Për nderë të 7 Marsit, në Gjilan hapet ekspozita me figurat më të ndritshme të kombit - 06 mars 2015

06.03.2015 (komentet: 0)

Për nderë të 7 Marsit - Ditës së Mësuesit, është hapur sot në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan ekspozita e nxënësve të shkollës së mesme të artit pamor me figurat më të ndritshme të kombit, të cilët lanë gjurmë të pashlyera në periudhat e historisë sonë.

 

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, drejtori i DKA-së në Gjilan, Nazmi Musa, drejtori i shkollës së mesme të artit pamor, Zejnulla Zejnullahu dhe artdashës të shumtë.

Me këtë rast, drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, ka falënderuar nxënësit për pikturat, derisa ka uruar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, të cilën e vlerësoi si ditë të shenjtë për arsimin kombëtar.

“Nga viti në vit dhe nga një mars në tjetrin gjithçka ndryshon, por një datë mbetet në kujtesën tonë është pikërisht 7 Marsi – Dita e Mësuesit dhe ditëlindja e shkollës së parë shqipe. Ju uroj këtë ditë të shenjtë për arsimin tonë kombëtar-Gëzuar!”, tha Musa.

Drejtori Musa pohoi se sot falë punës dhe angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve komunale të arsimit dhe kryetarit Haziri, i cili në qeverisjen e tij prioritet ka vënë zhvillimin e arsimit, rezultatet janë të dukshme.

Nga ana e saj, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi i ka përgëzuar nxënësit e shkollës së mesme të artit pamor për këtë ekspozitë pikërisht për 7 Marsin.

Duke vlerësuar lartë kontributin e mësuesve për vendin, Bunjaku Rexhepi, tha se mësuesit e kanë mbajtur gjallë edukimin e brezave me arsim shqip, duke shtuar se “mësuesit janë heronjtë e kombit shqiptar”.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment