Në Kuvend, ka kuvendar mjaftë aktiv e ka edhe të tillë që s’mërzitën fare!

31.03.2015 (komentet: 0)

Derisa disa anëtarë të Kuvendit Komunal të Gjilanit, që përbëhet prej 35 anëtarëve, vlerësohen se kanë qenë mjaftë aktiv, pothuajse dy të tretat e tyre vlerësohen negativisht kur është në pyetje aktiviteti i treguar m e diskutime e ngritje të çështjeve përgjatë seancave. Kështu bëhet e ditur nga një raport i monitorimit të asamblesë komunale përgjatë vitit 2014 e bërë nga OJQ Forumi Qytetar Demokratik “Anamorava”.

 

 

Gjatë monitorimit të Asamblesë Komunale të Gjilanit është parë se qytetarët fare pak janë pjesëmarrës në vendimmarrje, kurse siç ka thënë Hekuran Aliu nga Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (KCIC) ata e kanë parë si të nevojshme të organizojnë një tryezë në këtë temë.

Isa Shefiku, kryetar i Forumit Qytetar Demokratik “Anamorava”, tha se kanë monitoruar punën e përbërjes së re të Asamblesë Komunale të Gjilanit. Ai ka thënë se në asamble pozita angazhohet të mbrojë veprimet e saja e opozita është korrigjuesi kryesor.

Siç ka thënë ai me aktivitet dallohen kuvendarët e opozitës, Riad Rashiti (PDK), Fehmi Sylejmani (VV), Bujar Nevzadi (PDK), Sahit Abazi (PDK), Nevzad Isufi (VV) e i LDK-së, është Abdyl Aliu ai që angazhohet më së tepërmi. Femrat janë më pak aktive në asamble. Duke e shikuar përbërjen e asamblesë më së shumti në asamble ka punëtorë të arsimit, ka mjekë, ekonomistë e inxhinierë, kurse juristët janë kritikuar, ashtu siç janë kritikuar edhe ekonomistët. Ka këshilltarë me përvojë, edhe të atillë që janë në mandatin e katërt, por ata vetëm diskutojnë, por nuk japin rrugëzgjidhje. 

Shefkiu, tha se asambleja ka përbërje të mirë gjinore, ngase femrat janë të përfaqësuara 38 përqind, por ato nuk angazhohen shumë. Problem është përfaqësimi gjeografik, ngase ka rajone që fare nuk kanë këshilltarë. Vetëm pesë këshilltarë janë nga fshatrat, derisa 30 të tjerë janë nga qyteti. Lagja “Dardania” i ka dhjetë këshilltarë, ka thënë Shefkiu.

Ai ka thënë se ka pasur vendime që janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe ka dhënë arsyetimet, e sipas tij, pati shkelje edhe për transparencë. Si raste karakteristike, ai tha se buxheti nuk u trajtua sipas udhëzimit administrativ, në dëgjime publike më shumë ka zyrtarë se sa qytetarë, se qytetarëve nuk u jepen përgjigje. Edhe për ndryshimet në statut u mbajt vetëm një takim.

Kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku – Rexhepi vlerësoi Shefkiun për angazhimin dhe punën që ka bërë rreth këtij raporti të monitorimit, por se sipas saj, ka edhe shumë lëshime, gabime e të dhënë të pasakta.

Ajo tha se ky është një raport që përmban të dhëna jo të sakta lidhur me aktet e miratuara të Kuvendit të Komunës, si dhe numrin e takimeve të mbajtura të Kuvendit dhe Komiteteve, duke shtuar se edhe sa i përket vërejtjes lidhur me ‘mos njoftimin me kohë të seancave’ janë të paqëndrueshme sepse njoftimi për çdo takim të komiteteve dhe seancave është bërë me kohë.

Bunjaku Rexhepi ka folur edhe rreth vlerësimit të kuvendarëve për angazhim në seanca, duke pohuar se “nuk e di se farë matje dhe fare metode ka bërë kjo organizatë për këtë pikë, në marrjen e fjalës kot së koti apo në cilësinë e diskutimit”.

Edhe sa i përket vërejtjeve për Komitetin për Politikë dhe Financa, kryesuesja Bunjaku Rexhepi tha se ato nuk qëndrojnë për shkak se për çdo çështje që diskutohet në Kuvend i paraprinë takimi i KPF-së.

“Në raport thuhet se gjatë vitit 2014 janë nxjerre 18 vendime të kundërligjshme, gjë që nuk është e vërtetë sepse autoriteti legjitim për vlerësimin e këtyre vendimeve është MAPL, e cila të gjitha aktet e miratuara të vitit 2014 i ka shpallë të ligjshme”, është shprehur ajo.

Ndërsa, duke folur për një aspekt tjetër, atë të vlerësimit të transparencës, kryesuesja tha se edhe këtu është një huqje e madhe kësaj organizate sepse gjithmonë ne ueb faqe të Komunës publikohet orari mbledhjes së Komiteteve dhe seancave dhe të gjitha shpalljet bëhen publike edhe në vendet më kyçe përmes metodave që i parasheh ligji.

“Të thuhet se në Komunën e Gjilanit nuk ka transparencë vërtet është e papranueshme kur e dimë të gjithë se të gjitha organizatat e pavarura po na vlerësojnë si kampion në nivel vendi sa i përket kësaj fushe. Në vitin 2014 Instituti Demokratik i Kosovës e ka shpallur Kuvendin Komunal të Gjilanit si më transparentin në nivel vendi, derisa ekzekutivin të dytin. Edhe OSBE e ka shpallur Gjilanin model sa i përket qasjes në dokumente publike. Ne nuk po themi që jemi perfekt, por jemi larg më mirë se vlerësimi juaj”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.

Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së që sipas raportit është kuvendari më aktiv, tha se kjo qeverisje nuk po jep shenja pozitive. Rashti, tha se po u mohohet e drejta e fjalës dhe se një herë edhe e kanë lëshuar seancën për këtë qëllim, se ka pasur seanca të tensionuara, kurse tha se më shumë se një vit kanë pritur raportin e punës të kryetarit të komunës dhe pas paraqitjes, këshilltarëve nuk iu dha fjala.

Fehmi Sylejmani nga VV-ja, ka thënë se raporti i prezantuar është një leksion për pozitën, por edhe për opozitën dhe ka shtuar se VV-ja ka qenë shumë e angazhuar në asamble dhe ishte zë i fuqishëm i qytetarëve, gjë të cilën e ka dëshmuar edhe raporti, ku thuhet se këshilltarët e VV-së ishin ndër më aktivët.

Bujar Nevzati, këshilltar komunal, pati vërejtje se kryetari dhe drejtorët nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me këshilltarët.

“Qytetarët e Gjilanit po pësojnë nga kjo qeverisje e keqe”, tha Nevzati.

Nexhat Hajrullahu, tha se ka komunikim agresiv pozitë – opozitë, duke përfshirë të gjitha qeverisjet e Sahit Abazi (PDK), tha se kryetari i Gjilanit po fshihet pas borxheve, derisa sa tha se ata kanë format e tyre që i aplikojnë për të marrë mendimin e qytetarëve duke komunikuar me ta direkt, derisa Arben Maliqi (LDK), ka kërkuar kushte më të mira për këshilltarët komunalë dhe kërkoi kulturë më të madhe në gjuhën që përdoret në asamble.

Sadri Arifi, tha se në Kuvend po respektohen procedurat, kurse edhe Leonora Bunjaku, këshilltare e PDK-së, Ibish Ibishi, i AAK-së, Halit Rexhepi drejtor komunal si dhe Gyner Halili, aktor e Shaban Terziu nga shoqëria civile, patën paraqitje të pikëpamjeve të tyre për punën në Asamblenë Komunale të Gjilanit që lidhej me temën.

Përndryshe debati u organizua nga Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QKBN)/, në kuadër të aktiviteteve të saja që ndërlidhen me projektin “Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në Gjilan duke aplikuar Mediave Sociale”, që për temë pati: “Rëndësia e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe domosdoshmëria e Komunës së Gjilanit, për të qenë transparente në raport me qytetarë”. Projekti në fjalë përkrahet nga Ambasada Amerikane, zyra në Prishtinë./2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment