Përkujtohet 16-vjetori i Betejës së lavdishme të Zhegocit

15.04.2015 (komentet: 0)

Displaying 001.jpg

 Është shënuar sot në Gjilan 16-vjetori i Betejës së Zhegocit, në të cilën ranë shumë dëshmorë e martirë. Fillimisht, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e shoqëruar shefi Kabinetit Arbër Ismajli dhe drejtorët komunal, kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, derisa më pas janë vënë kurora lulesh tek lapidari në Zhegoc si dhe tek vendi i rënies së dëshmorit Pajazit Ahmeti.

 

Në tubimin e mbajtur në Zhegoc, të organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë marrë pjesë përfaqësues nga Komuna e Gjilanit, deputetë, veteranë të luftës, FKS-ja, përfaqësues nga policia, si dhe aktivist e veprimtar të çështjes kombëtare.

Në emër të kryetarit Haziri ka folur drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Ramiz Ramadani, i cili Betejën e Zhegocit e ka vlerësiar si Betejë të Lavdisë.

“Në këtë beteje të lavdisë bie dëshmori i parë Pajazit Ahmeti, ndërsa në një pikë tjetër të frontit, kalvarit të dëshmorëve i bashkohet Alban Ajeti. Malësia e Zhegocit ishte shndërruar në arenë të ashpër të rënies e flijimit sublim në altarin e lirisë po i bashkoheshin: Hanumshahja, Gafurri, Sherifi, Enveri, Sahiti, Shahini, Bahriu, Ibrahimi, Bajrami, Bejtushi, Shefkiu etj., gjaku i të cilëve u bë themel i lirisë të cilën po e gëzojmë”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka thënë se dëshmorët ranë në altarin e lirisë për t’u bërë pararojë e themel i shtetit të Kosovës, “ndërsa ne na mbetet të punojmë shumë dhe ta ndërtojmë shtetin e Kosovës në tabanin e idealeve të tyre”.

Në këtë tubim, fjalë rasti patën edhe kryetari i Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Gjilan, Ahmet Daku dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, të cilët vlerësuan se familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenare për sakrificën e bijëve të tyre për të mirën e përgjithshme.

Ky manifestim është përmbyllur me një program të pasur kulturor-artistik, të cilin e ka përgatitur Këshilli i fshatit Zhegoc.

Në betejën e Zhegocit u vranë tetë ushtarë të UÇK-së: Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu, Njazi Osmani dhe 18 civilë. Ndërsa në fshatin Sllovi u vranë 49 civilë.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment