PDK: Luta e “kompensoi” Kryeprokurorin që të mbyllë hetimet e tenderëve të komunës

20.03.2015 (komentet: 0)

 

Kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, duke ditur pasojat e rezultateve reale të hetimeve për kryerjen e veprave penale të bëra drejtpërdrejtë nga ana e tij dhe nga ana e zyrtarëve komunal me tenderët e komunës së Gjilanit, ka bërë të pamundurën për të ndikuar në prokurorinë themelore me qëllim që të bëjë mbylljen e pastër të hetimeve për këta tenderë, shprehet Riad Rashiti në emër të Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan.

 

Kryetari i komunës duhet ta kuptojë mirë se ende nuk ka marr fund asgjë, lidhur me punën e këtyre hetimeve për këta tenderë. Këto lëndë të tenderëve ne do ti dërgojmë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, duke qenë të bindur se kryetari i komunës Lutfi Haziri ka bërë shkelje të rënda ligjore duke ndërhyrë në tenderët dhe kontratat e dhëna ndaj operatorëve ekonomik, me të cilat e ka dëmtuar rëndë buxhetin komunal të Gjilanit. Mirëpo ndikimet e tij në Prokurorinë Themelore në Gjilan, kanë bërë që të mbyllen këto hetime ndaj veprave penale dhe shkeljeve ligjore të bëra nga ana e tij si kryetar komune.

Lutfi Haziri, duhet të tregojë se pse ka shpallur konkurs pune, të përgatitur sipas kushteve dhe kritereve të cilat i plotëson vajza e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe jo sipas kushteve të përcaktuara ligjore. Ky konkurs është shpallur për një vend pune, zyrtare financiare në Drejtorinë e Inspeksionit, ndërsa gjatë kësaj kohe (në nëntor/dhjetor 2014) ky kryetar komune kishte marr vendim për të shuar këtë drejtori komunale. Kjo flet mjaft shumë për veprimet e këtij kryetari që mendon se është i pa kapshëm nga drejtësia, por ai gabon shumë, sepse do të vjen koha për llogari dhënie për të gjitha të bërat e tij.

Ndërsa për dallaveret me tenderët e komunës së Gjilanit, tregojnë edhe 11 vendime të OSHP (Organit të Shqyrtimit Publik të Kosovës) që i ka marr gjatë vitit 2014, ku i ka anuluar komunës tenderët e dhënë kompanive të preferuara të Lutfi Hazirit, për shkak të shkeljes së procedurave ligjore të prokurimit. Poashtu edhe KDI në raportin e monitorimit të Prokurimit Publik për komunën e Gjilanit, përveç tjerash ka konstatuar se njoftimi për anulimin e kontratave janë një e dhënë shqetësuese për prokurimin e komunës së Gjilanit dhe se konkurrenca për bizneset ka qenë e limituar, për arsye se për 30 projekte nuk ka pasur fare njoftim për kontratë dhe se vlera e këtyre tenderëve ka qenë nën vlerën minimale, pra nën 10 mijë euro.

Ky kryetar komune ka lejuar që të jepen 4 tenderë në të njëjtën kohë dhe për të njëjtin projekt pune për rregullimin e zyrave të komunës, ku nga ta 3 tender përmes kuotimit. Një tender për rregullimin e zyrës së kryetarit 9,499 euro, një tender për rregullimin e zyrës së kryesueses së Kuvendit Komunal në vlerë prej 9,663 euro, një tender për furnizim me material për renovimin e zyrave në vlerë prej 9,720 euro dhe një tender me një kompani tjetër me kontratë kornizë. Pra këto nuk janë keqpërdorime të buxhetit komunal dhe nuk mund të cilësohen si hajni e qeverisjes Haziri, apo jo?  

Nuk është rasti i parë që Prokuroria të mbyll hetimet e iniciuara ndaj Lutfi Hazirit. Njësojë është vepruar edhe për hetimet e nisura për keqpërdorimet e jashtëzakonshme me fondin e tërmetit të vitit 2002 prej 2.5 milion euro, ku nga ai fond 1.5 milion euro nuk i janë dhënë asnjëherë qytetarëve të Gjilanit, sepse po ky kryetar komune, atyre mjeteve ua kishte ndërruar destinimin pa asnjë vendim të Kuvendit Komunal, duke i shfrytëzuar ato për projekte tjera me qëllim të realizimit të projekteve tjera para fushatës elektorale. Këto keqpërdorime dhe shkelje të shumta ligjore u heshtën nga Prokuroria e Gjilanit, a thua pse?

Poashtu edhe hetimet e nisura ndaj Lutfi Hazirit për privatizimin e kompanisë së Radiatorëve në Gjilan, janë mbyllur nga EULEX-i, duke rezultuar se nuk ka bazë për kryerjen e veprave penale, ndërsa ekzistojnë të gjitha dëshmitë se edhe vet Lutfi Haziri ka marr pjesë me 5% në blerjen e këtyre aksioneve, nga pozita e tij sa ishte ministër në Qeverinë e Kosovës. A do të dalin edhe këto dallavere të Lutfi Hazirit bashkë me dallaveret e prokurorëve të EULEX-it, mbetet të shihet, por dihet se ishte duke u hetuar edhe për këtë rast të privatizimit.

Edhe këto hetime të fundit po dalin si të pa baza për kryerjen e veprave penale nga kryetari i komunës, për keqpërdorime, shkelje dhe ndërhyrje ligjore në tenderët e dhënë nga komuna e Gjilanit. Ne e cilësojmë se kjo po ndodhë për arsye se lidhjet e Lutfi Hazirit me disa nga prokurorët dhe kryeprokurorin janë të fuqishme dhe të lidhura për interesa të ngushta.

E vërteta nuk mund të mbyllet e shuhet as nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, e cila në rastet e Lutfi Hazirit ka vepruar e ndikuar. Ne do të angazhohemi edhe më fuqishëm, në rrugën institucionale për të kërkuar drejtësi dhe për të dhënë llogari të gjithë shkelësit e ligjit dhe keqpërdoruesit e parasë publike. Është shqetësuese që ndikimet e këtij kryetari të komunës janë të mëdha në disa nga institucionet e drejtësisë, por kjo nuk do të na ndalë që të vazhdojmë edhe më tutje, deri në zbardhjen e keqpërdorimeve që ka bërë Lutfi Haziri dhe për ndërhyrjet dhe shkeljet ligjore të bëra drejtpërdrejt nga ana e tij. Sepse ne besojmë se ende diku në Kosovë, ekziston pak drejtësi dhe shtet ligjor.

Se a kemi bërë ne si PDK denoncime të rrejshme në Prokurorinë Themelore për rastet e këtyre tenderëve, apo ju jeni i korruptuar dhe i korruptoni të tjerët, mbetet të shihet nga e vërteta që do del në shesh pas zhvillimit deri në fund të këtyre hetimeve. Gënjeshtra është bërë specialitet i qeverisjes së Lutfi Hazirit, por edhe kjo do të përfundojë shumë shpejtë.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment