RC “Gjilani” në mbështetje të Lutfi Hazirit sigurojnë nga donatorët mbi 30 mijë euro për bursa për nxënësit dhe studentët

12.12.2015 (komentet: 0)

 

Edhe në këtë fundvit, klubi rotarian “Gjilani”, në bashkëpunim me kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, ka organizuar darkën tradicionale të fundvitit, e cila pati karakter bamirësie sepse mjetet e grumbulluara nga ky aktivitet do të përdorën për mbështetje për nxënës dhe student të Gjilanit.

 

Nga kjo mbrëmje janë mbledhur mbi 30 mijë euro nga donatorët dhe për këtë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se ndjehet krenar.

“E falënderoj klubin rotarian Gjilani si dhe Prishtina International për këtë iniciativë të mrekullueshme dhe shpreh zotimin se Komuna e Gjilanit do të mbështesë gjithmonë iniciativat e tilla e që në këtë rast i dalin ndihmë nxënësve e studentëve gjilanas. Shuma e cila është mbledhur ka tejkaluar parashikimet tona dhe kjo më bërë krenar. Komuna ka bashkëpunuar me rotarianët e Gjilanit dhe të Prishtinës në disa projekte në të mirë të nxënësve të Gjilanit dhe për këtë shpreh falënderim të madh. Këtë bashkëpunim do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, ka thënë kryetari Haziri.

Kryetari i klubit rotarian Gjilani, Sami Spahiu, tha se synim i tyre është që gjithmonë t’u dalin në ndihmë njerëzve që kanë nevojë, e posaqërisht për shkollarët, nxënës dhe student.

“Klubi rotarian Gjilani, tani e sa vite, organizon darkën tradicionale të fundvitit. Pikësëpari me qëllim te shoqërimit dhe krijimit të miqësive të reja, gjithmonë në frymën tonë rotariane duke përfituar nga kjo frymë dhe ky rast miqësie ne do të mendojmë edhe për të tjerët: në këtë rast për të rinjtë, për shkollarët, nxënës dhe studentë. Për ata që kanë nevojë për ne, dhe në veçanti të mendojmë për të ardhmen tonë në përgjithësi”, ka thënë Spahiu.

Programi tutje ka vazhduar me ankandin e shitjes së pikturave nga ku janë grumbulluar mjetet për fond, por edhe janë deklaruar donacione për fondin në fjalë që bashkë edhe me tiketat hyrëse, kapin vlerën e mbi 30 mijë eurove.

Në këtë mbrëmje u tha se këto mjete, pasi të kalojnë nëpër procedura, do  t’u ndahen nxënësve dhe studentëve, ndërkaq ditët në vijim pritet të dilet me raportin final të Fondit nga aktiviteti “Darka e Fundvitit”.

Ndryshe, në këtë mbrëmje pjesë e rotarianëve të rinjë është bërë zyrtarisht edhe kryetari Haziri dhe pronari i “Vali Ranch”, Fehmi Fetahu.


Zyra për Informim

Kthehu mbrapa

Shto koment