Penda e Livoçit synohet të bëhet park modern dhe atraktiv

01.10.2014 (komentet: 0)

 

Penda e Livoçit po synohet të bëhet një park modern dhe rekreativ, i cili do të mund të shfrytëzohet nga gjilanasit për aktivitete të ndryshme.

 

Për të diskutuar këtë çështje, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri është takuar me Chas Van Genderen – specialist i parqeve nga Montana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Afërdita Krasniqi – përgjegjëse për kulturë në Ambasadën Amerikanë në Kosovë, Sali Shoshi – shef i zyrës së Trashëgimisë Kulturore pa Kufi dhe Arben Islami nga organizata “Hiking Njeri”.

Specialisti i parqeve nga Montana e SHBA-ve, Chas Van Genderen, është shprehur se në këtë vend do të mund të bëhej një park modern, që do të mund të vizitohen nga qytetarët e Gjilanit, të Kosovës si dhe do të mund të bëhej vend atraktiv për turistë nga e mbarë bota.

Ai tha se brenda pak kohësh do ta bëjë planin e studimit të këtij parku dhe do të dalë me propozim konkret se si do të duhej të bëhej ky vend atraktiv.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka falënderuar z. Vand Genderen për përkushtimin e tij dhe të Ambasadës Amerikane në Kosovë për ta ndihmuar Gjilanin me këtë projekt, duke ofruar ndihmën dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve komunale.

Nga ky takim studimi u tha se fillimisht duhet të pastrohet penda nga ujërat e zeza e më pas të fillohet me projektin për rregullimin e parkut atraktiv dhe modern për qytetarët e Gjilanit.

Ky projekt pritet të financohet nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Kthehu mbrapa

Shto koment