Pacolli: Kësaj here mos votoni për hajna, për të korruptuar...

06.10.2013 (komentet: 0)

Koalicioni për Gjilanin (AKR, Lëvizja Qytetare për Gjilanin, Nisma e Ballit për Gjilanin dhe Forumi i Profesionistëve të Rinj), ka hapur fushatën elektorale në Gjilan, me këtë rast kreu i AKR-së Behgjet Pacolli ka kërkuar kësaj here ti jepet rasti këtij koalicioni për të qeverisë me dinjitet

AI ka kërkuar një mundësi që  ky Koalicion të merr timonin e të udhëheq me Gjilanin ngase siç tha ai,  do ta shihni se në Gjilan do të investojnë shpirtin e tyre, e ku investohet shpirti ka dashuri, ka sukses.

Pacolli ka thënë se nuk duhet votuar më ata që  kanë dëshmuar se premtimet e tyre nuk i kanë mbajtur. Ai ka thënë se  të tjerët më nuk kanë fytyrë për të kërkuar votën e qytetarit, por duhet të ikin kokulur,  duhet mbyllur gojën  e të merren me hetuesi e prokurori.

“Në Gjilan duhet një fillim të ri, një qasje më ndryshe. Mos i besoni atyre që ju mashtruan, ata që nuk kanë më fytyrë të kërkojnë votën e qytetarëve të Gjilanit. Ata e vodhën votën e vodhën e besimin dhe nuk kanë të drejtë më të kërkojnë votë, le të mbyllin gojën dhe le të shkojnë te bizneset e tyre”, ka thënë Pacolli.

AI ka ftuar qytetarët që kësaj herë të mos votojnë për hajna, të mos votojnë  për të korruptuarit për ata që nuk kanë ide e vizion, por mendojnë vetëm për një mandat të tyre dhe kështu e kanë shkatërruar Gjilanin. Por, sipas tij, kandidati i këtij Koalicioni për kryetar komune Faton Bislimi dhe kandidatët për këshilltarë do të qeverisin me Gjilanin me dinjitet , në mënyrë të përgjegjshme e transparente. 

Përndryshe, Pacolli, Gjilanin e ka quajtur qytet të tijin dhe ka thënë se duhet dashur tëndin për t’i dashur pastaj të tjerët.  Ai ka rikujtuar se kishte kaluar rininë në Gjilan,  për të cilin tha se dikur  ishte i zhvilluar e sot ky qytet nuk e ka më këtë epitet. 

Duke e quajtur Faton Bislimin njeriun e duhur për të qenë kryetar i Gjilanit,  Pacolli ka rikujtuar madje se Bislimi nuk është as anëtarë i AKR-së por se si koalicion i kanë besuar dhe se ai do të qeverisë për t’ia kthyer dinjitetin Gjilanit dhe  gjilanasve andaj edhe dolën nga korniza e AKR-së për t’i dhënë Gjilanit një perspektivë që tash është në duart e qytetarëve dhe vullneti i qytetarëve të Gjilanit ishte që të bashkohen për një kauzë, për një qytet më ndryshe, që menaxhohet me punë e më ndershëm dhe një qytet që menaxhohet me shpirt. 

Pacolli  duke folur për vlerat e Bislimit, tha se ai  e ka dëshmuar veten sepse ai depërtoi aty ku asnjë kosovar nuk mundi të futet dhe tash ka lënë familjen, vajzën e sapolindur dhe ka ardhur për të ndihmuar Gjilanin dhe qytetarët e vet.

Ndërsa Faton Bislimi, kandidat i Koalicionit për kryetar të Gjilanin, i pyeti zgjedhësit se a janë gati për fitore e një qytetar krenar, me punësim e mirëqenie e me qeverisje në shërbim të qytetarit. 

“Doni vazhdimësi apo doni fillim të ri. Ne jemi për fillim të ri dhe për një mënyrë të re të qeverisjes. Të na bashkojë dëshira për një të ardhme më të mirë. Dua që të jeni shërbëtorë të të ardhmes së fëmijëve tuaj, andaj vlerësoni të bërat dhe të pabërat dhe vendosni se qka i duhet këtij qyteti”, tha Bislimi.

Ai kërkoi nga qytetarët ta bëjnë Gjilanin pjesë të krenarisë së Kosovës, duke shtuar se ky qytet definitivisht duhet të zë vendin e vet, t’i kthehet përparimit e zhvillimit.

“Do të jem kryeshërbëtor në katër vitet e ardhshme dhe urë për të mirën e qytetarëve. Kemi njerëz që ky qytet të njihet botërisht”, ka thënë Bislimi, që ka kërkuar që t’u mos mbetem borxh gjeneratave të reja. 

Bislim ka marrë mbështetje edhe nga  subjektet e këtij koalicioni ndërsa janë prezantuar edhe kandidatët e saj për Asamblenë Komunale të Gjilanit. 

Kthehu mbrapa

Shto koment