Sa më afër zgjedhjeve LDK më e frikësuar

17.09.2013 (komentet: 0)

Pas Vetëvendosjes, edhe LDK ngrihet kundër partneritetit publiko-privat, investime këto që edhe në vendet e zhvilluara inkurajohen dhe mirëpriten, ndërsa tek ne, për çudi, opozita kundërshtohen dhe madje edhe kërcënohen investitorët potencialë, thuhet në një reagim të komunës lëshuar nga Zyra për Informim.


 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shefik Surdulli



Shefik Surdulli, shef i kësaj Zyreje ka thënë se edhe mund ta kuptojnë deri diku reagimin e opozitës për gjera të tjera, meqë po ofrohen zgjedhjet lokale, por nuk e kuptojnë assesi LDK-në që ngrihet kundër një procesi që e ka votuar vetë në asamblenë komunale. Ata duhet ta kuptojnë se investimet janë zhvillim dhe zhvillimi është interes i qytetarëve të kësaj komune, të cilët janë të të gjithë neve, prandaj kemi obligim të jemi në shërbim të tyre, si pushtet dhe si opozitë. 

Surdulli ka thënë se opozita duhet ta kuptojë se partneriteti publiko-privat nuk është privatizim i pronës komunale dhe si proces as nuk është shpikur në Gjilan. Gjithçka që është bërë deri më tani, është bërë duke respektuar procedurat.    

Ai tha se projekti i partneritetit publiko-privat për ndërtimin e kompleksit të shkollave të mesme, ka dy vite që ka filluar, në Kuvendin Komunal, ku është miratuar vitin e kaluar edhe projekti për kompleksin e shkollave të mesme nga të gjitha subjektet politike.

Surdulli tha se janë respektuar të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me këtë projekt. Ministria e Financave, gjegjësisht Njësia qendrore për partneritet publiko-privat në Prishtinë e ka aprovuar projekt-propozimin tonë, duke e vlerësuar si projektin e parë nga të gjitha komunat e Kosovës. 

“Ky projekt është tepër i rëndësishëm dhe i dobishëm për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e  Universitetit Publik, sepse krijon kushte për punë më cilësore. Është fat i mirë që ka edhe investitorë të interesuar për të realizuar këtë projekt, meqë mundësitë buxhetore të Komunës, janë të limituara për të ndërmarrë projekte të mëdha”, ka thënë Surdulli.. 

Ai tha se janë të bindur se edhe LDK do të krenohet nesër me një ambient shumë më të avancuar shkollor, ku nxënësit mund të hyjnë e dalin vetëm sipas orarit mësimor dhe ku do të kenë kushte shumë më të mira edhe për aktivitete sportive.

“Prandaj, LDK nuk duhet të vazhdojë të manipulojë opinionin, sepse nuk është duke u shitur asgjë dhe as nuk është duke u privatizuar hapësira shkollore, por është duke u përgatitur realizimi i një projekti të rëndësishëm për shkollat e mesme. Fundja, edhe LDK e ka në programin e saj partneritetin publiko-privat. Por, mbase po frikësohet prej suksese tona. Këtu nuk kemi si t`i ndihmojmë”, ka thënë Surdulli, për të shtuar edhe se “Zoti  ia  bëftë lehtë asaj , se këtu nuk kemi  se si ti ndijojmë.  Ne jemi shumë të përgjegjshëm dhe të sinqertë në çdo punë tonën që e bëjmë për qytetarët tanë në çdo kohë, pati spati zgjedhje”.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment