Pezullohet nga puna drejtori i shkollës së bujqësisë

19.03.2015 (komentet: 0)

Derisa Komuna e Gjilanit po mundohet të gjejë forma për të stimuluar nxënësit për të shtuar interesimin e tyre për shkollën e mesme të bujqësisë, interesim ky që aktualishtë po mungon, asaj tani po i dalin probleme edhe me personel të kësaj shkolle. Komuna e Gjilanit, udhëheqësi i personelit, ka nxjerrë aktvendim me të cilën pezullohet nga puna, Nehat Salihu, drejtor në shkollën e mesme të lartë “Arbëria” në Gjilan. Pezullimi është bërë me pagesë, në pritje të një hetimi deri në tre muaj, për shkak të dyshimit se i njëjti ka bërë shekelje të rëndë të kodit të mirësjelljes sipas neneve përkatëse të rregullores përkatëse.

 

 

Kjo shkollën e mesme e Agrobiznesit dhe Teknologjisë problemin kryesor e ka me atë se numri i vogël i nxënësve janë të interesuar për t’u regjistruar në klasën e dhjetë edhe përkundër kushteve moderne të mësimit që ofrohen si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik. Por, tani po i dalin probleme edhe me drejtues por edhe me mësimdhënës.

 

Kështu pezullimi i drejtorit në fjalë është bërë me kërkesë të Drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), Nazmi Musa, i cili e ka konfirmuar këtë edhe për Portalin 2L ONLINE, dhe se ka bërë të ditur edhe pse ka kërkuar shqiptimin e masave disiplinore dhe pse është pezulluar drejtori Salihu.

 

Musa i ka thënë 2L ONLINE, se drejtori Salihu, nuk e ka paraqitur rastin, përkatësisht nuk e ka njoftuar DKA-në për Isa Musliun, mësimdhënës i edukatës fizike në këtë shkollë, i cili që nga 28 dhjetori i vitit të kaluar nuk ka mbajtur mësim, ka munguar në punë, ndërkohë që ai ka vazhduar të jetë në listën e pagave, derisa orët e tij pa të drejtë iu janë dhënë mësimdhëniet tjetër të kësaj shkolle.

 

Musa po ashtu ka bërë me dije se përkundër mungesave të shumta të mësimdhënësve nga orët mësimore, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konform kompetencave ligjore që i ka drejtori i shkollës dhe nuk është njoftuar DKA-ja.

 

Musa ka bërë me dije edhe atë se Sektori i Inspeksionit të Arsimit ka konstatuar se nga shtatori 2014 e deri më 9 mars 2015 janë gati 200 orë mungesa të mësimdhënësve të kësaj shkolle, Kjo sipas Musës pastaj ka prodhuar problemin tjetër të mosmbajtjes së mësimit dhe daljes e hyrjes së nxënësve në shkollë, të pakontrolluar nga ana e menaxhmentit.

 

Po ashtu, siç thotë Musa, referuar vërejtjeve të auditorit të brendshëm nga raporti i vitit 2014 ku rezulton rekomandimi me rritjen e kontrrolit të brendshëm në aspektin e krijimit të të hyrave nga shitja e produkteve të prodhuara, ku dyshohet për parregullsi.

 

Mësohet se kundër këtij aktvendimi, drejtori Salihu, tani më i pezulluar, ka të drejtë ankese në komisionin komunal për zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në afat prej 30 ditësh.


 

Përndryshe, vetëm pak ditë më parë, Kryesuesja e Kuvendit të komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, kishin vizituar këtë shkollë, ku janë takuar me udhëheqjen e kësaj shkolle dhe personelin arsimor, të cilët i kanë siguruar për angazhimet që është duke i bërë drejtoria e arsimit dhe komuna në përgjithësi, për të stimuluar nxënësit që të ndjekin mësimet në këtë shkollë moderne.

 

“Mungesën e vullnetit të nxënësve për t’u regjistruar në këtë shkollë, si qeverisje komunale, së bashku edhe me propozimet tuaja, do të punojmë që t’i bëjmë disa kritere për të stimuluar nxënësit të vijnë këtu, sepse për Gjilanin fuqia ekonomike është në radhë të parë nga puna dhe prodhimi në bujqësi. Para fillimit të shtatorit edhe ju si mësimdhënës ndoshta nuk do ta paramendoni me atë se sa do të rritet numri i nxënësve që do të kërkojnë të regjistrohen në këtë shkollë, për këtë është duke u punuar me shumë kujdes, dhe në të ardhmen bashkërisht me ju do të plotësojmë këtë planifikim që kjo shkollë të ‘vloj’ nga nxënësit” kishte thenë kryesuesja Bunjaku Rexhepi.

 

Ndërsa drejtori Nazmi Musa, kishte thënë se nga shtatori të gjithë nxënësit të cilët do të regjistrohen në shkollë të bujqësisë e të cilët do të jenë të shkëlqyeshëm, nga komuna e Gjilanit do të marrin shpërblim - bursë mujore. Po ashtu, ky do të jetë vetëm fillimi, ngase planifikimi për këtë sektor do të ketë edhe shumë risi të tjera, financiare por edhe profesionale. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment