PDK: “Komiteti i Ekspertëve” politikë varfëruese e kuadrove të LDK-së

29.10.2015 (komentet: 0)

Komuna e Gjilanit po vazhdon të qeverisë me qasje joserioze dhe të papërgjegjshme, me veprime të çuditshme, të dëmshëm dhe joprofesionale. Kuvendi Komunal ka miratuar vendimin për formimin e Komitetit Konsultativ të Ekspertëve për Planifikim Hapësinor, ku përbërja e anëtarëve të zgjedhur është plotësisht joadekuate dhe joprofesionale e që nuk ka aspak “haber” në këtë fushë, por që është bërë sa për sy e faqe dhe sa për të dhënë ndonjë meditje për takimet e kota të cilat do të mbahen.

 

 

Nga shtatë anëtarët e zgjedhur në këtë Komitet Konsultativ për Planifikim Hapësinor, pesë prej tyre kanë profesione që nuk kanë aspak lidhje me planifikimin hapësinor. Tre anëtarë të këtij komiteti janë me Fakultet të Edukimit, dega Gjeografi dhe Edukatë Qytetare, një me fakultet të sociologjisë, një me FSHMN për mbrojtje dhe mjedis dhe vetëm dy prej tyre janë arkitekt edhe atë me përvojë shumë të mangët në këtë lëmi. A thua Gjilani nuk paska asnjë kuadër tjetër profesional nga dega e arkitekturës dhe fusha e planifikimit hapësinor, apo LDK na qenka aq e varfër me kuadro profesionale?

Sipas rregullores së miratuar nga Kuvendi Komunal, kompetencë e këtij komiteti është që të jap mendime, propozime dhe vërejtje në dokumentet e planifikimi hapësinor, të ofrojë këshilla profesionale në procesin e hartimit të planeve zhvillimore, urbane dhe planeve rregulluese, përcjell, monitoron dhe shqyrton zbatimin e planeve komunale të miratuara nga Kuvendi Komunal. E si mund ti kryej këto detyra, përgjegjësi dhe kompetenca ky komitet që nuk mund as ti lexojë ato planet urbanistike, e lëre më për të dhënë ndonjë kontribut të tyre në këtë fushë.

Kjo përbërje e këtij komiteti do ti shërbejë vetëm klasës politike në Gjilan që tani po e finalizon kompletimin e infrastrukturës, që për qëllim ka krijimin e kushteve për bizneset personale të pushtetarëve, që tani e tutje edhe më lehtë të ndërtojnë si të dojnë, kah të dojnë, kur të dojnë edhe atë pa leje ndërtimore si dhe në kundërshtim të plotë me planet rregulluese urbanistike, sepse nuk ka kush që t’ia prish rehatin në bizneset e tyre.

Vitin e kaluar kjo qeverisje ka shuar/mbyllur drejtorinë e Inspeksionit, ka larguar inspektorët komunal të ndërtimit, ka bërë të pavlefshme planet rregulluese urbanistike nga lejimi i ndërtimeve pa leje dhe tani së fundmi ka formuar një komitet të “Ekspertëve” që do ta thellojë edhe më shumë këtë katrahurë në këtë fushë, e cila po e rrënon pamjen dhe rendin e ndërtimeve në Gjilan.

 

Komisioni për Resurse dhe Kuadro Profesionale

Dega e PDK-së Gjilan

Kthehu mbrapa

Shto koment