Ramadani: Bujqësia gjilanase model në Kosovë sa i përket investimeve

20.01.2016 (komentet: 0)

 Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, Ramiz Ramadani, në një konferencë të rregullt për media, ka bërë elaborimin e punëve që janë bërë në këtë dikaster të madh gjatë vitit 2015, sikur që ka dhënë lajme pozitive për dyfishim të buxhetit dhe mbështetjes për vitin 2016, për fermerët e Komunës së Gjilanit. 
Drejtori Ramadani, ka thënë se falë angazhimit të gjithë stafit të drejtorisë në vitin 2015 nga subvencionet dhe grandet e ministrisë së linjës kanë përfituar 377 fermerë në blegtori me subvencione dhe 537 fermerë në kultura lavërtare nga skema e subvencioneve, në një vlerë totale prej mbi 700.000 euro. 

“Mbështetja e fermerëve të Gjilanit nga skema e subvencioneve është shumë e mirë për vitin 2015, ose për 100% më e lartë se në vitin 2014, kjo falë edhe angazhimit të stafit të Drejtorisë në përgatitjen dhe udhëzimin e fermerëve në kompletimin e dokumentacioneve. Është fat i madh që në vitin 2015 kanë përfituar rreth një mijë fermerë me një vlerë totale mbi 706 mijë euro nga skema e subvencioneve, duke përfshirë mbështetjen në lopë qumështore, dele, dhi, bletë, pula dhe për cilësi në prodhimet e qumështit. Poashtu, edhe në kulturat lavërtare përfituesit janë nga kultivuesit e grurit, misrit, perimeve, pemëve dhe ngritjes së fidanishteve”, ka thënë ai, duke potencuar trend pozitiv të zhvillimit të bujqëve nga kjo kategori. 

“Edhe në skemën e granteve gjendja është e mirë, sepse kemi përfitues 12 fermerë, të cilët në total kanë përfituar vlerë prej rreth 1.1 million euro, kryesisht në blegtori, shpeztari, dhe lavërtari”, tha Ramadani, duke shtuar se pret që Gjilani në vitin 2016 të jetë përfitues edhe më i madh, sepse përgatitjet dhe angazhimet janë edhe më të mëdha se në të kaluarën. 

Ndërsa, nga buxheti i Komunës së Gjilanit, drejtori i Bujqësisë ka thënë se janë realizuar projekte me rëndësi të madhe, si në serra, perimtari, pajisje të fermerëve me mekanizim bujqësor, projektit për ndarje të farës për mbjelljet pranverore dhe vjeshtore , investim në rrugët e arave, përcjelljen me kujdes të fushatës së korrje-shirjeve dhe projekte të tjera në shërbim të zhvillimit dhe mbështetjes së bujqësisë. 

“Kemi nisur bashkë me “Eured”, projektin për kultivimin e perimeve si në kultivim të sallatës, farave dhe fidaneve, kultivim të bimëve mjekësore dhe aromatike, sistemin e ujitjes, që kap vlerën në total prej mbi 90 mijë euro, duke përfshirë këtu edhe trajnimin e deri në certifikimi. Pastaj, në bashkëpunim dhe mbështetje e “Tika” Turke është bërë furnizimi i 155 bletarëve me pajisje për bletët, si dhe 40 lavërtar kanë përfituar shpërndarëse të plehut në një vlerë prej 25 mijë euro. Poashtu, po nga buxheti i Komunës është realizuar edhe projekti për atomizerë për spërkatjen e pemëve, në një vlerë mbi 16 mijë euro”, ka thënë Ramadani. 

Ai ka potencuar se në mbjelljet pranverore dhe vjeshtore kanë përfituar rreth 1500 fermerë dhe vlera e projektit sipas tij ka qenë 33 mijë euro, respektivisht 45 mijë euro, sikur që investimet në rrugët e arave janë dhjetra mijëra euro. 

“Në mbjelljet pranverore kemi 538 fermerë përfitues, në një vlerë prej 33 mijë euro. Kurse në mbjelljet vjeshtor kemi bërë, poashtu, shpërndarjen e farës së grurit dhe përfitues ishin 745 fermerë, ndërsa vlera e projektit është mbi 45 mijë euro. Në rregullimin e rrugëve të arave janë rregulluar mbi 20 km rrugë në një vlerë mbi 81 mijë euro. Gjithashtu, në bashkëpunim me donatorin, qumështoren “KABI”, janë ndarë llaktofrizë për ruajtje dhe përpunim të qumshtit në një vlerë prej 20 mijë euro, dhe përfitues ishin 10 fermerë.”, ka thënë Ramadani, duke prezantuar punët e shumta që i kishte në planifikimin e saj kjo Drejtori. 
Ramadani, ka thënë se viti 2015 ka qenë koha kur janë përfitues edhe 70 fermerë shtesë në mekanizim bujqësor, në një vlerë totale të këtij projekti prej mbi 38 mijë euro. 

“Ky ishte edhe aktiviteti i fundit që ka mbyllur vitin 2015, duke mos lënë anash darkën e lamës që ishte aktivitet në shënim të falënderimeve për rendimentet dhe bereqetin që ka sjellë toka e Gjilanit”, tha ai. 

Gjithashtu, edhe në sektorin e pyjeve është bërë punë e madhe, që dëshmon për nga angazhim të stafit të këtij sektori, në mbrojtjen e pasurisë publike nga dëmtimet apo prerjet ilegale. 

Në fjalën e tij, drejtori Ramiz Ramadani, ka thënë se në vitin 2015 kishim rritje të investimeve dhe buxhetit në bujqësi e për bujqësinë për 100 %, krahasuar me vitin 2014, kurse në vitin 2016, ka shenja pozitive për vazhdim të këtij trendi pozitiv në shërbim të zhvillimit dhe ngritjes së bujqësisë gjilanase, sepse nga toka e Gjilanit mund të sigurohet ushqimi për Gjilanin dhe më gjerë./2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment