Pushtetarët komunal, në vazhdimësi po kërcënojnë dhe ushtrojnë dhunë fizike në Gjilan

07.11.2014 (komentet: 0)

 

 

Në Gjilan po instalohet dhuna, kudo nëpër institucione, fatkeqësisht edhe nëpër seancat e Kuvendit Komunal bëhen kërcënime serioze ndaj Këshilltarëve Komunal të PDK-së, që vijnë nga Kryesuesja e Kuvendit dhe nga “shefi” i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së. Këtë nuk e mban mend askush, që të ketë ndodhur ndonjëherë më parë në Gjilan.

Por fatkeqësia e Gjilanit është që ka një pushtet aktual, i cili në krye të Kuvendit Komunal ka vendosur një Kryesuese të një niveli që është fyes për Këshilltarët Komunal, që është fyes për qytetarët dhe që është fyes edhe për vetë LDK-në. Poashtu edhe vet “shefi” i grupit të Këshilltarëve Komunal të LDK-së është i të njejtit nivel, mjerim i kësaj partie në Gjilan.

Dhuna dhe kërcënimet nëpër institucionet komunale, kanë filluar menjëherë nga fillimi i mandatit të LDK-së, fillimisht nëpër shkollat e Gjilanit, duke u rrahur mësimdhënësit mes vete, duke kërcënuar drejtorët e shkollave që i përkasin PDK-së. Eskursioni i nxënësve është organizuar me kërcënime që kanë ardhur drejtpërdrejtë nga Kryesuesja e Kuvendit dhe nga shefi i zyrës së kryetarit të komunës, për të imponuar shkollave, kompanitë me të cilat duhet të udhëtojnë nxënësit në Shqipëri, me qëllim të përfitimeve materiale. Me dhunë janë hipur nxënësit në autobusët e kompanisë së preferuara të kryesueses dhe shefit të kryetarit, ku është dashur edhe ndërhyrja e policisë.

Kërcënimet nuk kanë ndalur asnjëherë nga dilerët e “Lutfi Hazirit” ndaj të gjithë atyre të cilët janë kritik ndaj qeverisjes komunale. Ato kërcënime vijnë përmes sms-ve edhe ndaj neve si Këshilltar Komunal të PDK-së, duke na tërhequr vërejtjen që mos të drejtojmë kritika ndaj personave të caktuar të pushtetit të dhunës në Gjilan. Por kjo vetëm sa na fuqizon edhe më tej, për të vazhduar punën dhe angazhimin tonë, për të mbrojtur jetën institucionale në komunë dhe interesin e qytetarëve të Gjilanit.

Rrahja e zyrtarit komunal, një inspektori që nuk është në partinë në pushtet, nga drejtori i Lutfi Haziri, është terror që po i bëhet të gjithë zyrtarëve brenda institucioneve komunale, e që nuk janë në LDK. Ky inspektor i rrahur nga drejtori i Inspeksionit në Gjilan, vetëm ka kryer punën e tij të përgjegjshme, që e ka për detyrë ta bëjë. Po vërtetohet se prishja e interesave të dilerëve të Lutfi Hazirit, mund të kushtojë me rrahje dhe me kërcënime edhe më serioze se kjo. Arrestim dhe burgosje e drejtorit të drejtorisë komunale, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në Gjilan, por sot nën qeverisjen e një kryetari komunal, që është aktualisht bosi i dilerëve të interesave të ndryshme në Gjilan, sikurse i ndërtimeve pa leje, që po ndodhin para syve të tij.

Ndërsa sipas Riad Rashitit, anëtar i KK Gjilan.  kërcënimet kanë ardhur drejtpërdrejtë edhe në seancën e 6 nëntorit 2014, kur kryesuesja e kuvendit komunal, pas shumë anashkalimeve, fyerjeve ndaj Këshilltarëve të PDK-së, kërcënon edhe me thirrjen e sigurimit për largim nga seanca të anëtarëve të PDK-së, vetëm pse nuk u pëlqente paraqitja e kritikave me fakte dhe të argumentuara, për keqpërdorimet, dallaveret dhe gjendjen e mjerushem në të cilën e kanë sjellur Gjilanin për më pak se një vit. Poashtu shefi i grupit të këshilltarëve komunal të LDK-së, kërcënon me rrahje me dru. Kjo tregon katastrofën e jetës institucionale që e ka sjellur kryetari i Gjilanit. Kjo vërtet tani po i ngjanë pushtetit Koreano Verior, ku të gjithë ndihen të rrezikuar nga mafia e organizuar, ndërsa në anën tjetër gjendjen e paraqesin duke lulëzuar në qeverisjen e tyre.

Këto kërcënime dhe këtë dhunë, nuk mund ta durojnë qytetarët e Gjilanit dhe assesi ky pushtet nuk do të mundet, që të bëjë të heshtin qytetarët e komunës, nxënësit, mësimdhënësit, zyrtarët komunal. E ne si anëtarë të Kuvendit Komunal e kemi obligim dhe detyrë që të përballemi më këtë gjendje, nuk do të lejojmë që këto kërcënime fizike, rrahje dhe dhuna të bëhet mjet qeverisës i këtij pushteti simotër e Koresë Veriore. Sepse qyteti i Gjilanit ka traditë të kulturës dhe tolerancës. Ne kërkojmë përgjegjësi edhe më të madhe nga ana e institucioneve tjera përgjegjëse, që e kanë për obligim mbajtjen e rendit dhe të mos lejojë krijimin e mafisë në Gjilan, e cila veç i ka vërë themelet e saj në qytet, thuhet në fund të komunikatës së PDK-së përkatësisht Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan.

 

 

 

 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment