Përse nuk po i kthejnë laptop-ët ?!

24.01.2014 (komentet: 0)

Një numër i ish drejtorëve dhe të ish kuvendarëve të përbërjes së kaluar, përkundër kërkesave gojore por edhe shkresave të Shërbimit të Kuvendit, për kthimin e laptopë-ve që i kanë pas në shfrytëzim, nuk po i kthejnë ato dhe si duket nuk e kanë ndërmend ta bëjnë një gjë të tillë për arsye që i dinë vetëm ata, pasi më se katër herë iu është kërkuar edhe me shkrim, bile tani së fundi e kanë pasur si datë të fundit 20 janarin, por se, prapë nuk i kanë kthyer.


Edhe ashtu ata laptop që janë shfrytëzuar për më se katër vite, nuk mund thuhet se tani mund të kenë një përformancë të tillë që i bënë edhe aq me vlerë, por si duket ish drejtorë e ish këshilltarë komunal, në mendësinë e tyre duket të jenë të varfër, apo ndoshta ka edhe ndonjë pengesë tjetër që i bënë që ata të mos i përgjigjen urdhëresës së ish kryetarit për t’i kthyer laptopët.

A i posedojnë akoma, a i kanë të shkatërruar totalisht, a i kanë kthyer në laptop personal, apo çfarë po ndodh që po refuzojnë t’i përgjigjen urdhëresës së ish kryetarit, janë pyetje që presin përgjigje.

Madje, atyre, nuk ju ka bërë përshtypje as fakti që edhe nëse janë jashtë funksionit për ndonjë arsye, (një arsyetim që është dëgjuar shpesh këto ditë nga disa prej tyre), mund ti kthejnë edhe në atë gjendje, pasi kjo iu është bërë e ditur edhe nga shërbimi i kuvendit.

Përndryshe, përbërja e kaluar e Kuvendit komunal të Gjilanit që përbëhej nga 41 këshilltarë, si dhe e drejtorëve të drejtorive komunale (12 sish), kishin marrë nga komuna edhe laptop-ët për punën e tyre, porse  ato i kishin vetëm në shfrytëzim dhe pas kryerjes së mandatit do të duhej t’i kthenin.

Por, Shërbim i Kuvendit ka bërë të ditur se përkundër kërkesës së disahershme që iu është bërë atyre, deri më sot, vetëm 22 prej tyre e kanë bërë një gjë të tillë, deri sa të tjerët nuk po i përgjigjen kësaj kërkese të Shërbimit të Kuvendit, që në fakt ishte edhe urdhëresë e i ish kryetarit të komunës.

Se kuvendarët po i bishtnojnë kësaj urdhërese e ka konfirmuar për Portalin 2L Online, Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit, I cili ka bërë të ditur tani më, se së paku katër here me shkresë iu është drejtuar ish anëtarëve të kuvendit dhe ish drejtorëve të drejtorive komunale, me kërkesën që ata t'i kthejnë laptop-ët sepse i kanë pasur vetëm në shërbim, dhe se pas riparimit të tyre ata do të futen në përdorim tani nga të tjerët, por se deri më sot vetëm 22 laptop janë kthyer.

“Ne ju kemi dërguar disa herë urdhëresën e Kryetarit të Komunës, me të cilën është urdhëruar Shërbimi i Kuvendit për kthimin e laptop-ve dhe kjo është kërkuar nga ish kuvendarët dhe ish drejtorët, mirëpo edhe përkundër këtyre kërkesave, janë kthyer vetëm 22 laptop, shtatë nga drejtorët dhe 15 nga ish këshilltarët i kanë kthyer, të tjerët jo”, ka thënë Arifi.

Ndërkohë, sekretaria e Kuvendit Komunal ka kërkuar nga asambleistët që të bëjnë edhe deklarimin e pasurisë, ku data e fundit ishte 23 janar 2014. Përndryshe, Arifi ka konfirmuar se nga përbërja e kaluar ka pas edhe ish këshilltarë të gjobitur pasi nuk e kishin bërë një gjë të tillë por nuk precizoi  sa ishte numri i tyre, por kërkoi nga përbërja e re  e Kuvendit që ta bëjë një gjë të tillë duke i plotësuar formularët për këtë qëllim. /2lonline/.

/foto: Sadri Arifi - FOTO FARI/

Kthehu mbrapa

Shto koment