Ramadani: Këtë javë foli plastike, nga java e ardhshme edhe farë misri

18.03.2014 (komentet: 0)

Gjilan, 18 mars / Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë sot ka bërë shpërndarjen e folisë plastike për 307 fermerë të Komunës së Gjilani të cilët janë raste me gjendje të rëndë ekonomike.

 

Me këtë rast drejtori i kësaj drejtorie, Ramiz Ramadani, ka thënë se Drejtoria e Bujqësisë në këtë projekt të sotëm ka ndarë 15 mijë euro.

“Drejtoria e Bujqësisë fillimisht ka ndarë 10 mijë euro, me qëllim që t’u dilet në ndihmë fermerëve me gjendje të rëndë ekonomike. Pas ftesës për aplikim, kanë aplikuar 550 fermer dhe të gjithë këta janë vizituar në terren nga komisioni i Drejtorisë, ku më pas ky komision ka përzgjedhur 200 fermerë me gjendjen më të rëndë dhe ka konstatuar nevojën për t’u trajtuar edhe së paku 100 fermerë të tjerë. Pas vlerësimit të këtij rekomandimi të Komisionit, kemi kërkuar nga kryetari Haziri që t’i ndaj edhe 5 mijë euro, me qëllim që të përfshihen të gjithë fermerët e përzgjedhur nga Komisioni. Përfundimisht, pas mbështetjes nga kryetari Haziri, vlera e këtij projekti është 15 mijë euro dhe do të përfitojnë 307 fermerë që posedojnë serra familjare. Brenda kësaj jave do ta shpërndajmë foli plastike e nga java e ardhshme do të fillojmë me shpërndarjen e farës së misrit”, ka thënë drejtori Ramadani, duke shtuar se Bujqësia është projekt që është prioritet për Gjilanin dhe ne do të vazhdojmë me projekte të ndryshme që do të ndikojnë në lehtësimin e punës së fermerit.

Ndërsa Naim Xheladini, përfitues nga fshati Llashticë ka thënë se mbështetja e Komunës është për t’u përshëndetur dhe falënderuar përherë. Për një fermer është mbështetje e madhe nëse Komuna siguron foli plastike.

“Ne planifikojmë që me serrën prej mbi 30 metra katror të sigurojmë perime për familjen, por një pjesë edhe për treg. Kushtet janë të favorshme që të merremi me bujqësi, sepse leverdia është e prekshme për çdo ditë”, ka  thënë Xheladini

Ndryshe gjatë kësaj jave do të shpërndahen 6 mijë kg, ose 4554 metra foli plastike, sikurse që edhe javën e ardhshme do të bëhet shpërndarja e farës së misrit, ku përfitues përsëri do të jetë një pjesë e madhe e fermerëve. 

Kthehu mbrapa

Shto koment