Osmani: Renovimi i stadiumit do e lë Gjilanin pa një Stadium të ri për dekada të tëra

13.07.2017 (komentet: 0)

 

“Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Nehat Osmani, ish futbollistë i njohur me përmasa të larta dhe fantazist e arkitekt i lojës së futbollit, njohës i përkryer i rrjedhave të sportit e veçanërisht i futbollit ka ngritur disa shqetësime rreth mundësisë së renovimit të stadiumit, e që sipas tij meremetimi dhe riparimi i stadiumit aktual në Gjilan, do e lë këtë qytet pa ndërtimin e një stadiumi të ri modern me standarde evropiane”.

 

Kështu thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje, për të vazhduar me atë se teksa mjetet e premtuara për renovim të këtij stadiumi do të jenë të kota, meqë në asnjë formë ky stadium aktual nuk do t’i plotësoj kriteret dhe standardet e një stadiumi të pranuar ndërkombëtarisht, Osmani tërheqë vërejtjen se ky proklamim i këtij projekti është vetëm konsum politik dhe në asnjë mënyrë nuk zgjidh problemin e stadiumit të këtij qyteti.

“Projektet me të cilat krenohen dhe krekëzohen pushtetarët aktual, në të vërtetë janë dështimet e krerëve të kësaj udhëheqje dhe janë dështimet e komunës së Gjilanit. Dështimet janë të shumëfishta dhe ato janë politike, por mbi të gjitha janë zhvillimore dhe me interes jetik për mirëqenien e qytetarëve të Gjilanit. Dështimet do t’i ndiejnë vetëm qytetarët e Gjilanit e përfitimet do të jenë jetëshkurtër dhe do t’i gëzojnë vetëm pushtetarët shkurtpamës tashmë në ikje”, thotë Osmani.

Sipas tij, projektet me të cilat po trumbetohen ditëve të fundit kjo nomenklaturë drejtuese komunale, në të vërtetë janë projekte që e privojnë qytetin e Gjilanit nga projektet madhore dhe po e privojnë nga perspektiva moderne zhvillimore.

Ai thotë se renovimi i stadiumit të qytetit do e lë Gjilanin pa projektin e një Stadiumi të ri dhe do e lë e prolongoj për dekada të tëra. Stadiumi i ri në një lokacion të ri ashtu sikur angazhohemi një kohë të gjatë në Lëvizjen Vetëvendosje do hapte perspektiva të zhvillimit edhe për vet qytetin e Gjilanit dhe qytetarët e saj.

Osmani thotë se projektet e proklamuara aktuale janë vetëm arnime të nevojave reale të qytetarëve të Gjilanit dhe janë njollosje e vlerave të njëmendta të gjilanasve. Qyteti i Gjilanit si kryeqendra e shqiptarëve në trekëndëshin ndërshtetëror bashkë me qytetarët e saj meritojnë një qasje dinjitoze konformë peshës gjeostrategjike rajonale dhe kapaciteteve reale përfaqësuese.

Ai thotë se KF”Drita” dhe KF”Gjilani” me armatën e tyre të tifo grupeve më të flakta në tërë trojet shqiptare e më gjerë paraqesin kulminacionin e organizimeve dhe përkushtimit ndaj sportit dhe sportistëve që përfaqësojnë qytetin tonë, rrjedhimisht arnime të tilla janë degradim i vlerave të tyre.

“Projektet me të cilat po vazhdon të krenohet Gjilani, në të vërtetë janë vetëm krekosje propagandistike dhe hedhje pluhuri në sytë e gjilanasve në prag të zgjedhjeve njëherë qendrore, tani edhe lokale që do mbesim gjithnjë vetëm premtime boshe ashtu sikur kanë mbetur boshe shumë e shumë projekte e “Punë koti” të parealizuara gjatë mandatit të këtij pushteti. Edhe sikur të fillonte realizimi i këtij mini projekti në këtë fazë dhe në prag të fillimit të kampionatit do të ishte hendikep dhe pengesë reale në synimet dhe ambiciet e të dyja klubeve gjilanase në elitën kosovare”, thotë tutje Osmani i Vetëvendosje.

Projekte të tilla nuk paraqesin ndonjë arritje politike, sepse të tilla projekte kanë përfituar gati të gjitha qytezat e vogla e katundet e Kosovës e të tjera lokacione minore anembanë Kosovës.

Osmani thotë tutje se projekte me të cilat do të krenoheshim do duhej të ishte shembulli i qytetit të Ferizajit i cili pa kurrfarë tradite futbollistike ka përfituar projektin e stadiumit të ri dhe mjete gati njëzetfish më të mëdha se “Qytet ynë i futbollit” falë ndikimit dhe autoritetit të lidershipit të atjeshëm politik.

Sipas tij , janë vetëm disa shembuj të thjeshtë të “Punëve koti” të qeverisjes sonë komunale në komparacion me “Punët në shërbim të qytetarëve” të qeverisjeve të rajoneve tjera.

Zgjedhjet e 11 qershorit kanë treguar se populli është vetëdijesuar dhe si i tillë do të dij të ndëshkoj paaftësinë dhe inferioritetin e qeverisë aktuale komunale.

“Zgjedhjet e 11 qershorit treguan se gjeneratat e reja nuk u besojnë mashtrimeve të kamufluara në emër të projekteve gjysmake, Këto zgjedhje pra kanë dëshmuar se gjenerata e votuesve të ri ka arritur në skenën politike kosovare dhe ajo dëshiron dhe ngulmon në trasimin e shtigjeve për ndërtimin e një qyteti modern METROPOLITAN, ajo këmbëngul në ngritjen e standardit jetësor dhe në hapjen e perspektivave të reja për qytetin e Gjilanit dhe rajonit të anamoravës”, thotë tutje Osmani.

Sipas tij, në skenën politike kosovare ka zbarkuar pra gjenerata e re e cila vlerëson përkushtimin për të përfituar projekte të vërteta, projekte që do u qëndrojnë kohës dhe projekte që do lehtësojnë jetën e qytetarëve të saj.

“Kjo gjeneratë ka treguar se beson në vizionin, largpamësinë si dhe konsistencën e paepur të Lëvizjes Vetëvendosje për të punuar për interesat e qytetarëve dhe komunën tonë. Vetëm atëherë Gjilani do rrugëtoj me frymën e sigurt drejt prosperitetit dhe zhvillimit në të gjitha fushat, thotë Nehat Osmani i Vetëvendosjes.

Kthehu mbrapa

Shto koment