Numri i zjarreve dhe i intervenimeve trefish më i vogël këtë vit

18.08.2016 (komentet: 0)

Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” me temën ”Si të parandalohen zjarrëvëniet në Gjilan”, u tha se numri i zjarreve dhe i intervenimeve në Komunën e Gjilanit është trefish më i vogël këtë vit, sesa vitin e kaluar. Moti i përshtatshëm, fushatat vetëdijësuese, masat tjera dhe qytetarët e vetëdijesuar për rrezikun nga zjarret, kanë ndikuar që të kemi shumë më pak zjarre.

 

 

Ensar Kadriu nga Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit e Komunës së Gjilanit ka thënë se këtë vit kishin marr një varg masash kundër zjarreve masive, si ato masa që janë parapara me ligj, por edhe të tjera dhe se kjo ka bërë që këtë vit të jenë më të përgatitur dhe të kemi edhe numër më të vogël të zjarreve dhe të intervenimeve, falë masave preventive, duke bërë që të ketë trefish më pak zjarre e intervenime se sa vitin e kaluar.

 

“Bashkë me Drejtorinë e Bujqësisë, jemi marr vesh që fushata e korrje shirjeve këtë vit të hapet bashkë me fushatën për parandalimin e zjarreve dhe vetëdijesimin e qytetarëve. Janë shpërndarë, afishe, ka pas takime të rregullta me qytetarë, me përfaqësues të këshillave lokale, kemi pas bashkëpunim të mirë me KBI, ku një pjesë e ligjëratave në xhamia iu është kushtuar edhe rrezikshmërisë nga zjarri. Fatmirësisht, moti nuk ka qenë sikur i vitit të kaluar, si dhe masat e tjera kanë ndikua pozitivisht”, ka thënë Kadriu.

 

Kadriu ka përmend statistika për të krahasuar vitin e kaluar dhe këtë vit, ku si shembull këto ditë të gushtit kemi pas 34 zjarre ndërsa në gushtin e vitit të kaluar kemi pas 141.

 

Përndryshe, ai ngriti shqetësimin edhe për djegien e mbeturinave, krijimin e deponive që po ndizen pastaj. “Përveç që ndotet ambienti ato paraqesin edhe rrezik për zjarre dhe objektivi i drejtorisë do të jetë evidentimi i deponimeve të egra dhe hartimi i planeve për eliminimin e tyre, sidomos ato afër pyjeve dhe objekteve që paraqesin rrezik për zjarre”, ka thënë ai.

 

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se fatmirësisht në këtë fushë, kemi përmirësim të dukshëm dhe jashtëzakonisht të mirë, pasi kemi përgjysmë më pak raste të raportuara.

 

Sipas tij, vitin e kaluar kemi pas 38 zjarre dhe 22 zjarrvënie të raportuara, derisa këtë vit kemi 17 raste zjarre 12 zjarrvënie.

 

“Policia konsideron se është një gjendje e mirë, falë edhe fushatës vetëdijësuese edhe nga Policia, në bashkëpunim me të tjerë, dhe këto kanë ndikuar në preventivë që të kemi sa më pak zjarre. “Fushatat vetëdijuese kanë pas efektin e tyre. Njerëzit kanë kuptuar se zjarrvëniet janë vepra penale dhe të dënuara me ligj. Policia ka disa raste që ka ngritur kallëzime penale për këtë çështje”, thotë zëdhënësi Hashani.

 

Demir Krasniqi ka ngritur shqetësimet e tija se jo të gjitha zjarret ndodhin rastësisht. Ka edhe zjarre që shkaktohen qëllimisht për qëllime të caktuara ka thënë ai dhe si shembull ka përmend zjarret në Malësinë e Gollakut, ku gjatë muaj prill kemi pas zjarre dhe kjo përbën absurd që të digjen pyjet në disa fshatra në këtë muaj. Ai shprehu dyshimin se janë hajnat që i vënë zjarrin pyjeve, që me vjedhë ma lehtë, me ble më lirë për ta shitur pastaj dhe përfituar.

 

Shaban Terziu, foli për dëmtimet edhe të tokës nga djegia e hamulloreve, ndërsa u interesua për fushatën për preventivë ndaj zjarreve a është bërë në të gjitha hapësirat e komunës. Fadil Kajtazi tha se shërbimet e zjarrfiksave kanë raportuar numër më të vogël të zjarreve dhe të intervenimeve dhe kjo ka ndodh falë masave preventive, ndërsa koha e mirë, të reshurat, kanë ndikuar që zjarret e shkaktuara të mos jenë masive.

 

Muharrem Bajrami e Sabri Zymberi përmendën si shqetësim prerjen e pakontrolluar të pyjeve, derisa Adelina Sylejmani, shprehu dyshimin se mos respektimi i ligjit në përgjithësi në Kosovë mund ta prekë edhe këtë fushë, e Nehat Ibrahimi, zyrtar për intervenime ndaj zjarreve ka thënë se infrastruktura ligjore e përcakton mirë këtë çështje, por pranoi se në terren dalin probleme tjera. Ismet Azizi, mësimdhënës foli për nevojat e angazhimit nëpër shkolla për këtë çështje.

 

Ymer Selimi, qytetar nga Zhegër, solli përvojën personale ku ai, familja e tij, atakohet nga zjarrvëniet e qëllimshme ndaj pronës së tij. Deri më tani ai tha se ishin katër raste të tilla dhe tani së fundi me koktej molotovi është sulmuar shtëpia e tij.

 

Shemsedin Elezi nga Këshilli i fshatit Zhegër tha se ka pas bashkëpunim të mirë me drejtorinë përkatëse, dhe se është bërë punë e mirë dhe për atë kemi më pak zjarre, ndërkohë që ka kërkuar nënstacion i zjarrfikësve në këtë lokalitet.

 

Edhe të tjerët me diskutimet e tyre kanë kontribuar në këtë debat që kishte për qëllim që të vetëdijësojë qytetarët e në veçanti pjesën rurale që të kujdesen maksimalisht për pyjet. Realisht muaji gusht llogaritet si muaji më i rrezikshëm që sjellë dëme të pariparueshme në dëmtimin, djegien dhe shkatërrimin e pyjeve, qoftë me qëllim ose qoftë nga pakujdesia. Tema e debatit mëtoi të sjellë informacione interesante për qytetarët në kuptimin që ata duhet të kuptojnë se zjarrëvëniet janë vepra penale. Mbi të gjitha preventiva ndaj kësaj dukurie është edhe alfa e kësaj teme. /2L ONLINE/






Kthehu mbrapa

Shto koment