Ramiz Ramadani: Mbi 2 milion e 250 mijë euro janë investuar në bujqësinë gjilanase

20.03.2015 (komentet: 0)

Displaying Bujqesia.JPG

 Aktivitete të ngjeshura dhe me një numër shumë të madh të fermerëve përfitues në sektorin e bujqësisë ka bërë që Komuna e Gjilanit të vendos ndër prioritetet e veçanta këtë sektor jashtëzakonisht të rëndësishëm për Gjilanin, ka thënë sot në një konferencë për media, drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ramiz Ramadani.

 

Gjatë një viti qeverisjeje vetëm në bujqësi janë investuar mbi 2 milion e 250 mijë euro, prej tyre 1,621.500 euro nga grantet e ministrisë së Bujqësisë, mbi 360 mijë euro nga subvencionet e kësaj ministrie, 203 mijë euro nga subvencionet e Komunës së Gjilanit dhe 67.660 euro në investime kapitale.

Me këtë rast drejtori Ramadani ka bërë të ditur se falë mbështetjes së fuqishme të kryetarit Haziri është arritur numër shumë i madh i të interesuarve në Gjilan që të merren me bujqësi, kjo falë aplikacioneve të shumta që janë bërë në sektorin e blegtorisë, në kultura të lavërtarisë dhe perimtarisë, por edhe kultura të tjera bujqësore.

“Me të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes më këtë sektor shumë të madh të qeverisjes siç është bujqësia, menjëherë kemi marrë hapin e trajnimit të fermerëve në mënyrë që puna në terren nga këta fermer të jetë cilësore dhe fitimprurëse, ku vetëm në muajt e parë janë trajnuar mbi 400 fermerë. Që sektori i blegtorisë është me një rëndësi shumë të madhe këtë e fuqizon edhe gatishmëria e shumë fermerëve për të aplikuar në projekte të ndryshme, ku numri i përgjithshëm i aplikimit për lopë qumështore mbi 5 krerë, dele, dhi, bletë, derra, cilësi të qumështit, arrin në rreth 400 aplikacione”, ka thënë Ramadani.

Ai ka bërë të ditur se si Drejtori janë angazhuar në përgatitjen e përbashkët të aplikacioneve për të marrë subvencione nga ministria e Bujqësisë, dhe falë efikasitetit të drejtorisë prej 787 aplikacioneve, 99 % e tyre kanë përfituar nga ato subvencione, me përjashtim të ndonjërit prej tyre që nuk e kalon shifrën 1 %.

Drejtori Ramadani ka bërë të ditur që, të gjithë fermerët të cilët kanë aplikuar për subvencione në bujqësi të cilat janë ndarë nga Komuna e Gjilanit, janë pothuajse të gjithë përfitues në ndonjërën nga kulturat bujqësore.

“Të gjithë fermerët e Komunës së Gjilanit pothuajse janë përfitues në bujqësi, në ndonjërën nga fushat e të cilat janë mbështetur. Nga projekti për shpërndarje të folisë plastike kanë përfituar mbi 300 fermer. Me farë gruri kanë përfituar 752 fermerë, apo 200 mijë kg të shpërndarë. Me farë misri kanë përfituar 350 fermerë dhe mbështetje tjetër në sektorë të tjerë”, ka bërë të ditur ai.

Ramadani edhe sa i përket mekanizimit bujqësor ka bërë të ditur se edhe në këtë sektor bujqit gjilanas kanë përfituar në disa kategori të mekanizimit bujqësor, por një kontribut të madh kanë dhënë edhe donatorët të cilët kanë bërë të mundur një efikasitet dhe rritje të prodhimit për këta fermer.

“Në bashkëpunim me Caritasin e Luksemburgut janë shpërndarë moto – kultivator, dhe mekanizim tjetër përcjellës ku përfitues janë qenë 40 fermer. Në bashkëpunim me qeverinë e Tirolit austriak, është investuar në sistemin e ujitjes ku janë përfshirë 6 hektarë, me një vlerë prej mbi 38 mijë euro. Gjithashtu është bërë shpërndarja e 30 spërkatëseve për grurë, subvencionimin e bletarëve me shtëpiza për bletë, ku përfitues kanë qenë mbi 100 bletar apo 250 shtëpiza të shpërndara. Poashtu projekti tjetër i realizuar ishte ai i serave komerciale, ku ishin 15 përfitues në një vlerë rreth 23 mijë euro”, ka thënë drejtori i Bujqësisë Ramadani.

Kjo drejtori ka kryer edhe punë të tjera si në aspektin e pylltarisë, ku është duke u bërë një monitorim i rreptë i prerësve ilegal të drunjve, në të njëjtën kohë janë shqiptuar edhe shumë gjoba, konfiskime, por është bërë edhe pastrimi, rrallimi dhe pyllëzimi i fushave të reja.

Sfidë e drejtorisë së bujqësisë ishte edhe paraqitja e sëmundjes së “gjuhës së kaltër” tek kafshët, ku është menaxhuar me kujdes të veçantë dhe për fat kjo sëmundje është paraqitur vetëm te gjashtë fermerë me një dëm prej afro 8 mijë euro, gjithashtu sfidë tjetër sipas drejtorit ishte edhe reshjet e shiut të cilat kanë shkaktuar dëme në kultura bujqësore në mbi 32 mijë euro.

Ndërsa, për këtë vit drejtori Ramadani ka paralajmëruar investime shumë më të mëdha se sa deri më tani, duke potencuar se ky do të jetë një vit me një dinamikë edhe më të shtuar.

Kthehu mbrapa

Shto koment