Pasi mbajtën burgun, doli se nuk kishin faj

10.04.2015 (komentet: 0)

Pasi mbajtën burgun, doli se nuk kishin faj

 

 

Skënder Shala para pak vitesh ishte pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës e tashti punon në një kafe-restorant në Gjilan. Ai më me dëshirë do t’i kthehej profesionit të dikurshëm të policit, por duhet të fitojë edhe një betejë, atë të kthimit në vendin e punës. Ai nuk është i vetmi që ka këtë hall, ngase janë edhe katër ish-kolegë të tij, që dikur akuzoheshin se shpërdorën detyrën zyrtare, por vetëm pasi kishin vuajtur dënimin, dolën se ishin të pafajshëm.

 

Shala ishte pjesë e një rasti në gjykatë, kur policë nga Rajoni i Gjilanit që kryenin detyrën në vijën e gjelbër u patën akuzuar për marrja ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës zyrtare, pastaj moslajmërim të veprës penale apo të autorizimit. Në këtë proces gjyqësor kanë qenë të përfshirë 13 persona, që të gjithë zyrtarë policorë.

Pas mbajtjes së seancave gjyqësore, tetë policë ishin shpallur të pafajshëm, ndërsa pesë të tjerë dolën të jenë fajtorë dhe u dënuan me 3-5 muaj burgim, për të cilin nuk ishin pajtuar asnjëherë. Në mesin e të dënuarve ishte edhe Skënder Shala.

Mihane Ismajli, avokate, thotë se klienti i saj Skënder Shala, të cilin e ka mbrojtur që nga fillimi e deri në përfundim të gjykimit, ka qenë i dyshuar për veprën penale marrje ryshfeti dhe për këtë ishte dënuar me pesë muaj burgim dhe ai e kishte vuajtur dënimin.

Por, me kërkesën e palës mbrojtëse për mbrojtjen e ligjshmërisë, lënda ishte kthyer në rigjykim. Ismajli thotë se që nga fillimi kanë qenë të bindur në pafajësinë e klientit të tyre, kurse Gjykata Supreme e kishte kthyer lëndën në rigjykim dhe pas disa seancave të mbajtura, Gjykata e Shkallës së Parë ka marrë aktgjykim lirues, shpalli të papranueshme provat, ngase ato ishin në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Ajo ka thënë se klienti i saj është liruar nga akuza me vendim të Gjykatës Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, por prokurori i shtetit ka ushtruar ankesë, kurse Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.

Tashti, Skënder Shala, kërkon kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e dëmit që i është shkaktuar, ngase ai është familjar. Shala, por edhe të tjerët që u shpallën të pafajshëm, tash e gjashtë vite nuk i realizuan të ardhurat, madje pa fajin e tyre. Avokatja, Mihane Ismajli, thotë se klienti i saj ka të drejtën për kthim në vendin e dikurshëm të punës dhe në realizimin e të gjitha të drejtave që rrjedhin nga marrëdhënia e punës. Këtë hall nuk e ka vetëm Skënder Shala, por edhe katër policë të tjerë, por të cilët as sot e kësaj dite nuk i kanë realizuar të drejtat që ua njeh ligji./zer/

Kthehu mbrapa

Shto koment