PDK: Buxheti 2016 sjell fukarallak për Gjilanin

01.10.2015 (komentet: 0)

Miratimi i buxhetit të zvogëluar nga Kuvendi Komunal i Gjilanit për vitin 2016, do të sjell vetëm fukarallak dhe rritje të problemeve serioze me të cilat do të ballafaqohet qytetari i Gjilanit. Me këtë buxhet komuna e Gjilanit nuk mund të ketë stabilitet financiar dhe as mbijetesë institucionale të cilat veç se tani janë në krizë serioze. Për vitin 2016 nuk mund të flitet për ndonjë zhvillim pozitiv në asnjë fushë dhe në dobi të qytetarëve Gjilanas, kështu shprehet Grupi i Këshilltarëve Komunal nga radhët e PDK-së.

 

Zvogëlimi i buxhetit të komunës për gjysëm milioni euro, nga ana e Qeverisë së Isa Mustafës është shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për funksionimin normal të jetës institucionale si dhe tregon injorancën e madhe që Kryeministër Mustafa po ia bën qytetarëve të Gjilanit, të cilëve në vend që ta realizonte premtimin për rritje të buxhetit, ai erdhi në Gjilani dhe ua mori gjysëm milioni euro qytetarëve nga buxheti tyre dhe të cilët i mashtroi sikurse edhe kryetari i komunës Lutfi Haziri.

Për gjashtë vite të qeverisjes së PDK-së në Gjilan, buxheti komunal për çdo vit rritej, plus qeverisja e Kryeministrit Hashim Thaqi me rishikim të buxhetit, çdo vit i ndante buxhet shtesë me nga 3 milion komunës së Gjilanit, vinte dhe e vizitonte Gjilanin duke i sjellë mundësi të investimeve në projekte madhore për interesin qytetarë, rrugë të reja, shkolla të reja, salla të sporteve, hapi Universitetin e Gjilanit, dhe shumë projektet tjera që arritën shumën e investimeve rreth 90 milion euro dhe të cilat i menaxhoi më së mirë Qemajl Mustafa.

Ndërsa sot Kryeministri Isa Mustafa me duar në xhepa vjen në Gjilan dhe i mbush xhepat nga buxheti i komunës së Gjilanit dhe kthehet për Prishtinë. Pra këtu është dallimi i qeverisë së Hashim Thaqit dhe Isa Mustafës. Edhe pse Luta e quante jabanxhi Hashim Thaqin, ai prap sillte shumë më shumë dobi për qytetarët e Gjilanit, ndërsa ky “venalia” i Lutës (Isa Mustafa) po vjen dhe po e vjelë buxhetin e komunës dhe paratë e qytetarëve të Gjilanit të cilët paguajnë më së shumti taksa dhe tatim në nivel të Kosovës.

Planifikimi i buxhetit 2016, do të sjell shumë më pak edhe të hyra vetanake si pasojë e keqmenaxhimit financiar që është theksuar edhe në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.  Do të ketë 164 mijë euro më pak buxhet për investime kapitale dhe sipas listës së miratuart të projekteve nuk pritet të ketë asnjë projekt të ri i cili do të jet i rëndësishëm për qytetarët e Gjilanit.

Te sektori i zhvillimit ekonomik ka zvogëlim të buxhetit për 414 mijë euro dhe nuk është planifikuar asnjë projekt i vetëm i cili pritet të investohet gjatë vitit që vjen. Sektorit të bujqësisë i është zvogëluar poashtu buxheti për subvencione, ku bujqëve të Gjilanit i janë marr 90 mijë euro buxhet më pak se në këtë vit, shprehet Shukrije Rapuca këshilltare komunale nga PDK.

Ndërsa sipas Fatbardha Selamanit PDK, Buxheti për Kulturë, Rini dhe Sport ka zvogëlim për 25 mijë euro, gjë që tregon se kriza do të thellohet tepër shumë për Teatrin Profesional të Gjilanit, për klubet sportive që ka qyteti ynë, prej të cilave ka që tani veç janë shuar dhe që rrezikohen edhe shumë klube të tjera të shuhen në vitin tjetër që po i vie, krejt si pasojë e mos punës dhe mos anagazhimit të qeverisjes komunale.

Sipas saj edhe sektori i shëndetësisë ka më pak buxhet, ku për investime kapitale ka shumë më pak planifikim, nga 80 mijë euro sa janë në këtë vit, do të ketë vetëm 40 mijë euro në vitin 2016. Gjë që tregon se shëndetësia në Gjilan, po shkon drejtë zvogëlimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe tkurrjes së madhe të investimeve. Do të ketë më pak mbështetje financiare edhe për organizatat e personave me nevoja të veçanta, si Handikos dhe të tjerat.

Riad Rashiti thotë se te projektet e investimeve kapitale të cilat janë planifikuar të investohen në vitin 2016 nga buxheti i varfër i komunës në vlerë prej 3,432,288 euro, janë shpenzime buxhetore që kanë të bëjnë pothuajse krejtësisht me mirëmbajtje të projekteve aktuale, apo të investimeve që janë bërë në qeverisjen e PDK në Gjilan, ndërsa askund nuk shihet asnjë projekt i ri, i cili pritet të realizohet nga ato që janë premtuar nga kryetari aktual i komunës.

Për projektin historik të lumit Mirusha, prap janë planifikuar vetëm 100 mijë euro për vitin 2016, po aq janë planifikuar edhe për vitin 2017 dhe vitin 2018 , që do të thotë se me qeverisjen e Lutfi Haziri, ky projekt nuk ka gjasa të përfundojë kurr, njësoj sikurse projekti i “Sahat Kullës” i cili nuk ka përfunduar kurr edhe pse pshtë është nisur në vitin 2005, poashtu gjatë qeverisjes Haziri i cili ishte edhe atëherë në pushtet, e që edhe sot nuk është në gjendje ta përfundojë.

Shumë projekte tjera janë bllokuar nga qeverisja e Lutfi Hazirit dhe të vilat nuk pritet të realizohen asnjëherë, si projekti i tregut të gjelbër ku asnjë euro është planifikuar nga buxheti i vitit 2016, projekti i Zonës Ekonomike as që përmend në ndonjë planifikim të mundshëm,  projekti i kompleksit të shkollave të mesme i dështuar, projekti i Transportit Publik, projekti i ndërtimit të qendrës rekreative përmes PPP, te salla e sporteve në Gjilani.

Në listën e projekteve të DZHE, askund nuk shihet planifikimi buxhetore për përkrahje të bizneseve të vogla në kredimarrje, një projekt që e ka miratuar po kjo qeverisje në Kuvendin Komunal të cilën e kemi mbështetur edhe ne si opozitë, por i cili projekt dështoi ende pa u nisur fare.

Me një fjalë, kjo qeverisje komunale me këtë planifikim buxhetor, nuk ka asnjë ide apo projekt të vetëm zhvillimor për Gjilanin, që do të ndikonte në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në ngritjen e mirëqenies sociale.

Por me këtë buxhet të planifikuar për vitin 2016, pritet të ketë vetëm rritje të numrit të vizitave turistike të kryetarit Haziri që do ti bëjë jashtë vendit, ku do të shpenzohen dhjetëra mijë euro apo rreth 50 mijë euro nga taksat e qytetarëve të Gjilanit që i paguajnë në buxhetin komunal, por nuk do të ketë asnjë dobi për ta.

Me këtë planifikim buxhetor, Gjilani vazhdon të katandiset edhe më shumë nga keq qeverisja dhe nga keqmenaxhimi, shpenzimi i pakontrolluar i buxhetit komunal dhe mostrajtimi i barabartë i qytetarëve të Gjilanit.


Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan

Kthehu mbrapa

Shto koment