Pjesëmarrje rekorde e qytetarëve në Takimin Publik të kryetarit Haziri

04.07.2015 (komentet: 0)

 

Gjilan, – Me një pjesëmarrje rekorde të qytetarëve të Gjilanit, është mbajtur sot Takimi Publik i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në të cilin ka marrë pjesë edhe kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtorët komunalë.

 

 

Qytetarë të shumtë të pranishëm, përfshirë edhe bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit si Nexhmedin Isufi, Ajet Ramushi, Maksut Maksuti, Nexhat Hajrullahu, Mustafë Selimi, Nebi Latifi, Shaban Terziu etj., kanë shfaqur interesimin e tyre lidhur me gjashtë mujorin e punës së qeverisë Haziri, duke parashtruar pyetje, kërkesa, sugjerime e lëvdata, të cilëve u është përgjigjur me kënaqësi kryetari Haziri dhe bashkëpunëtorët e tij.

 

Me këtë rast, gjatë përgjigjeve ndaj qytetarëve, kryetari Lutfi Haziri ka deklaruar se një numër shumë i madh i projekteve janë realizuar në infrastrukturë, bujqësi, arsim, shëndetësi, kulturë, sport, në mbrojtje të mjedisit, zhvillim ekonomik etj.

 

Sa i përket programit të parë të katërshes së prioriteteve, atë të infrastrukturës, kreu i Gjilanit tha se kanë investuar me të gjitha kapacitetet gjithandej territorit të komunës në rrugë, rrjet të ujësjellësit, të kanalizimit, ndriçimit publik, trotuareve etj.

 

Ai tha se tashmë infrastruktura nëntokësore në rrugën Gjilan-Bujanoc është rregulluar dhe pritet shumë shpejt të fillojë me ndërtimin e kësaj rruge me katër korsi, duke shtuar se hyrje-daljet do të rregullohen edhe në rrugën Gjilan-Prishtinë dhe Gjilan-Ferizaj.

 

Ndërkaq, në programit e dytë të bujqësisë, i pari i Komunës së Gjilanit u shpreh se në gjashtë mujorin e parë të këtij vitit bujqit e Gjilanit kanë përfituar subvencione të mëdha dhe me dinamikë edhe më të madhe pritet të vazhdohet në këtë drejtim.

 

“I kemi dhënë prioritet bujqësisë sepse kemi vlerësuar se në këtë mënyrë forcohet familja dhe po del të jenë investime të domosdoshme”, tha ai.

 

Sa i përket sektorit të arsimit, Haziri ka pohuar se kjo shtyllë është në përmirësim e sipër me investimet që janë bërë në shkolla, në renovime, ndërtim të sallave të edukatës fizike, ndërsa ka shtuar se suksesi i nxënësve të semimaturës në testin e arritshmërisë e bënë të ndihet krenar.

 

“Kalueshmëria prej 70 për qind në testin e arritshmërisë për semimaturantët dhe shumë suksese të tjera të nxënësve gjilanas të cilët kanë fituar disa herë sivjet venin e parë në nivel vendi, tregon se fëmijët tanë janë gjeneratë e artë”, u shpreh kryetari Haziri.

 

Ai tha se Komuna e Gjilanit ka krijuar siguri për investitorët e huaj, nga të cilët ka shumë interesime për investime.

 

Lidhur me përfundimin e lumit “Mirusha”, “Baja” e “Stanishorka”, kryetari i Komunës së Gjilanit është shprehur se kanë konkurruar në qeverinë austriake me projekt 7 milionë euro dhe po presin përgjigje pozitive nga ana e tyre.

 

Për të krijuar mundësi më të mëdha për qytetarët, ai theksoi se Komuna po punon që në Gjilan të mbillet kultura e duhani, pasi tha se kjo pjesë e Anamoravës ka jetuar nga kjo punë.

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit ka deklaruar në takimin publik me qytetarët se synimi kryesor ka qenë rikthimi i kujdesit të Prishtinës për Gjilanin në investime dhe se kjo, sipas tij, po arrihet gradualisht.

 

“Është shumë e rëndësishme që Gjilanin e kemi nxjerrë nga depresioni politik dhe ia kemi kthyer kujdesin e Prishtinës dhe Tiranës”, tha kryetari i Gjilanit.

 

Poashtu, Haziri ka deklaruar se e gëzon fakti se qe 22 muaj nuk ka pasur asnjë vrasje në Gjilan, duke thënë se Anamorava është regjioni më i sigurt në Kosovë për të jetuar.

 

Krejt në fund, i pari i Gjilanit Lutfi Haziri u zotua se do të vazhdoj të qeveris me dietë të ashpër buxhetore në shpenzime, me duar të pastra e dyer të hapura, për të shtuar se do të ketë projekte të mëdha për t’ua bërë jetën më të mirë qytetarëve në të gjitha sektoret.



Kthehu mbrapa

Shto koment