Përkujtohen dëshmorët në 15-vjetorin e rënies në fshatin Lladovë

02.04.2014 (komentet: 0)

Në 15 vjetorin e rënies, me një tubim madhështor, janë përkujtuar sot dëshmorët në fshatin Lladovë, që ishin pjesë përbërëse e kontributit të madh të lirisë së Kosovës

 

Para hapjes së Tubimit përkujtimor janë bërë homazhe tek përmendorja e dëshmorëve të këtij fshati si dhe është bërë prerja e shiritit dhe përurimi i terrenit sportiv për shkollën e fshatit, e më pas ka nisur tubimi me nderime të larta për të rënët për liri.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se lirisë së Kosovës një kontribut shumë të madh i kanë dhënë edhe dëshmorët e Grykës së Karadakut dhe Anamoravës në përgjithësi, e në veçanti dëshmorët e rënë nga ky fshat.

“Kontribut shumë të madh në lirinë e Kosovës ka dhënë edhe Anamorava, Gryka e Karadakut dhe Lladova. Sakrifica e bashkëvendësve tanë që vunë themelet e lirisë së vendit është obligim yni i përhershëm që të vazhdojmë ta çojmë amanetin e tyre të ndërtimit të shtetit. Përkujtimi për dëshmorët, përulja për ta, kujtimi i veprave të tyre, do të jetë përherë minimal në krahasim me sakrificën të cilën ata kanë bërë që ne sot të jemi të lirë”, ka thënë Haziri.

Ai më tej ka bërë publik qëndrimin e tij për angazhim të vazhdueshëm në zbardhjen e të zhdukurve dhe vendimin për të punuar përherë e më shumë që shteti i Kosovës të zhvillohet dhe të jetë një vend i mundësive dhe i nxitjes për të jetuar dhe vepruar rinia jonë. Drejtësia duhet të vihet në vend, sepse nuk ka kuptim që kriminelët të cilët kanë bërë krime në Kosovë sot të jetojnë të lirë. Të gjithë ne e dimë ku e kanë vendin ata”, theksoi kryetari Haziri.

Poashtu ai me këtë rast ka thënë se në fshatin Lladovë do të ketë një mori investimesh.

“Sot përuruam terrenin sportiv, së shpejti do të përfundohet projekti i nisur më parë i ujësjellësit, kemi shpallur asfaltimin e rrugës Lladovë – Nasalë, por do të punojmë pa ndërprerë në rregullimin e infrastrukturës bazike gjithandej Komunës”, ka potencuar ndër të tjerash kryetari Haziri.

Ndërsa, Shefket Latifi, përgjegjës i shkollës në këtë fshat por edhe në emër të këshillit organizativ, ka thënë se “dëshmorët janë ata që me gjoksin hapur dolën para okupatorit për t’i bërë me dije se nuk dorëzohemi nga asgjë. Frika për këta dëshmorë nuk ka ekzistuar. Gjaku i tyre është jeta jonë”, ka thënë Latifi, duke spikatur ndihmën e madhe të dhënë nga SHBA-të dhe NATO, për UÇK-në.  

E në emër të shoqatës “2 prilli”, që vepron në Zvicër, të pranishmit i ka përshëndetur edhe Besnik Ajeti, i cili ka falënderuar të pranishmi që kanë nderuar këtë tubim, duke thënë se kontributi dhe sakrifica e dëshmorëve të luftës, veteranëve të UÇK-së dhe invalidëve, janë ato që neve na mundësojnë që sot të jetojmë e zhvillohemi të lirë.

Ndryshe në këtë tubim ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, drejtorët e Drejtorive Komunale, udhëheqësit e Policisë së Kosovës në rajonin e Gjilanit, përfaqësues të jetës politike dhe Shoqërisë Civile si dhe qytetarë të shumtë.

Ndërsa për të gjithë të pranishmit nxënësit e shkollës “Agim Ramadani” në Lladovë, kanë shfaqur një program të pasur kulturo-artistik me tematikë patriotike. 

Kthehu mbrapa

Shto koment