Qemajl Mustafa ndihet i kërcënuar nga pronari i “Luxorit”
27.03.2014 (komentet: 0)
Gjilan – Stacioni policor në Gjilan ka ngritur kallëzim penal kundër Ilhan Aliut nga Bujanoci për shkak se kohë pas kohe e ka thirr në telefon Qemajl Mustafën dhe e ka kërcënuar përmes telefonit. Aliu dyshohet për veprën penale “kanosje”. Aliu mohon kërcënimin derisa thotë se dega e PDK-së i ka një borxh prej 22 mijë eurove, shpenzime këto të kryera gjatë fushatës zgjedhore .
Ilhan Aliu pronar i
restaurantit “Luxor” në Gjilan është marrë në pyetje nga policia e Gjilanit nën
dyshimin se më 10 mars 2014 e ka kërcënuar në telefon ish kryetarin e Gjilanit
Qemajl Mustafën, raporton rajonipress.
Në kallëzimin penal të policisë i cili edhe i është dërguar departamentit për
krime të përgjithshme thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Ilhan Aliu e ka
kryer veprën penale”kanosje”.
Sipas përshkrimit të kallëzimit penal të cilin e ka siguruar rajonipress, Ilhan
Aliu pas një borxhi të akumuluar nga PDK e Gjilanit gjatë fushatës
parazgjedhore në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2013, borxh ky i akumuluar
diku rreth 20 mijë euro, të cilin borxh kishin marrë për obligim ta kompensojnë
përmes PDK-së, Qemajl Mustafa dhe Izmi Zeka.
Mirëpo i dyshuari Ilhan Aliu menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve ka filluar
të kërkojë borxhin nga Izmi Zeka dhe Qemajl Mustafa. I dyshuari sipas
kallëzimit penal ka filluar të bëjë presion të vazhdueshëm ndaj Qemajl Mustafës
duke e thirr atë pandërprerë në telefon dhe duke i kërkuar të hollat, ku një
shumë prej 4.400 eurove e kishte pranuar nga Qemajl Mustafa si kompensim, por
përsëri kishte vazhduar presionin përmes telefonit.
Kallëzimi penal saktëson se duke kërkuar borxhin i dyshuari Ilhan Aliu me
gjestet e tij ka ndjellë frikë tek ankuesi (Qemajl Mustafa) i cili edh është
ndier i kërcënuar. Me datën 10 mars 2014, Ilhan Aliu e ka thirr në telefon
Qemajl Mustafën duke i thënë :”Nëse nuk ma paguan borxhin edhe ty kam me të hy
në shtëpi” kurse më 13 mars 2014 sërish me shprehjet “Ngo knena Qemajl Mustafa
ka me të takue ty në çarshi dhe zoti kahre ka me na ba” dhe mesazhi
tjetër”kthehu këtu se unë sot po du me ta kallëzua qejfin”.
Ndaj këtyre kërcënimeve sipas kallëzimit penal Qemajl Mustafa ka kërkuar nga i
dyshuari që ta paditë PDK në Gjykatë e jo atë.
Ndërkohë vet Ilhan Aliu në deklaratën e tij dhënë në polici e ka mohuar veprën
penale. Në deklaratën dhënë në polici më 17 mars 2014 Ihan Aliu ka thënë se
kurrfarë kërcënimi nuk ka bërë e as ushtruar. “Kurrfarë kërcënimi nuk kam
ushtruar ndaj tyre (Qemajl Mustafa, Izmi Zeka), as se do t`i vras apo do t`i
rrahi, përveç që ua kam kërkuar disa herë borxhet e mija për shkak të
obligimeve që i kam unë ndaj shtetit, punëtorëve, kredive dhe ushqimet që i kam
blerë. I kam shkruar edhe Izmi Zekës dhe i kam thënë se nëse nuk e merrni
seriozisht punën e borxhit do t`i padisë në gjykatë dhe do të bëjë publike edhe
në medie dhe do t`i shkruaj edhe Hashim Thaçit”.
Ndryshe Ilhan Aliu ka thënë se tani përmes avokatit të tij Halit Azemit do të
ushtrojë padi kundër Qemajl Mustafës e Izmi Zekës dhe të gjitha provat që i ka
si faturat e SMS do t`i prezantojë në Gjykatë dhe do t`i ndjek penalisht për
veprat penale”mashtrimi”, dhe “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, shkruan rajoni
press.