vendosur që të përfshihen 34 komuna.               

Kthehu mbrapa

Shto koment