Për herë të parë në Kosovë hapet Heliporti në Gjilan

06.08.2015 (komentet: 0)

Në Kompleksin turistik më të njohurin në Kosovë, Vali Ranch, për herë të parë në vend është bërë promovimi i heliportit ndërkombëtar për helikopter, duke bërë kështu që Gjilani sikur që gjithnjë është i pari në shumë fusha, edhe me këtë ngjarje po bëhet Komuna e parë që është pjesë e këtyre promovimeve me rëndësi për qytetarët e saj.

 

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se Fehmi Fetahu, është bashkatdhetari ynë nga diaspora, që ka dëshmuar më së miri se si duhet të investohet në vendlindje dhe se si kthehet vëmendja drejt punëve të mira.

“Gjilani dhe Anamorava sot ka bërë heliportin e parë, i cili do të jetë për nevoja të shërbimeve të gjithë qytetarëve. Për këtë falënderoj edhe Aviacionin Civil, për mundin që kanë bërë deri në pajisje me leje për këtë qëllim dhe Gjilanin e kanë bërë shembull të mirë të hapjes së këtij heliporti. Pronari i këtij heliporti dhe i këtij kompleksi turistik, z. Fetahu, është një shembull i mirë i investimeve nga diaspora në vendlindje. Është investimi jashtëzakonisht i madh dhe atraktiv që vjen drejtpërdrejt në Gjilan dhe Kosovë nga Zvicra. Ky helikopter, nuk është vetëm për atraksion, por edhe për nevoja të shërbimeve për të gjithë ne që kanë nevojë nesër, e kemi për fat të mirë tash e tutje një heliport që i plotëson të gjitha standardet për operimin e aviacionit ndërkombëtar civil, por edhe për nevoja të brendshme”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri.

Nga ana e tij pronari i kompleksit turistik Vali Ranch, Fehmi Fetahu, ka thënë se ndjehet shumë i lumtur që heliporti i parë në Kosovë po hapet në Gjilan në resorin e tij turistik.

“Kjo është një krenari shumë e madhe për ne, për regjionin dhe Kosovën, sepse ky është në shërbim edhe të qytetarëve të interesuar. Ndjehem shumë mirë dhe jam krenar për investimet që i kam bërë në Kosovë. Sot kompleksi turistik, Vali Ranch, ka kuajt, restorantin, salla nga më të ndryshmet e më modernet dhe sot po pasurohet edhe me heliportin dhe një helikopter që në kategorinë e këtij tipi është modern”, ka thënë Fetahu, duke falënderuar edhe departamentin e aviacionit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, por edhe të gjithë të tjerët që e kanë bërë të mundur pajisjen me leje për një heliport ndërkombëtar.

Kurse Burim Dinarama, drejtor i Departamentit të Aerodromeve, pranë autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, ka thënë se në dukje është një heliport i vogël, por për Kosovën është shumë i madh.

“Në dukje është një heliport i vogël, por për Kosovën është një hap i madh. Prandaj, uroj pronarin, për hapjen e heliportit të parë në Republikën e Kosovës. Uroj që ky hap të jetë shtytje edhe për investitor të tjerë që të shkojnë hapave të zotriut dhe të zhvillojnë këtë industri aq të nevojshme në territorin e Republikës së Kosovës”, tha ai në fjalën e tij.

Të pranishëm ishin edhe zëvendësambasadori i Hungarisë në Prishtinë, kryetari i Komunës së Ranillugut dhe zyrtarë të tjerë nga niveli qendror dhe ai lokal.

Një fluturim e kanë bërë së bashku kryetari i Gjilanit, Ranillugut, drejtori i aerodromeve, zevendesambasadori dhe pronari i kompleksit turistik për të bërë kështu hapjen simbolike të heliportit.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment