Pronari i “Palma-s”: Lutfi Haziri ka krijuar ambient të favorshëm për bizneset në Gjilan

15.09.2015 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri i shoqëruar edhe nga drejtorët e drejtorive komunale, kanë vizituar Fabrikën për prodhimin e mobilieve “Palma” në Gjilan, një investim ky i bërë nga bashkatdhetari Ekrem Shahini, i cili prej vitesh ishte prezent në Kosovë me shitjen e mobilieve të ndryshme, por edhe në Zvicër.

 

Teknologjinë moderne të sjellë nga Gjermania dhe Italia, ka bërë që prodhimi të jetë me stil dhe dizajn, e që qarkullimi nga viti në vit ka rritje së paku nga 20%, bënë të ditur drejtuesi i fabrikës.

Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se arritjet dhe investimet e ndërmarrjes “Palma” në Gjilan janë impresionuese dhe e dëshmuar në suksesin afarist, që është e dëshmuar për profesionalizëm dhe teknologji moderne në prodhim dhe dizajn të mobilieve.

“Qendra e Mobiljeve “Palma”, është dëshmuar prej vitesh në Gjilan me afarizëm të suksesshëm. Jam i nderuar sot nga vizita që kam bërë në këtë ndërmarrje të prodhimit, me njoftimin nga pronari për teknologjinë e sjellë këtu, për punësimet që janë bërë, për planifikimin për zgjerim dhe aspekte të tjera zhvillimore. “Palma”, është një shembull i mirë për punësim dhe prodhim në Kosovë, që duhet të ndiqet edhe nga të tjerët që merren me ndërmarrësi”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka pohuar se është koha që qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit t’i zgjasin dorën dhe mbështetjen për t’i garantuar investitorët me politika stimulative, në mënyrë që numri i punëtorëve të rritet edhe më shumë ngase potencialet ekzistojnë.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera të shtetit duhet zgjasin dorën e mbështetjes për bizneset dhe ndërmarrjet sikur që është “Palma” dhe shumë të tjera. Politikat stimuluese të qeverisë janë ato që ndikojnë në rritjen e numrit të punëtorëve nëpër ndërmarrje, ngase mundësitë dhe kapacitetet ekzistojnë, ndërsa kështu mbështetet zhvillimi i qëndrueshëm por edhe zgjerimi dhe rritja e biznesit privat”, potencoi kryetari Haziri.

Përmes ndërmarrësve mund të ulet papunësia në vend dhe përmes tyre ne mund të bëhemi shembull i mirë i zhvillimit të jetës ekonomike, ka vazhduar kryetari Haziri.

“Çdo vend i punës i krijuar nga sektori privat në Gjilan, bënë që të jetë hero, prandaj besoj shumë se fondi për investime i qeverisë së Kosovës, do të jetë ai që do ta mbështetë edhe më shumë, në mënyrë që kapacitetet prodhuese në Kosovë dhe Gjilan do të jetë shembull për vendin dhe për dëshminë edhe për punën e madhe në Zvicër. Ne si Komunë do të angazhohemi për një ambient më të mirë për biznes, sepse çdo gjë që mund të bëhet për zhvillim dhe punësim, është edhe interes i Komunës së Gjilanit”, përfundoi kryetari Haziri.

Ekrem Shahini, pronar i Qendrës së Mobiljeve “Palma”, e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe për, siç tha, ambientin e mirë që e ka krijuar për bizneset në Gjilan.

Shahini ka potencuar se “po të kishim mbështetje më të madhe nga Qeveria e Kosovës, zgjerimi dhe zhvillimi i ndërmarrjes do të ndodhte shumë shpejt, e përmes asaj mbështetjeje, do të mundësohej edhe punësimi shumë më i madhe dhe rritje e dukshme edhe e kapaciteteve prodhuese që do të garantonte një stabilitet ekonomik përmes biznesit privat që është aktiv në Kosovë”.

Shahini, poashtu, ka njoftuar kryetarin Haziri me teknologjinë që ka në funksion, me profesionalizmin e 40 punëtorëve që janë aktiv ne punën e kësaj ndërmarrjeje, por edhe me cilësinë e punës që bëhet, deri edhe te plasimi në treg i produkteve finale.





 

Kthehu mbrapa

Shto koment