Ramadani: Pas investimeve milionëshe në bujqësi, në Gjilan është krijuar percepsioni i levërdisë nga ky sektor - 29 gusht 2016

29.08.2016 (komentet: 0)

“Projektet e realizuara, synimet e mëdha për të ardhmen e bujqësisë dhe tejkalim i objektivave të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, ishin vetëm disa nga të arriturat e këtij dikasteri që është shndërruar në një derë të fuqishme për fermerët”, tha, ndër të tjerash, në konferencën për media të së hënës drejtori i kësaj Drejtorie, Ramiz Ramadani. 
 
 
 
 
 
 

Në elaborimin e tij, drejtori Ramadani ka numruar projektet të cilat janë përfunduar gjatë kësaj përiudhe siç janë projektet nga buxheti komunal, ai i granteve dhe subvencioneve qeveritare, por edhe nga projektet e realizuara në bashkëpunim dhe bashkëfinancim me donatorët e shumtë të Gjilanit. 
 
“Në periudhën e parë të vitit 2016 janë realizuar disa projekte shumë të rëndësishme për bujqësinë e Gjilanit, dhe fermerët në përgjithësi, që njëkohësisht ndikon edhe në krijimin e përceptimit të vërtetë të gjilanasve, që ia vlen të merren me bujqësi, nga e cila sigurohen vende të qëndrueshme pune. Realizimi i projektit të serrave, ku përfitues janë njëzet fermerë, pastaj projekti i kultivimit të mjedrës ku përfitues janë rreth 40 fermerë, subvencionimi i mbjelljeve pranverore me mbi 400 fermerë, mekanizim bujqësor për 40 fermer, centrifuga për nxjerrje të mjaltit për 35 bletarë, motokultivatorë dhe serra, përfitues 12 fermerë. Njëkohësisht edhe shumë projekte të vogla të cilat kanë ndihmuar fermerin e Gjilanit në kryerjen e punëve më të shpejta e kualitative në pronat e tyre”, ka thënë drejtori Ramadani. 
 
Shpresuese është edhe pjesa tjetër e vitit, sepse siç ka potencuar Ramiz Ramadani, është në fazën përfuntimtare projekti për makina mjelëse, mekanizim shtesë për bujqësi, sikurse edhe përgatitjet për mbjelljet vjeshtore. 
 
“Janë përfunduar të gjitha procedurat për makina mjelëse për lopë qumështore që përfitues do të jenë 20 fermerë, pastaj pesë fermerë do të pajisen me makina mjelëse për dhi dhe 62 fermerë do të marrin nga tre bidona të inoksit për qumshtë me kapacitet 20 litërsh. Ndërkaq, nga sot ka nisur projekti i rrugëve të arave, ku do të përfshihen fshatrat Llovcë, pastaj do të punohet në Pogragjë, Uglarë, Malishevë, Verbicë e Kmetocit, Kmetoc dhe Dobërqan. Sa i përket mekanizimit bujqësor, do të përzgjedhim nga lista e aplikuesve 70 përfitues më meritor. Po ashtu, është hapur ftesa për aplikim dhe këtë vit kemi planifikuar që për mbjelljet vjeshtore të ndajmë 140 mijë kg farë gruri”, ka thënë drejtori Ramadani. 
 
Ramadani theksoi se edhe sektori i perimeve, sektori i pemëve dhe nënsektori i gjedheve janë me rezultate gjithnjë e më të larta sipas statistikave të tyre. 
 
Ndërsa, në planifikimet e Drejtorisë, pos tjerash, është planifikuar rritje e hapësirave të mbjella me mjedër dhe vishnje, konkretisht sipas drejtorit Ramadani, do të ngriten edhe 5 hektarë me mjedër dhe 75 hektarë me vishnje, që do të realizohet në bashkëpunim me USAID-n si donator në të gjitha fushat në Gjilan. 
 
Drejtori Ramadani, në fund të konferences, ka thënë se i gjithë ky investim që është bërë në bujqësi, e i cili, sipas tij, është çdo herë në rritje si në aspektin e subvencioneve për bujqësi, buxhetit shtesë për këtë sektor, granteve dhe donatorëve të shumtë, është meritë kryesore e vendosmërisë së fuqishme të politikës qeverisëse të kryetarit Lutfi Haziri. 
 
2.JPG
 

Kthehu mbrapa

Shto koment