Sot emërohen pesë drejtorë, javën tjetër raundi i dytë i emërimeve dhe kërkohet angazhim më i madh në punë

07.08.2015 (komentet: 0)

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një konferencë për media sot ka prezantuar ndryshimet e reja që kanë ndodhur në menaxhimin politik të drejtorive të ndryshme, duke bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme do të ketë edhe plotësime të tjera në nivel të drejtorive si shkallë e parë, por edhe në nivelin tjetër më të ulët të menaxhimit, në mënyrë që performanca dhe shërbimet të jenë të shpejta dhe efikase për qytetarët e Gjilanit.

 

Haziri në fillim ka thënë se vlerësimi, performanca, angazhimi dhe puna është monitoruar me kujdes të veçantë deri sa është ardhur në këto ndryshime, për të cilat jemi pajtuar së bashku me të gjithë partnerët qeverisës dhe kështu do të vazhdojmë edhe më tutje, deri në fund të mandatit, me qëllimin e vetëm që qeverisja në Gjilan të lëviz një hap para nga ajo që kemi gjetur në fillim.

Sa i përket performancës, kryetari Haziri ka thënë se në angazhimet e para, në vlerësimet që janë bërë për plotësim të kabinetit qeverisës lokal, kanë të bëjë kryesisht me emërimin e këshilltarëve për drejtorit përkatëse sipas marrëveshjes së konfirmuar me partnerët e koalicionit, duke bërë të ditur se shumica e drejtorëve që kanë qenë deri më tani do të shkojnë në detyra tjera ekzekutive dhe shërbyese.

“Në koordinim dhe me konfirmim të partnerëve tanë qeverisës, sot paraqes angazhimet e para në vlerësimet që janë bërë për plotësim të kabinetit qeverisës lokal. Duke pas parasysh që LDK udhëheq me shumicë, Kuvendin e Komunës, kemi ndërtuar partneritet me numrin më të madh të partive politike, duke e konfirmuar deri në fund të mandatit një bashkëqeverisje. Kështu përfundimisht jemi pajtuar në emërimin zëvendës kryesuesit nga radhët e komuniteteve dhe për këtë nuk është në përgjegjësinë tonë, por duhet dy partitë politike të minoriteteve respektivisht Partia Demokratike Turke dhe Iniciativa për Gjilanin Evropian e komunitetit serb, të merren vesh, apo të vendosin për propozimin e tyre që duhet t’ia bëjnë kryesueses së Kuvendit. Ndërsa, zëvendës kryetari i Komunës për komunitete, vjen si iniciativë apo propozim i yni, por duhet të votohet nga shumica shqiptare në Kuvend dhe duhet të konfirmohet nga shumica e thjeshtë e përfaqësuesve të minoriteteve”, ka thënë kryetari Haziri.

Në fazën e emërimeve nëpër drejtoritë komunale, kryetari Haziri ka thënë se pos atyre që do të bëhen sot, vazhdohet edhe javën e ardhshme me emërimet tjera që i përket kryesisht natyrës së emërimeve politike duke paralajmëruar dekoncentrim të plotë të kulturës, rinisë dhe sportit nga varësia politike dhe këto njësi do të bëhen me kode buxhetore dhe duke i ndarë edhe fizikisht me objekte dhe me detyra.

Kryetari Haziri ka bërë të ditur edhe emrat e drejtorëve që janë emëruar sot në detyra menaxhuese, si në drejtorinë e Financave, Shërbimeve Publike, infrastrukturës dhe Banimit, në drejtorinë e Shëndetësisë, të Zhvillimit Ekonomik dhe Mbrojtje e Shpëtim.

“Në drejtorinë e Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit sipas marrëveshjes, kjo drejtoi i takon LDK – së, dhe emërohet, Naser Korça, i cili për disa vite udhëheq sektorin e Teknologjisë Informative dhe Logjistikën në Ministrinë e Pushtetit Lokal, ai ka përvojë politike, profesionale dhe menaxheriale me sektorin publik duke i kërkuar të lidh bashkëpunimin me ndërmarrjet publike me theks të veçantë ujësjellësin dhe problemet e kanalizimit. Është një bashkëpunëtor i imi i gjatë dhe ndjehem mirë që ka vendosur ti kthehet Gjilanit përfundimisht me angazhim konkret”.

“Në drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, emërohet magjistri i shkencave sociale Nexhat Hajrullahu, ka shkallë të lartë profesionale të trajtimit të çështjeve sociale dhe për herë të parë i jap përparësi çështjeve sociale në këtë drejtori, e jo shëndetësisë primare, sepse sipas vlerësimit tonë QKMF – ja, si bartëse e politikave të mjekësisë familjare – primare, ka arritur shkallën e udhëheqjes dhe zbatimin e politikave sipas ligjit në shëndetësinë familjare. Po kompletohet me staf profesional dhe po jepet buxhet shtesë në menaxhimin e këtyre politikave. Prandaj për këtë drejtori i QKMF – së me një mbështetje më të madhe dhe me ndarje të detyrave, i japin mundësinë drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, që të merret më shumë me rastet sociale dhe këtë fushë në koordinim me Qendrën për Punë Sociale, me detyrën e parë banimin social dhe shtëpitë sociale. Kurse drejtori i QKMF – së do të komunikoj drejtpërdrejtë me ministrinë e Shëndetësisë për çështje të barërave apo punë të tjera qw janw nw kwtw qendwr, barten si detyra dhe janë përgjegjësi e QKMF – së”.

“Në drejtorinë e Financave, emërohet Zijadin Maliqi, është profesor i ekonomisë, aktualisht këshilltar komunal, më parë ishte edhe drejtor në këtë drejtori, i njeh problemet buxhetore, sfidat dhe në kuptimin e planifikimit buxhetor, në kuptimin e planifikimeve afatmesme buxhetore është njeriu i qëlluar dhe njeriu që mund ta ndihmon administratën komunale në planifikim të drejtë dhe në shpenzim të drejtë. Nuk duhet të lejojmë në asnjë moment që të thyhet disiplina buxhetore, por në të njëjtën kohë duke mos krijuar borxhe”.

“Në drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, emërojmë një kuadër të ri, që vjen nga partneri ynë i koalicionit, është Enzar Kadriu, është i diplomuar për gjuhën angleze në nivelin e lartë, por edhe i gjuhëve të tjera dhe besojmë se këtë drejtori do të arrin ta plotësoj për nevojën që ka me ndihmën e një stafi që është shumë profesional, duke unifikuar angazhimet konkrete ngase ky është një sektor kërthizë që ndërlidhet me sigurinë publike, me bashkëpunimet që ka me Policinë e Shtetit, Forcat e Sigurisë, dhe me mekanizma të tjerë të sigurisë që ka Republika jonë dhe besoj se do t’i përballoj sfidat që e presin”.

“Tek Zhvillimi Lokal Ekonomik, emërohet Agim Zuzaku, është njohës i mirë i politikave të Partneritetit Publiko Privat dhe besojmë se me ide të reja dhe me përkushtim do të arrij të qojmë bashkërisht përpara zhvillimin ekonomik lokal. Zhvillimi ekonomik, nuk është Partneriteti Publiko Privat dhe vetëm prona komunale, por është krijimi i kushteve bazë për Zhvillim Lokal Ekonomik, duke thithur fonde, duke sjellë donator në Gjilan, duke krijuar mundësi për vende të reja të punës”.

Kryetari i Komunës Lutfi Haziri ka falënderuar të gjithë ata që ishin kë krye të këtyre drejtorive, duke bërë të ditur se kjo nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, pos asaj që këto janë procese politike nëpër të cilat ne po kalojmë. Shumica prej këtyre drejtorëve presin emërime të reja në detyre gjatë ditëve në vijim, ndërsa Halit Rexhepi, na ka bërë nderë sepse në fund të karrierës ka dhënë kontribut në emergjenca dhe do të vazhdoj të jetë i angazhuar edhe më tutje në udhëheqjen e Komisionit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Kryetari Haziri është shprehur i kënaqur me punën e të gjithë drejtorëve të cilët deri më tani kanë qenë në krye të drejtorive përkatëse.

Gjithashtu, ai ka informuar se tashmë kanë pranuar Qarkoren Afatmesme Buxhetore, që kërkon një angazhim të madh të gjithë menaxhmentit të Komunës, duke i shkurtuar edhe pushimet, apo edhe harrimin e pushimeve tërësisht, sepse Qarkorja Buxhetore është jo vetëm për vitin e ardhshëm, por është Kornizë Afatmesme Buxhetore dhe ndërton parametra real, për herë të parë për qeverisjen komunale, duke planifikuar drejtë angazhimet tona konkrete.

Detyrë tjetër kryetari Haziri ka thënë se mbetet monitorimi i projekteve dhe programeve që ne kemi në infrastrukturë, në veçanti në infrastrukturën publike, sepse në një numër të madh të projekteve jemi në implementim dhe falë kohës së mirë që kemi, do të vazhdojmë në ndërtim dhe investime, duke rritur vëllimin e punëve, në hapjen edhe të korridorit të parë, të rrugës moderne – hyrjes nga Bujanoci, prej udhëkryqit të rrugës së Malishevës në drejtim të Fabrikës së Baterive në llotin e parë, ndërsa nga aty deri tek rruga në fshatin Përlepnicë është në kompetencë dhe përgjegjësi të ministrisë

Poashtu, Haziri ka njoftuar se muaji i bashkatdhetarëve do të vazhdon edhe më tutje me shënim simbolik të ditëve kulturore të shteteve tona mike, siç janë Franca, Italia, Turqia dhe vendet e tjera, në mënyrë që deri në ditën kur gurbetqarët tanë jetojnë, punojnë dhe festojnë me ne këtu në Gjilan, t’u ofrojmë ambient sa më të mirë dhe më të qetë për ti kaluar pushimet këtu.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment