Regjistrimi i nxënësve sipas formulës së zarfit, ka qenë i pa ligjshëm

31.07.2017 (komentet: 0)

Komiteti i Arsimit (KA) ka diskutuar të hënën, për vijimin dhe disiplinën e nxënësve në arsimin e Gjilanit, për regjistrimin në klasën e parë dhe të dhjetë të vitit shkollor 2017/2018, për përgatitjet që janë bërë sa i përket zbatimit të kurrikulës së re në të gjitha shkollat e kësaj komune si dhe për çështje të tjera nga fusha e arsimit.

 

Fillimisht, Arben Mehmeti, kryesues i Komitetit të Arsimit, ka thënë se të tria këto pika janë iniciuar për diskutim nga Fehmi Sylejmani (VV), i cili ka thënë se DKA-ja duhet të kërkojë përgjegjësi nga drejtorët e shkollave të mesme për numrin e madh të mungesave, meqë nuk po zbatohet rregullorja, e cila parasheh masa ndëshkimore.

Sa i përket regjistrimit të nxënësve, ai ka thënë se e mirëpret heqjen e formulës së zarfit, por ka kërkuar sqarime për mënyrën si është zbatuar kjo formulë deri sivjet dhe si është hequr tani.

Ndërkaq, sa i përket kurrikulës së re, që fillon të zbatohet prej sivjet, Sylejmani ka kërkuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) që të jetë mbështetëse e shkollave me të gjitha mundësitë, në mënyrë që fillimi të jetë i suksesshëm.

Me pyetje e diskutime në këto dhe tema të tjera, siç janë konkursi për pranimin e kuadrit mësimor dhe ankesat, kriteret për transfere, mungesën e psikologëve në shkolla, sigurimin e teksteve mësimore për nxënës të fillores dhe të tjera, kanë kontribuar edhe Leonora Morina-Bunjaku (PDK), Idriz Ramadani (LDK) e Ajtene Shahiqi (AAK).

Shqipe Kastrati, drejtoreshë e Arsimit, ndër të tjera ka thënë se transferet janë të lejueshme dhe secili prej mësimdhënësve ka të drejtë të kërkojë ndërrimin e shkollës, ndërsa kriteret duhet të vendosen nga autoritet arsimore, meqë tani për tani nuk ekzistojnë. Sa i përket ndërrimit të shkollave nga dy pedagogë, ajo ka sqaruar se kjo është bërë në bazë të një marrëveshje ndërmjet tyre.     

Edhe psikologët janë kërkesë e vazhdueshme e shkollave, por plotësimi i saj varet nga hapësira buxhetore, e cila nuk lejon rritjen e numrit të punëtorëve në arsim, ka thënë Kastrati.

Sa i përket regjistrimit në klasë të parë, sipas formulës së zarfit, Kastrati ka thënë se DKA-ja e kishte përvetësuar pa të drejtë këtë përgjegjësi në mandatin e kaluar qeverisës dhe tani kjo kompetencë është kthyer te shkollat.

“Regjistrimi sipas formulës së zarfit nuk ka qenë ligjor”, ka thënë ajo, duke i nënvizuar përpjekjet të cilat janë duke u bërë nga DKA-ja që të gjitha proceset në arsim të jenë rregullta dhe të ligjshme.

Përndryshe, KA ka nxjerrë edhe rekomandime konkrete nga ky takim. Arben Mehmeti, kryesues i kësaj trupe komunale, ka thënë autoritetet arsimore në Gjilan kundërshtojnë fuqishëm ndryshimin e paralajmëruar nga MASHT-i sa i përket sigurimit të teksteve mësimore dhe kërkojnë të vazhdohet forma e deritashme, ku librat janë siguruar për të gjithë nxënësit.

Gjithashtu, KA shprehu shqetësimet e veta për numrin e madh të mungesave të nxënësve dhe kërkoi nga DKA-ja që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për përmirësimin e vijueshmërisë.

Kurse në lidhje me regjistrimin sipas formulës së zarfit, Mehmeti ka thënë se Komiteti i Arsimit nuk është njoftuar për ndryshimin e tashëm, por e ka përshëndetur qëndrimin e autoriteteve arsimore për ta kthyer këtë përgjegjësi tek shkollat.

Kthehu mbrapa

Shto koment