Panairi i prodhimeve vendore të regjionit lindje organizohet në Gjilan më 1, 2 dhe 3 gusht

23.07.2014 (komentet: 0)

 

Gjilan, 23 korrik / Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik në Gjilan përmes konferencës për media ka bërë të ditur që Komuna e Gjilanit është nikoqire e organizimit të panairit të prodhimeve vendore për regjionin e Lindjes.

 

Ky panair do të mbahet në qendër të qytetit të Gjilanit që është organizuar së bashku me Qendrën Regjionale të Marketingut dhe parashihet të marrin pjesë mbi 100 prodhues.

Me këtë rast drejtori Ismajl Jonuzi, ka bërë të ditur se në koordinim me drejtorët e zhvillimit ekonomik të 10 Komunave të këtij regjioni dhe bashkërisht me ta, por edhe me mbështetjen e fuqishme të kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri është duke u bërë ky organizim.

“Ky panair është duke u organizuar me qëllim që të bëhet promovimi i prodhimeve dhe i biznesit lokal, por edhe krijimin e mundësive që bashkatdhetarët tanë të shohin prodhuesit e vendit të tyre gjatë pushimeve që ata kanë në vendlindje.

Gjilani dëshiron të identifikohet me prodhuesit vendor dhe organizimi i panairit tani e tutje do të jetë tradicional i cili do të mbahet në fillim të muajit gusht. Po ashtu qytetarët e Gjilanit dhe të këtij regjioni kanë mundësinë që gjatë ditës të shohin produktet vendore, pra, promovimin e produkteve por edhe mundësinë e shitjes së tyre, ndërsa gjatë mbrëmjes do të ketë program të pasur kulturo – artistik për të relaksuar dhe argëtuar qytetarët tanë”, ka thënë ndër të tjerash Jonuzi.

Ai ka spikatur që secili biznes do të ketë 9 metra katror hapësirë për të promovuar produktet e tyre, ndërsa vendi i mbajtjes së këtij panairi do të jetë qendra e qytetit.

Kthehu mbrapa

Shto koment