Sylejmani kërkon nga një shujtë për të gjithë nxënësit e shkollës 9-vjeçare

01.11.2015 (komentet: 0)

Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal në Gjilan, e cila është mbajtur më 30 tetor, anëtari i këtij Kuvendi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Fehmi Sylejmani, në pikën e rendit të ditës për sferën e arsimit ka dhënë mbi 20 rekomandime për Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, derisa njëra nga to është që në një periudhë sa më të shkurtër kohor t’ju jepet nga një shujtë, të gjithë nxënësve të shkollës 9 - vjeçare të komunës së Gjilanit.

 

 

“Me që numri i nxënësve në tërë komunën, për këtë vit shkollor 2015/16 është 12900 nxënës prej klasës së parë deri në të nëntën (1 - 9), që nuk paraqet ndonjë shifër të madhe, përkatësisht të papërballueshme, i propozojmë Drejtorisë së Arsimit dhe organeve tjera relevante që këtyre nxënësve t’iu sigurohet nga një shujtë ditore, duke e marrë për bazë se mësim fillon nga ora 7 e 30 minuta e përfundon në ora 12 e 35 minuta”, ka thënë Sylejmani.

 

Ai ka vënë në pah një përllogaritje të thjeshtë matematikore. “Vetëm 50 centë me qenë vlera e një shujtë, komunës i nevojiten 6450 euro në muaj, ndërsa vlera me qene më e vogël, p. sh. Vetëm 30 centë, atëherë komunës i shkojnë vetëm 3870 euro në muaj. “Paramendoni me vetëm 3870 euro në muaj, të gjithë nxënësit e shkollës 9 - vjeçare të komunës së Gjilanit nuk do ta kishin brengën e ushqimit gjatë orarit të shkollës”, ka pohuar Sylejmani.

 

Ai ka nënvizuar se mjetet materiale shumë lehtë gjenden, por vetëm duhet me pas vullnet dhe dëshirë për të bërë gjëra të mira e të mëdha dhe me këtë ide, nuk do të gëzoheshin vetëm fëmijët e këtij niveli të shkollimit, por gjithsesi edhe prindërit e tyre.

Kthehu mbrapa

Shto koment