Në qendër të Gjilanit shpaloset shtatorja e Idriz Seferi

27.11.2017 (komentet: 0)

Në Gjilan është bërë sot zbulimi i shtatores së heroit kombëtar, Idriz Seferi, në të cilën ngjarje, të vlerësuar madhështore për Gjilanin, morën pjesë, ndër tjerë, edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi si dhe presidentit i Shqipërisë Ilir Meta.

 

Me këtë rast, presidenti Thaçi tha se sot po ngrihet shtatorja e një prijësi të madh, e një strategu të shquar. Idriz Seferi po inaugurohet në vigjilje të 105 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Shtatorja e komandantit dhe strategut të shquar Idriz Seferi po inaugurohet në përvjetorin e 90 të vdekjes së tij, në vigjilje të 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Cilësitë më të mira të luftëtarit, strategut dhe tribunit popullor, Idriz Seferi i sprovoi në mbrojtjen me armë në dorë të trojeve shqiptare, në bazë të platformës politike dhe ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Sipas presidentit Thaçi, ai është shembull i prijësit të paepur, që nuk rreshti veprimtarinë kryengritëse për asnjë çast.

“Me urtësinë e një tribuni popullor, Idriz Seferi u shqua edhe në kuvende, ku arriti të pajtonte njerëzit në konflikte, me idenë se fati i atdheut qëndron mbi interesin individual”, ka thënë ai.

Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, presidenti Thaçi e ka shpallur edhe formalisht Idriz Seferin, Hero të Kosovës.

Ndërsa, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha se ndjehet i lumtur që është sot këtu për të nderuar një figure kaq të lartë si Idriz Seferi. Ai ka thënë se vërtetë jemi dy shtete por jemi një komb i bashkuar.

Ai tha se Gjilani u shqua në të gjitha luftërat kur bëhej fjalë për lirinë e shqiptarëve.

Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se sot iu bëhet nderë dhe iu përkulemi kryengritësve të Anamoravës e Gollakut. Tash e tutje 27 nëntori është dita e Idriz Seferit.

“Ne sot i përkulemi kryengritësve të Karadakut për çlirimin e Gjilanit, kësaj pjese të Kosovës, dhe të Shkupit. Në Gjilan bashkëjetojnë heronjtë nacional, demokratët, nacional çlirimtarët dhe gjithë ata që kanë bashkë kontribuuar në çlirimin e atdheut”, tha Haziri.

Përndryshe, sot është bërë zbulimi edhe i busteve të Reshat Ymerit, të Xhavit Ahmetit, të Esat Berishës, të Halim Oranës si dhe të Muharrem Ibrahimit.

Aktivitetet në nderë të Festës së 28 Nëntorit vazhdojnë.

Kthehu mbrapa

Shto koment