Reshat Behluli, punëtori i dy shkollave

11.12.2013 (komentet: 0)

Reshat Behluli

I madh e i vogël gjilanas e njohin Reshat Behlulin, sekretar i Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan. Pse jo? E njohin për faktin se ai është modest, i urtë, fjalë pak e punë shumë. Punon dhe nuk ankohet. Tërë ditën është në lëvizje. Herë në gjimnazin e Vjetër, e herë në gjimnazin e Ri. Ia kanë besuar punët. Ai e ka zemrën humane. Të madhe, për faktin se kryen shpejt dhe saktë. Ky është “takti” i tij i punës. Lirisht mund ta quajmë: “heroi i ditëve tona”! Nuk ka shkollë në Kosovë që ka një njeri të tillë punëtor. Oborri i shkollës është për lakmi. Ai i tubon punëtorët ndihmës dhe asnjë “shibël” nuk e lë mbi tokë.


Shkolla dhe oborri i saj duken si spital. Kush e ka vizituar gjimnazin e Gjilanit, është kthyer i mahnitur. Ky është “rregull” i tij. Edhe kryetari në largim, Q. Mustafa, një ditë, pati shtuar: “Reshati është lokomotivë e Gjimnazit...”. Është, pse jo? I sjellë ata punëtorë aq mirë, sa asnjë nuk ia kthejnë fjalën. E dëgjojnë. Dhe, puna e tyre bëhet punë. E, Reshati punon e fjalë bënë pak. 

Atë e sheh herë në zyre, por edhe në oborrin e shkollës. Thua se krejt punët e shkollës i takojnë atij. E, ai nuk mërzitet. I gëzohet punës. Gjer sa punoi vetëm në Gjimnazin e vjetër, Reshati nuk e pati aq vështirë. Krejt këtë “punë”, ai e bënë me vullnetin. E lakmojnë dhe punëtorët e gjimnazit. I thonë “Të lumtë, o sekretar!” Pse jo? Sa herë vjen pala të kërkojë ndonjë dokument, Reshat Behlulit i duhet vetëm 3 minuta punë. E kryen punën dhe pala e falënderon dhe shkon e kënaqur. Kështu është jeta e tij e lidhur me shkollën. 

Ai thotë, unë në shkollë e kam gjetur vetën time. “Nuk ndjej lodhje. Vij në shkollë nga ora 7 e mëngjesit dhe qëndroj gjer ora 17-të. Kurrë nuk kam bërë “hile” e as që mendoj të bëj ndonjëherë”, thotë Reshati. U gjendem për pak kohë në Gjimnazi e Ri të këtij qytetit. Një vatër e madhe e dijes. Aty e takuam Reshat Behlulin, por jo në zyre, por në hollin e shkollës. Pse? Sepse i udhëzonte punëtorët të kryejnë punë. Të gjithë, si një, e dëgjonin. Edhe e respektonin. 

Edhe Fatmire Ramadani, punëtore e re, ka fjalë të mira për Reshatin, sekretarin e gjimnazit. “O, po. E kam lehtë të flas për Reshatin, sekretarin e shkollës sonë. Ai është shumë punëtor. Tash po bindem se vërtet qenka kështu. Unë mahnitem se si ai vjen edhe me ne dhe i kryen disa punë. Nuk e ndjen vetën “keq”. Na sjellë si të ishim të familjes së tij”. 

E, Reshati punon e s’ndalet. Na qoi gjer të nxemja qendrore e shkollës. Ai, pa një pa dy, tha: “Shihni, unë këtë sistem e kontrolloj, ndonëse është punëtori tjetër. Nuk dua asnjë minutë të jetë kohë e ftoftë për shkollarë. Më duhet vetëm pak kohë dhe së bashku me këtë teknik, që e ka “zanat” të vetin, ta aktivizojmë nxemjen. Shihni, na thotë Reshati, ky oborr i shkollës u bë i mirë, por unë edhe këtë kënd të shkollës e rregullova me punëtorët e mi. Unë e konsideroj shkollën si shtëpinë time. Ka edhe prej punëtorëve që ma kanë zili përse unë punoj. Nuk i fajësoj ata, secili e ka jetën e vetë. Unë dua ku punoj, që shkolla ime të jetë shembull për shkollat tjera”, na tha Reshat Behluli, i cili punon e s’ndalet në dy gjimnaze, edhe në atë vjetrin, por edhe në këtë të riun, i cili akoma nuk është pagëzuar... 

Në fund Reshat Behluli, tha: “O gazetar, ejani sa më shpesh e t’na vizitoni, sepse në këto dy vatra të arsimit unë do të punoj pa kursyer asgjë nga veti. Edhe pak ditë, në gjimnazin e vjetër do të fillojë një projekt, i cili do ta bëjë shkollën si një nuse e re e këtij qyteti…”/Tefik Selimi/

Kthehu mbrapa

Shto koment