Po vazhdojnë investimet milionëshe në infrastrukturën nëntokësore të Gjilanit

15.09.2015 (komentet: 0)

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë inspektimin e punimeve që janë duke u bërë në qendër të qytetit për zëvendësimin e gypave të ujësjellësit, ku po kalohet nga gypat ekzistues të azbestit në gypa të cilësisë së lartë dhe me standarde ndërkombëtare, ku do të ketë edhe shërbim me ujë cilësor për qytetarët e Gjilanit, sikur që janë në pritje të fillimit të punimeve edhe për investimet në kanalizim dhe rregullim të shtretërve të lumenjve të Gjilanit.

 

Haziri, i cili shoqërohej edhe nga drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça dhe nga drejtori i KRU ”Hidromorava”, Muhamet Suliqi, ka thënë se investimet në infrastrukturën nëntokësore është garantim i infrastrukturës mbitokësore por edhe pjesë e programit qeverisës, në mënyrë që qytetarët e Gjilanit të kenë cilësi të ujit, por edhe një investim që eliminon humbjet e mëdha nga rrjeti i vjetruar.

”Po vazhdojmë me investimin më kapital, që është ndërrimi i gypave të ujësjellësit duke i zëvendësuar gypat e azbestit me gypa të cilët kanë standarde dhe direktiva të Bashkësisë Europiane. Implementues i këtij projekti është KRU ”Hidromorava”, e cila edhe bënë menaxhimin e ujërave dhe furnizimin e qytetarëve me ujë të pijes. Ky është njëri nga projektet kryesore që e ka Gjilanit në kuadër të programit të madh për familjet. Është duke u punuar për zëvendësimin e gypave në lagje të mëdha të qendrës së qytetit, si në rrugën e Prishtinës, lagjen e ”Balecit”, por në të njëjtën kohë jemi duke punuar edhe në planifikim për shtrirje të këtij projekti edhe në rrugët e lagjes ”Kodra e Dëshmorëve” dhe një pjese të “Rrugës së Prishtinës”, të cilat janë të pa mbuluara deri më tani”, ka thënë ai.

I pari i gjilanasve potencoi se po punohet jashtëzakonisht shumë në ofrimin e cilësisë për qytetarët e Gjilanit në mënyrë që konsumi i ujit të pijes të jetë i nivelit të lartë dhe pa humbje në rrjet.

Kryetari Haziri, gjithashtu, ka bërë të ditur edhe angazhimet dhe punët që janë duke u bërë për investime nga donatorët që nisin me rregullim të shtretërve të lumenjve dhe trajtim të gjerë të ujërave të zeza.

”Programet e mëdha që i kemi me Bashkësinë Europiane dhe me donatorë të mëdhenj janë ato që në të ardhmen do t’i prezantojmë. Në bazë të planifikimeve, llogaritet që nga 70 deri 90 % të përmbyllim projektet e mëdha të trajtimit të ujërave të zeza dhe rregullimit të shtratit të lumit “Mirusha”, lumit “Stanishorka”, por edhe përfshirjen e fshatrave të mëdha që janë afër qytetit, sepse ky është një interes i përgjithshëm. Vetëm zëvendësimit i rrjetit të gypave të azbestit me gypa dhe rrjet modern e me standarde të larta, kap një kosto financiare mbi 5 milionë euro. Kurse rregullimi i shtretërve të lumit “Stanishorka” dhe “Mirusha”, por edhe rrjetit të ujërave të zeza, ka një kosto financiare afër 7 milionë euro. Jemi në partneritet me qeverinë e Austrisë, tani kemi fazën  e planifikimit dhe vetëm presim të nis implementimi”, tha ai.

“Gjithashtu edhe në aspektin e mbeturinave, respektivisht riciklimit të mbeturinave jemi në bashkëpunim me qeverinë gjermane për këtë program, që për këtë vit i merr 400 mijë euro, ku partner implementues është “Eko – Higjiena”, kurse bartës i programit është GIZ – i Gjerman dhe Komuna e Gjilanit. Jashtëzakonisht shumë jemi duke punuar edhe ambient dhe rregullim të kushteve bazike sikur që është kanalizimi, ujësjellësi, trotuari, rrugët dhe parqet”, tha kryetari Haziri ndër të tjerash.

Nga ana e tij drejtori i KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, ka thënë se ripërtëritja e rrjetit që është duke u bërë në zonën e parë të qytetit, është me shumë rëndësi për kompaninë, por edhe për gjithë Gjilanin.

“Jemi duke punuar në rrugën “Madeline Albright”, “Sadulla Brestovci”, ”Vëllezërit Baftiu” e lagja ”Arbëria”. Kemi mbi 37 km rrjet në zonën urbane, por edhe mbi 10 km në zonën rurale, që me mbështetjen e Komunën e Gjilanit, do të bëjmë edhe investimin e atij rrjeti në zonën rurale që është me shumë rëndësi”, ka thënë Suliqi.

Ndërsa, drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, ka thënë se këto investime janë duke u bërë konform prezantimit të programit qeverisës dhe kjo është një nga katër pikat e mëdha të programit.

“Qytetarët e Gjilanit kanë nevojë për ujë cilësor dhe kjo arrihet vetëm përmes investimit që jemi duke i bërë në infrastrukturën nëntokësore, respektivisht, zëvendësimi i gypave të vjetër nga materiali i azbestit, pastaj investimi në sektorë të tjerë të infrastrukturës nëntokësore deri në modernizimin e tyre, në mënyrë që investimi dhe asfaltimi i rrugëve të jetë i garantuar”, ka thënë ndër të tjerash Korça.

Kthehu mbrapa

Shto koment