PDK: Kaos e anarki në Gjilan, lulëzojnë ndërtimet pa leje, shkollat pa nxemje

31.10.2014 (komentet: 0)


 Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në asamblenë komunale të Gjilani, ka shprehur të premtën shqetësimet në lidhje me ndërtimet e mëdha pa leje që po ndodhin në komunën e Gjilanit për çka kanë fajësuar udhëheqjen e komunale që është fajtore për këtë.

Riad Rashiti , këshilltar komunal i PDK-së ka thënë në emër të Grupit se Gjilani është në anarki dhe kaos total dhe se ndërtimet pa leje ndërtimore po ndodhin edhe para syve të kryetarit të komunës Lutfi Hazirit, sepse ato po bëhen madje edhe në afërsi të selisë së kryetarit apo edhe shtëpisë së tij.
Rashiti ka fajësuar në rend të parë kreun e komunës Lutfi Hazirin, duke thënë se ai më tepër po merret me “blloka" duke aluduar në bllokun (LDK – AAK-Nisma), sesa me atë që duhej të merret e për të cilat gjëra edhe është votuar nga qytetari.
Ai tha se në Gjilan janë duke u bërë abuzime të mëdha në sektorin e ndërtimit nga ana e Inspeksionit dhe Urbanizmit, duke lejuar ndërtime jashtëzakonisht të shumta kudo nëpër qytet, pa asnjë leje ndërtimore dhe jashtë planit rregullues urbanistik.
“Aktualisht në qytetin e Gjilanit ne i kemi identifikuar mbi 55 objekte të cilat janë duke u ndërtuar pa leje ndërtimore nga Urbanizmi, me një sipërfaqe rreth 45 mijë m/2 të destinuara për banim dhe lokale afariste. Ky zhvillim i ndërtimeve ilegale po e dëmton buxhetin komunal të këtij viti në vlerë prej më së paku 176 mijë euro”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, kjo gjendje është e papranueshme dhe jashtëzakonisht e dëmshme që po i ndodhë komunës së Gjilanit duke u shkatërruar dhe shëmtuar pamja e qendrës së qytetit, po zhvlerësohen të gjitha planet rregulluese urbanistike në të cilat është investuar dhe shpenzuar mjaft shumë në vitet e kaluara nga qeverisja e PDK-së, po dëmtohet jashtëzakonisht shumë buxheti komunal përmes korrupsionit i cili është bërë dukuri në këtë vit në disa nga institucionet e komunës në Gjilan. Janë duke u bërë falsifikime të dokumentacionit nga ana e Inspeksionit, ku kemi raste që një leje ndërtimore, po shfrytëzohet nga më shumë se një investitorë.
“Është interesant fakti, që të gjitha këto zhvillime shkatërruese që po ndodhin mu në qendër të qyteti, janë shumë afër zyrës së kryetarit të komunës dhe përballë shtëpisë së Lutfi Hazirit. Dhe deri më tani nuk është marr asnjë veprim për të parandaluar dhe penguar këtë valë të jashtëzakonshme të ndërtimeve pa leje që po ndodhin muajve të fundit në qytetin e Gjilanit.
Lutfi Haziri po i fton jaranët nga Prishtina që të vijnë në Gjilan, për të ndërtuar edhe pa leje ndërtimore, sepse atje Shpend Ahmeti ia ka pamundësuar një gjë të tillë”, ka thënë Rashiti.
Ai shtoi se për të argumentuar se këto objekte ndërtimore janë duke u ndërtuar pa leje, PDK ka marr përgjigje zyrtare nga Drejtoria e Urbanizmit, e cila ka vërtetuar se objektet kolektive që po ndërtohen në qendër të qytetit të Gjilanit, nuk janë pajisur me leje ndërtimore dhe nuk ka aplikuar fare për të ndërtuar legalisht sipas kushteve urbanistike. Ndërsa Drejtoria e Inspeksionit deri më tani nuk ka marr asnjë veprim për të penguar apo rrënuar këto ndërtime të cilat me të madhe po ndodhin sot në qendër të qytetit. Dhe krejt kjo që po ndodhë është duke u lejuar nga i pari i komunës së Gjilanit, i cili është përgjegjës kryesor për këtë gjendje e cila po e shkatërron pamjen e qytetit.
“Këto mosveprime të institucioneve komunale dhe abuzimet të cilat po ndodhin nga zyrtarët komunal të Gjilanit, tani është duke i hetuar edhe Policia e Kosovës, njësia për krime të rënda ekonomike, e cila është duke intervistuar përgjegjësit të cilët po lejojnë këto ndërtime të pa leje”, ka thënë Riad Rashiti, këshilltar Komunal i PDK-së

Leonora Bunjaku, këshilltare komunale e PDK-së, njëherësh anëtare e Komitetit të Arsimit ka thënë se PDK-ja si parti opozitare është e shqetësuar me shumë gjëra që po ndodhin në arsimin gjilanas dhe në këtë drejtim kanë fajësuar pushtetin aktual për këtë.

Bunjaku tha se veç po hyjmë në muajin nëntor dhe shumë shkolla nuk e kanë zgjidhur çështje e ngrohjes dhe për rrjedhojë kemi ndërprerje të mësimit ose shkurtim të orarit. Ajo tha se pushteti është dashtë së paku deri më 15 tetor të sigurojë lëndët djegëse për shkollat e komunës, por këtë nuk e ka bërë dhe tani nxënësit por edhe mësimdhënësi po mërdhijnë.

“Kështu po rrezikohet shëndeti i nxënësve dhe i mësimdhënësve”, ka thënë Bunjaku, që bashkë edhe me kolegë të tjerë të partisë që i takojnë Grupit të Këshilltarëve, si Bujar Nevzati, Fatbardha Selmani e Riad Rashiti,i kanë paraqitur këto shqetësime në një konferencë për gazetarë. Madje Bunjaku e Nevzati i kanë prezantuar para gazetarëve edhe disa fotografi ku shihen nxënësit e një shkolle (Gjimnazi Zenel Hajdini), brenda klasës të mbështjellë me qebe

Përndryshe, përfaqësues të PDK-së kanë kërkuar nga përgjegjësitë të bëjnë sa më parë zgjidhje, ndonëse u treguan skeptik se as të hënën nuk do të zgjidhet kjo çështje dhe do të vazhdojë humbja e orëve mësimore, ose shkurtimi i tyre, me një fjalë do të vazhdojë ky pushtet të i mërdhijë nxënësit e mësimdhënësit.

Po ashtu, Leonora Bunjaku e PDK-së ka thënë se ka edhe plotë telashe tjera që e përcjellin arsimin gjilanas dhe në këtë drejtim përmendi mungesën e përgatitjeve të shkollave në aspektin tekniko higjienik. Në këtë drejtim ajo përmendi se ka plotë shkolla ku uji i pijshëm nuk është i pijshëm.

Po ashtu ajo tha se janë shkelur kriteret dhe kemi prapë klasë të stërngarkuara me nxënës, derisa për ekskursione tha se ato nuk duhet stopuar por duhet organizuar si duhet ndërsa fajësoi pushtetin edhe për qasje ne gabuar ndaj shkollës së bujqësisë ku klasat po shuhen dhe nëse nuk ndërmerren masa mund të mos kemi fare klasë e kjo është katastrofave kur dihet se Gjilanit pikërisht një shkollë e tillë i duhet.

Edhe këshilltari tjetër Bujar Nevzati ka folur me tone kritike sidomos me rastin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave ku sipas tij ka pas plot parregullsi, e që sipas tij, për gati gjysmën e tyre, përfaqësuesi i ministrisë nuk e ka hedhur firmën e tij.

Nevzati i ka bërë apel prokurorisë të hetojë në këtë drejtim, ta kontrollojë dokumentacion e tillë sepse ka punë për të, derisa fajësoi këtë pushtet që po bënë që arsimi jo që nuk po ecë para, por ajo po kthehet si para vitit 2006, kur edhe atëherë pushtetin ne Gjilan e kishte LDK, dhe gjendja e arsimit ishte e rëndë.

Kthehu mbrapa

Shto koment