Përurohen zyrat e hapura në Administratën e Përgjithshme në Gjilan

19.12.2014 (komentet: 0)

 

Në projektin “One stop shop”, sot në Administratën e Përgjithshme në Gjilan, është bërë përurimi i zyrave të hapura i realizuar me mbështetje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që do t’u mundësoj qytetarëve të Komunës së Gjilanit kryerjen e shërbimeve në një objekt të vetëm për dokumentacione të ndryshme.

 

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, ka falënderuar ministrinë për mbështetjen financiare dhe programet e USAID-it që kanë ndihmuar Gjilanin me projekte edhe më parë në këtë fushë.

“Falënderoj ministrinë dhe programet e USAID-it që kanë investuar dhe i kanë ndihmuar Komunës së Gjilanit në shumë fusha, e posaçërisht në administratë. Ky projekt do të vazhdon edhe më tutje. Ky objekt do të jetë i destinuar për kryerjen e të gjitha shërbimeve për qytetarët, në mënyrë që vërtetimet, dokumentet, lejet etj, të jepen në këtë objekt dhe kështu qytetari nuk do të ketë më harxhim të kohës për të ecur nga një zyrë në tjetrën apo nga një objekt në tjetrin për çështje të dokumentacionit. Do të nisim së shpejti me ndërtimin e sallës së Kuvendit të Komunës”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, ka thënë se kërkesat e mira dhe në shërbim të qytetarëve sigurisht se do të financohen, sepse qytetarët do të marrin shërbime në një vend dhe ky është qëllim i përbashkët.

“Kërkesa të mira sikur kjo në Komunën e Gjilanit sigurisht se do të financohen. Qytetarët do të marrin shërbime në një vend pa pas nevojë të humbin kohë për ecje nga një objekt në tjetrin. Kështu shkurtohet koha e humbur nga qytetarët dhe normalisht edhe shkurtim i shpenzimeve nga ta. Së bashku me kryetarin e Gjilanit ne jemi duke punuar edhe në projekte të vitit të ardhshëm dhe do të ketë shumë projekte të tjera të mira që do të vijnë për qytetarët e Gjilanit. 43 mijë euro janë ndarë nga ana e ministrisë dhe janë duke u kryer disa projekte me Komunën e Gjilanit, ndërsa implementimi dhe përkushtimi i Administratës së Gjilanit ka bërë të mundur që i gjithë ky projekt këtu të realizohet me gjysmën e mjeteve të ndara nga ana jonë. Sigurisht që këtë e ka mundësuar efiçienca në implementim të projekteve dhe kjo punë shumë e madhe këtu është kryer me gjysmën e mjeteve të ndara nga ana jonë”, ka thënë sekretari Osmani.

Ndërsa drejtori i Administratës së Përgjithshme në Gjilan, Nazim Gagica, ka thënë se ky projekt “One Stop Shop”, është inicim i Komunës së Gjilanit për shërbime më afër qytetarëve.

“One Stop Shop”, është me inicim i kryetarit të Komunës dhe në mbështetje të fuqishme nga ana e tij dhe fatmirësisht ne sot po e implementojmë, falë financimit nga ana e ministrisë. Kjo hapësirë këtu do të ketë lidhje fizike edhe me Qendrën për Shërbim të Qytetarëve, por edhe me sektorin e Gjendjes Civile, që është në shërbim të qytetarëve për të plotësuar nevojat e qytetarëve për nevojat e tyre të përditshme me dokumente. Me këtë eliminohen lëvizjet e qytetarëve nga një objekt në tjetrin”, ka thënë ndër të tjerash drejtori Gagica.

Ndryshe, projektet që janë financuar dhe mbështetur vite më parë nga programe të ndryshme të USAID-it, për një administratë moderne, tashmë ato po zgjerohen dhe projektohen nga ana e Komunës së Gjilanit në bashkëpunim edhe me ministritë gjegjëse, me qëllim shërbime më të mira për qytetarët gjilanas./kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment