Parlamenti Studentor i pakënaqur me trajtimin që po u bëhet nga menaxhmenti i UPGJ-së

08.07.2015 (komentet: 0)

Parlamenti Studentor, organ ky që vepron në kuadër të Universitetit Publik të Gjilanit (UPGJ) “Kadri Zeka”, ka adresuar vërejtjet e saj për trajtimin që po ua bënë menaxhmenti, përkatësisht një pjesë e menaxhmentit të UPGJ-së, këtij organizmi që përfaqëson studentët e këtij universiteti.

 

 

Kryetar i Parlamentit Studentor të UPGJ-së Mehmet Zylfiu tha për Portalin 2L ONLINE, se krejt çfarë duan është një trajtim i sinqertë mes palëve dhe të ekzistojë fryma bashkëpunuese në nivelin më të mirë, e jo siç shikohen nga menaxhmenti në stilin “ne dhe ata”.

 

Sipas tij, duhet të jemi që të dyja palët “ne” dhe të punohet bashkërisht për të mirën e studentëve dhe Universiteti në Përgjithësi, por se, për momentin ka tendenca nga një pjesë e menaxhmentit të këtij Universiteti, për ta zbehë rolin që ka ky organizëm legjitim që përfaqëson studentët.

 

“E ndjejmë se neglizhohemi si përfaqësues të studentëve. Injorohemi si Parlament Studentor dhe se një raport i tillë brenda këtij institucioni, nuk duhet të ekzistojë e as të vazhdojë tutje. Krejt çfarë duam është një frymë bashkëpunimi “, ka thënë Zylfiu.

 

Ai tha se shpeshherë edhe kërkesat e tyre të drejta shihen me tendencë që në fakt nuk është ashtu. “Por, ne do të vazhdojmë të punojmë për çka jemi të thirrur dhe se në këtë drejtim do të mundohemi ta ndërrojmë më këtë praktikë të keqe të raporteve të menaxhmentit dhe parlamentit studentor, që është instaluar tani së fundi pasi nuk ka qenë më parë”, thotë Zylfiu.

 

I pyetur për këto vërejtje të studentëve, profesori Flamur Hyseni, udhëheqës i Fakultetit Juridik në këtë Universitet, i ka thënë Portalin 2L ONLINE, se çfarëdo çështje që adresohen nga studentët, përfshirë edhe vërejtjet e tyre të caktuara, duhet parë në prizmin e një procesi demokratik që zhvillohet përbrenda këtij institucioni.

 

Hyseni tha se Parlamenti Studentor ka autonomi të plotë në funksionimin e tij dhe se duhet parë krejt këto zhvillime si zhvillime demokratike dhe krejt çfarë kërkohet nga ta është që ata të qartësohen mirë, t’i konkretizojnë dhe adresojnë qartë kërkesat e tyre dhe ta kërkojnë me saktësi atë se çfarë duan. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment