PDK: Prokuroria Themelore në Gjilan është joprofesionale ose e korruptuar?

07.07.2015 (komentet: 0)

 

Institucioni i Prokurorisë Themelore në Gjilan është treguar jo profesionale ose është e korruptuar nga ekzekutivi i komunës së Gjilanit, për rastin e hetimeve të bëra për disa lëndë të dërguar në muajin korrik të vitit 2014, nga Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së dega në Gjilan, lidhur me dyshimet se janë kryer vepra penale nga zyrtarët komunal dhe në një rast drejtpërdrejtë nga kryetari i komunës Lutfi Haziri.

 

Ndërsa Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014, ka konstatuar se në po këto raste janë bërë shkelje të rënda ligjore (të nenit 4, dhe 5 të ligjit për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme Komunale (04/L-144) dhe parregullësi të shumta nga zyrtarët komunal dhe drejtpërdrejt nga ana e kryetarit të komunës Lutfi Haziri, lidhur me dhënien në shfrytëzim të pronave komunale.

Ndryshimi thelbësor i kontratave publike ka rezultuar me humbje financiare për 2014 për komunën për 33,600€. Ndërsa për periudhën 5 vjeçare potencialisht humbja mund të jetë 168,000€. Mos zbatimi i legjislacionit për pasuritë komunale rezulton me trajtim jo të barabartë të operatorëve, mos transparencë dhe dëmtim të interesit publik, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Poashtu sipas këtij raporti ka pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve tek mallrat dhe shërbimet ku ishin aplikuar procedura për kuotimin e çmimeve me qëllim të shmangies së procedurave të hapura. Ato ishin iniciuar dhe zhvilluar në të njëjtën kohë dhe me të njëjtit operator ekonomik. Disa raste kishin të bënin me: Furnizim me Teknologji Informative ishin zhvilluar gjashtë procedura me të njëjtën kompani që së bashku arrinin shumën 30,990€; Për shërbimet e pastrimit tri procedura në shkollat që së bashku arrinin 21,000€. Dhe për furnizim dhe montim të kamerave në dy shkolla fillore që së bashku arrinte 16,212€.

Kryetari i komunës ka lejuar që të jepen 4 tenderë në të njëjtën kohë dhe për të njëjtin projekt pune për rregullimin e zyrave të komunës, ku nga ta 3 tender përmes kuotimit. Një tender për rregullimin e zyrës së kryetarit 9,499 euro, një tender për rregullimin e zyrës së kryesueses së Kuvendit Komunal në vlerë prej 9,663 euro, një tender për furnizim me material për renovimin e zyrave në vlerë prej 9,720 euro dhe një tender me një kompani tjetër me kontratë kornizë për tri vite.

Andaj pas këtyre vlerësimeve dhe konstatimeve të bëra nga Auditori i Përgjithshëm në raportin e saj për vitin 2014, del se Prokuroria e Themelore në Gjilan nuk e ka kryer punën në mënyrë profesionale, ose ka qenë e ndikuar dhe korruptuar drejtpërdrejtë nga Lutfi Haziri, për të heshtu dhe mbyllur hetimet e nisura në lëndët që tani më janë konstatuar nga AP se ka pasur shkelje të rënda ligjore, të bëra nga vet kryetari i komunës së Gjilanit.

Në si grup opozitar në Kuvendin Komunal të Gjilanit, këto lëndë do ti adresojmë tani edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës për tu hetuar edhe njëherë, si dhe do të kërkojmë nga ata, vlerësimin e punës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, se si i ka trajtuar këto lëndë për tenderët në të cilat janë kryer vepra penale. Gjë që tani ka argumente se Prokuroria Themelore në Gjilan ka vepruar njëanshëm duke fshehur këto parregullsi dhe shkelje ligjore me disa tenderë, që e kanë dëmtuar buxhetin komunal të Gjilanit.

 

Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan

 

Kthehu mbrapa

Shto koment