Rriten aktivitetet e prokurimit, por rriten edhe vendimet e OSHP ndaj autoriteteve kontraktuese

24.11.2015 (komentet: 0)

Lëvizja FOL me përkrahjen e Civil Rights Defenders, ka mbajtur sot tryezë për Prokurimin Publik në Gjilan. Në këtë tryezë panelist ishin Drejtori i Prokurimit, Salih Kqiku, Udhëheqësja e Komitetit për Politikë dhe Financa, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e pjesë ishin edhe anëtarë të Komitetit për Politikë e Financa, anëtar të KK-së, të shoqërisë civile gazetarë e të tjerë. Në këtë debat është diskutuar rreth procesit të prokurimit, ankesave të operatorëve ekonomik, si dhe gjendjes aktuale të prokurimit publik.

 

 

Muhamet Halili prezantoi të gjeturat statistikore në lidhje me aktivitetet e prokurimit në Komunën e Gjilanit, të publikuara nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) si dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), dhe theksoi se ndonëse është rritur numri (pothuajse dyfishuar) i njoftimeve për kontratë nga KRPP, gjithashtu është rritur edhe numri i vendimeve të OSHP-së kundër autoritetit kontraktues, konkretisht janë marrë 4 vendime që kanë të bëjnë me Komunën e Gjilanit.Nga këto vendime, vetëm në një raste është refuzuar ankesa e Operatorit Ekonomik ankues kundër Autoritetit Kontraktues, Komunës së Gjilanit. Mandej, ka pasur edhe vetëm një vendim tjetër ku ankesa e Operatorit Ekonomik ankues është aprovuar si pjesërisht e bazuar. Ndërsa në dy raste të tjera, OSHP-ja ka aprovuar ankesat e Operatorit Ekonomik ankues si të bazuara, duke obliguar ose urdhëruar kështu Autoritetin Kontraktues, Komunën e Gjilanit që procedurën e prokurimit ta kthej në Ri-Tenderim ose në Ri-Vlerësim.

 

Salih Kqiku, Drejtor i Prokurimit Publik në Komunën e Gjilanit, fillimisht prezantoi Raportin e Punës për periudhën Janar-Shtator 2015. Zyra e Prokurimit për këtë periudhë i ka realizuar 116 aktivitete, duke përfshirë këtu edhe ankandet publike. Nga këto aktivitete, kjo zyrë ka pasur 13 ritenderime, si dhe 4 ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Sipas z.Kqiku, brenda Komunës së Gjilanit ekziston një zyrë, e cila bënë menaxhimin e kontratave si dhe inspektimin e projekteve.

 

“Nga aktivitetet e Prokurimit Publik që kemi për këtë vit, gjithçka është publikuar me kohë me qëllim të rritjes së transparencës publike. Edhe këtë vit ne jemi monitoruar nga KDI në tenderët për furnizim me naftë, mirëmbajtje të rrugëve dhe investime me kubëza betoni, ku në bazë të raporteve Prokurimi Publik radhitet ndër më të mirët në nivel vendi. Pra gjithcka është në kuadër të ligjit. Këtë e dëshmon kthimi prapa i vetëm dy tenderëve, të cilët në ritenderim kanë lëvizur përpara dhe tashmë janë në realizim e sipër të projekteve të ndryshme”, ka thënë ai ndër të tjerash.

 

Valentina Bunjaku-Rexhepi që është edhe kryesuese e Kuvendit Komunal tha se për pushtetin janë shumë sfida që është dashur të tejkalohen deri më tani por, po nëhet punë e përkushtuar që të jemi sa më transparent dhe mbështetës në ligjet e Republikës së Kosovës.

 

“Në Komunën e Gjilanit, gjendja është përditë e më stabile, sepse gjithçka është duke u bërë në kuadër të përshkrimit ligjor dhe kontrollit në të njëjtën kohë. Edhe sa i përket Komitetit për Politikë dhe Financa në Gjilan, nga dhjetë takime që kemi mbajtur këtë vit, kemi rekomanduar për Kuvendin e Komunës, 64 propozim-vendime. Inkurajoj qytetarët e Gjilanit që me arsyeshmëri të iniciojnë pika të rendit të ditës, në rrugë zyrtare, në mënyrë që ajo të trajtohet dhe debatohet nëpër trupat profesionale të Kuvendit”, ka thënë ndër të tjerash Bunjaku – Rexhepi”, duke udhëzuar përfaqësuesit e opozitës se akuzat dhe dyshimet e opozitës, ti denoncojnë, ngase sipas saj ata shpërblehen për raportim të korrupsionit apo favorizimeve që mund të bëhen në ndonjë formë, ku pikëpreket paraja publike.

 

Valentina Bunjaku-Rexhepi tha edhe se Kuvendi Komunal është i hapur që të krijoj një komision të pavarur, i cili e bënë mbikqyrjen e kontratave të dhëna, e i cili komision raporton mandej në Kuvend.

 

Riad Rashiti anëtarë i Komitetit për Politika dhe Financa nga radhët e PDK-së, tha se ne si opozitë i shohim të metat dhe nuk hezitojmë ti flasim. Sipas tij, ka probleme të cilat edhe janë trashëgu nga pushtetet e kaluara. Po ashtu, ai tha se edhe pse ekziston një plan i punës, sipas tij ai nuk është zbatuar, po ashtu nuk i është bërë një analizë e duhun atij plani se sa mund të realizohet dhe a do të ketë buxhet për të. Një problem tjetër sipas tij është edhe stërzgjatja e fazës së vlerësimit të ofertave, të cilat zgjasin mbi 30 ditë. Sipas tij, Komuna e Gjilanit respektivisht Zyra e Prokurimit nuk është dhe aq transparente, dhe nuk kthejnë përgjigje në kërkesat e bëra nga qytetarët. Një problem tjetër i theksuar në këtë zyre është edhe dhënia e tenderëve me procedurë të mbyllur, sidomos me ata tenderë që nuk e kalojnë shumën mbi 10000 euro.

 

Shaban Terziu, përfaqësues nga ana e shoqërisë civile tha se kish me qenë mirë që zyrja e prokurimit të bëhet më transparente, duke bërë publike vlerat e kontratës, kompanitë të cilat janë fituese, detajet se kur fillon projekti e kur mbaron. Të gjitha këto të jenë të prezantuara në formë tabelare, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë qasje në to. Debatit i kontribuan edhe të tjerët me diskutimet e tyre.

Kthehu mbrapa

Shto koment