PDK: Nuk do të lejojmë kërcënimin e mësimdhënësve të Gjilanit

17.12.2014 (komentet: 0)

Drejtoria e Arsimit në komunën e Gjilanit nuk ka të drejtë, që përmes formave të ndryshme të kërcënojë mësimdhënësit, të ia mohoj të drejtën e punës për tu angazhuar edhe në institucionet tjera private arsimore thonë prfaëqsues të PDK-së pjesë e Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së.

 

 

Sipas tyre, ky tentim i Drejtorisë së Arsimit është shkelje e ligjit dhe e vet rregullores së miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjilan, në bazë të cilit edhe është nxjerrë një urdhëresë e jashtëligjshme për t’ia ndaluar mësimdhënësve dhënien e mësimit nëpër institucionet tjera arsimore, e që janë të akredituara nga Ministri e Arsimit.

 

Sipas Leonora Bunjakut, anëtare e KK-së, Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së, e konsideron këtë veprim të jashtëligjshëm nga ana e drejtorisë së Arsimit dhe të dëmshëm për procesin mësimor që do të ndikojë drejtpërdrejtë në cilësinë mësimore. Askund në ndonjë komunë tjetër, nuk ka ndodhur deri më tani një ndërhyrje e tillë në ligjet e Republikës së Kosovës dhe në Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Arsimit.

 

“Ne e kemi mbështetur miratimin në Kuvendin Komunal, rregulloren mbi përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punonjësve në institucionet edukativo arsimore dhe aftësuese në komunën e Gjilanit, ku ndër të tjera sipas pikës 2.4 e ndalon mbajtjen e kurseve private brenda dhe jashtë institucionit edukativo arsimor me nxënës që mësimdhënësi i mëson (nxënësit e vet). Mirëpo në këtë rregullore askund nuk është e shkruar se mësimdhënësit nuk kanë të drejtë të punojnë nëpër institucionet tjera arsimore private, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me ligjin”, thotë Bunjaku.

 

Sipas saj, çdo shkollë private profesionale e cila është e regjistruar dhe e licencuar, normalisht që duhet të angazhojë kuadro profesionale për nxënësit të cilët vijojnë mësimin shtesë aty dhe assesi rregullorja e Kuvendit e cila është miratuar nuk ia ndalon mësimdhënësve që të punojnë në këto shkolla private. E po ashtu edhe kurset private të cilat organizojnë kushte, duhet ti kërkohet nga Drejtoria e Arsimit regjistrimi dhe licencimi i tyre dhe njëkohësisht duhet të mbikëqyren nga komuna dhe jo në këtë formë përmes urdhëresës së jashtëligjshme të pengohen qindra mësimdhënës dhe mijëra nxënës të shkollave të Gjilanit.

 

Bunjaku thotë se pos kësaj, në rregulloren e Kuvendit Komunal, janë të theksuara edhe masat disiplinore të cilat mund të merren ndaj atyre që nuk e respektojnë këtë rregullore, andaj nuk mundet që drejtoria e Arsimit në Gjilan, ti kërcënojë të gjithë mësimdhënësit e shkollave të Gjilanit, në mënyrën më të vrazhdë dhe jo profesionale. Ditarin e klasës askush nuk mundet dhe nuk ka të drejtë t’ia merr prej dore asnjë mësimdhënësi, sepse ata i kanë të drejtat e tyre ligjore dhe janë të mbrojtur nga legjislacioni i Republikës së Kosovës.

 

“Ne e mbështesim çdo angazhim të drejtorisë së Arsimit në Gjilan, për ngritjen e nivelit arsimore, disiplinën dhe rendin nëpër shkolla, por gjithsesi se gjitha këto mund të bëhen vetëm duke respektuar ligjet dhe udhëzimet e Ministrisë së Arsimit, në bazë të cilave komuna ka të drejtë të nxjerr urdhëresa ligjore, por jo sipas tekeve individuale të kujtdo qofshin ato. Sepse edhe komuna jonë i përket Kosovës, deri në shpalljen e Republikës së Bananes. Kur ndoshta mund të nxirren urdhëresa të tilla nga Drejtoria e Arsimit”, thotë Bunjaku.

 

Sipas saj, PDK, Grupi i Këshilltarëve Komunal, kërkojnë respektimin e legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe mos të kërcënohen mësimdhënësit e komunës së Gjilanit duke ia mohuar të drejtën e punës, të cilën e kanë të gjithë mësimdhënësit e Kosovës, deputetët dhe ministrat të cilët punojnë në Universitetin e Prishtinës dhe nëpër Universitetet private. Mësimdhënësit Gjilanas nuk mund të dënohen duke ia mohuar këtë të drejtë përmes formave të kërcënimit. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment