Sot marshi protestues në Gjilan

23.01.2015 (komentet: 0)

 
 
Sot është radha e Gjilanit që t'i tregojë Qeverisë së Kosovës, asaj të Serbisë dhe gjithë organeve ndërkombëtare që nuk tolerojmë të fyhen nënat tona, nuk tolerojmë që pasuritë Kosovare të rrezikohen nga shtetet tjera dhe nuk tolerojmë në asnjë mënyrë që dikush tjetër pos Qeverisë së Republikës së Kosovës t'i udhëheqë politikat e shtetit tonë.
 
 

Ky marsh kundër deklaratave fyese të ministrit për kthim dhe komunitete Aleksandër Jabllanoviqit si dhe kundër tendencave të Serbisë ndaj Trepçës organizohet nga Parlamenti Studentor të Universitetit "Kadri Zeka" në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, marsh të cilës i janë bashkuar Këshilli i Nxënësve të Gjilanit nga të gjitha shkollat e mesme të këtij qyteti, dy grupet e tifozëve Intelektualët dhe Skifterat, shumë OJQ joqeveritare të këtij qyteti si dhe disa parti politike e forume rinore të tyre.
 
Sot Gjilani, studentët, nxënësit dhe të gjithë qytetarët e Gjilanit do ta ngrisin zërit e tyre kundër ministrit të Republikës së Kosovës i cili pos që i fyen nënat tona, edhe e mohon shtetin e Republikës së Kosovës duke ia përmendur emrin ëndërr të Serbisë "Kosovë dhe Metohi". Sot ne do t'i tregojmë që nuk guxon të luhet me nderin tanë duke na fyer nënat tona dhe kërkesa jonë e patjetërsueshme është shkarkimi dhe vetëm shkarkimi i Jabllanoviqit nga pozita e Ministrit të Republikës së Kosovës.
 
Pos tjerash, sot Gjilani do ta ngrit zërin edhe kundër tendencave të Qeverisë Serbe ndaj pasurive të Republikës së Kosovës e që një nga më të rëndësisshmet është Trepça, minierë kjo që qysh në shekullin e kalur ishte eksportuesi i dytë më i madh në botë i plumbit dhe është drita në fund t të tunelit për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Trepça është e Kosovës dhe askush nuk guxon as që të pretendojë që është e vetja, se le më të tentoj ta marrë atë nën kontroll.
 
Andaj Parlamenti Studentor i Universitetit "Kadri Zeka" i fton të gjithë qytetarët e Gjilanit që sot nga ora 13:00 t'i bashkohen marshit paqësorë i cili fillon nga Universiteti "Kadri Zeka" e vazhdon deri në drejtim të Teatrit të Qytetit".
 
Me respekt,
Këshilli organizativ.

Kthehu mbrapa

Shto koment