Përkujtohen martirët dhe dëshmorët e Malishevës dhe shpërngulja e fshatit në vitin 1999

16.04.2015 (komentet: 0)

Displaying 1.jpg

 Është shënuar sot 16 prilli i vitit 1999, kohë kur është bërë depërtimi i këtij fshati drejt kufirit shqiptarë dhe Maqedonisë, por edhe vrasjet, djegiet dhe rrënimet e gjithçkaje, nga regjimi serb përmes mekanizmave të ndryshëm ushtarak, policor e paramilitar, duke bërë kështu që të zbrazej i gjithë fshati me të vetmen arsye, që ishim të përkatësisë shqiptare.

 

Me këtë rast kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka thënë se fshati Malishevë ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës, duke u sakrifikuar martirë e dëshmorë të cilët janë dhembja dhe krenaria jo vetëm e Gjilanit por edhe e Kosovës dhe më gjerë.

“Jemi mbledhur sot këtu për të shënuar 16-vjetorin e shpërnguljes së shqiptarëve të Malishevës nga regjimi famëkeq i Milosheviçit me anë të një fushate të paparë të spastrimit etnik, veç pse ishin shqiptarë. Të gjithë ne respektojmë Malishevën, dëshmorët e martirët dhe çdo familje të tyre, të cilët dhanë bijtë e tyre më të mirë për çlirimin e vendit. Ne e bashkë – ndjejmë dhimbjen e familjarëve që 16 vite më parë humbën më të dashurit e tyre”, tha ajo.

Më tej Bunjaku – Rexhepi ka shtuar se kujdesi i Komunës së Gjilanit është përherë e më i madh për këtë kategori me vlera të larta për të gjithë ne.

“Komuna e Gjilanit në krye me kryetarin Lutfi Haziri ka një kujdes të veçantë në mënyrë permanente ndaj familjeve të dëshmorëve e martirëve të kësaj ane. Prandaj, ne duhet të punojmë shumë për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve e martirëve të kombit, duhet të punojmë me të gjitha mundësitë tona që t’ua bëjmë jetën më të mirë qytetarëve tanë në të gjitha aspektet e jetës”, përfundoi ajo.

Ndërsa në emër të fshatit ka folur kryetari i Këshillit të Fshatit, Rashit Sahiti, i cili ka thënë se dita më e rëndë e gjithë periudhës së okupimit ka kulmuar me shpërnguljen masive të fshatit më 16 prill, duke u nisur drejt kufirit shqiptarë apo drejt kampeve të strehimit në Maqedoni, me qëllimin e vetëm sepse të gjithë këtu në këtë fshat ishim shqiptarë dhe donim lirinë.

Ai gjithashtu ka kujtuar edhe momentet e rënda të lëshimit të pronës e pasurisë së fshatarëve, sikur që me dhembje kanë kujtuar edhe vrasjen e martirëve dhe heronjve të rënë në rrugën e lirisë së vendit.

Nga banorët e fshatit është bërë një improvizim i kolonave, për të kujtuar largimin e 16 prillit të ’99 – tës.

Ndryshe, në këtë ditë ranë martirët: Adem Salihu, Naser Neziri, Muhamet Ibrahimi, Avdi Mustafa dhe Hasan Mustafa dhe dëshmori i Kombit Abdulla Tahiri.

Kthehu mbrapa

Shto koment