Rotaraktët gjilanas në bashkëpunim me DKA ndihmojnë parashkollorët me lodra

17.04.2015 (komentet: 0)

Me iniciativë të Klubit Rotarak “Anamorava” dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan, është bërë shpërndarja e lodrave për klasat parashkollore, si në fshatin Pogragjë, Përlepnicë, Shurdhan, Cërnicë dhe parashihet të bëhet edhe në Verbicë të Zhegocit, donacion i mbledhur nga ky klub përmes kontributit të nxënësve nga shkollat e Gjilanit.

 

 

Përmes projektit “Dhuro Lodra”, është arritur që ky qëllim sot të bëhet realitet për shkollat në fjalë, që në fakt është kontribut i vetë nxënësve për nxënësit.

 

Me këtë rast, drejtori i Arsimit, Nazmi Musa, ka thënë se kjo iniciativë e Klubit Rotarak “Anamorava”, është e një rëndësie të veçantë sepse po bëhet nga rotarianët e rinjë, që njihen si rotaraktë, përmes kontributit të nxënësve të disa shkollave të ndryshme të Gjilanit.

 

“Rotarianët gjilanas janë partnerë të shumë fushave në Komunë, e në veçanti të arsimit. Por, këtë po e vazhdojnë me shumë përkushtim tani edhe të rinjtë e Klubi Rotarak “Anamorava”, që sot kanë arritur t’i pajisin me lodra në masë të konsiderueshme klasat parashkollore të pesë fshatrave. Ne jemi mirënjohës për këtë iniciativë dhe do të jemi mbështetës edhe gjatë të ardhmes në iniciativa të kësaj natyre, sepse ato po bëhen me qëllim të mirë dhe me të vetmen arsye krijimin e kushteve më të mira për fëmijët parashkollor”, tha ndër të tjerash drejtori Musa.

 

Ndërsa, Ilmi Hajdini, kryetar i Klubit Rotarak “Anamorava”, ka thënë se kjo është arritur me lehtësi, dhe me një përkushtim të detajuar mirë dhe me kreativitet, falë angazhimit të rotaraktëve, përkrahjes nga rotarianët e RC GJilani si dhe DKA-ja, por mbi të gjitha nga nxënësit e shkollave të Gjilanit të cilët kanë qenë dhurues të këtyre lodrave të cilët janë grumbulluar nga rotaraktët.

 

“Falë bashkëpunimit me Drejtorinë komunale të Arsimit, ne kemi arritur që të grumbullojmë sasi të konsiderueshme lodrash nëpër shkollat e Gjilanit, përmes projektit “Dhuro Lodra”, që është mundësuar nga vetë nxënësit e shkollave, të cilët në këto pako kanë dhuruar lodrat e tyre të përdorura që kanë dëshiruar t’i ndajnë me fëmijët parashkollor të shkollave në viset rurale. Projekte të mira mund të realizohen edhe pa mjete financiare, por vetëm me një vullnet dhe organizim të mirë dhe ide e projekt të dizajnuar mirë. Kështu në këtë formë, por edhe në mënyra të tjera do të vazhdojmë aktivitetet tona drejt realizimit të projekteve të tjera me rëndësi për fëmijët në përgjithësi dhe nxënësit në veçanti”, ka thënë Hajdini.

 

Ndërsa drejtori i shkollës “Bajram Curri”, në fshatin Shurdhan, ka thënë se ky donacion sado që në fillim dukej simbolik, pas hapjes së këtyre pakove, u pa të jetë me rëndësi shumë të madhe dhe mbushi klasën parashkollore me shumë lodra që bënë të mundur realizimin e programit më lehtë dhe ndikon në përmirësimin e kushteve për fëmijët parashkollor, duke e shndërruar këtë ambient në një atraksion për fëmijët.

 

Edhe edukatorja Valentina Jashari, ka vlerësuar këtë donacion nga rotaraktët, me shumë rëndësi dhe më tërheqës për fëmijët e këtyre klasave. Edhe ajo ka falënderuar angazhimin e rotaraktëve dhe të rotarianëve veçmas për ët ndihmuar shkollat, sidomos ato në fshatra, pasi ka nevojë. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment