Në kujtim të Mësuesit Xhelë!

24.07.2015 (komentet: 0)

Mësuesi Xheladin Ibrahimi, ish-nxënës i parë shqiptar nga fshatrat e zonës kufitare të Gjilanit, i cili përjetoi shumit sfida e pengesa në rrugë ne shkollimit të tij, pas dyzet vitesh pune me nxënës dhe pas katër vitesh në pension, ka ndërruar jetë më 22 korrik, në moshën 69-vjeçare.

 

 

Ai e kaloi një jetë të tërë mes nxënësve. Në këtë rrugëtim arsimor, Xheladin Ibrahimi nga fshati Myqibabë, komuna e Gjilanit, disa vite punoi edhe si drejtor në shkollën "Mulla ldriz Gjilani" në Velekincë.

 

Ai ishte nxënës i parë shqiptar nga fshatrat e kufirit, I cili pas kryerjes se katër vjeçarës, në vendlindje dhe pas një pauze prej tri vitesh, vendosi të vazhdojë rrugëtimin e dijes në Pasajn, ku asokohe ishte hapur klasa e pestë. Nuk e kishte problem vetëm rrugën e gjatë që duhej të bënte i vetëm, por edhe gjuhen në të cilën zhvillohej mësimi, sepse Pasjani ishte fshat i banuar me serbë.

 

Pasi kreu me sukses shkollën tetë vjeçare, u regjistrua në shkollën normale në Gjilan, në vitin 1965. Pas mbarimit të shkollimit, prej vitit 1970 ka filluar të punojë si mësues në vendlindjen e tij, ku dha kontribut të madh në shkollimin e shumë gjeneratave, por edhe në ngritjen e vetëdijes për një arsimim të popullatës së trevave Myqibabë, Lipovicë, Buricë.

 

Pas përfundimit të luftës, më 1999, u shpërngul në fshatin Velekincë dhe aty punoi deri në pensionim. Për gati 28 vite ishte përgjigjës i paraleleve të ndara në Myqibabë. Xheladini rrjedhë nga një familje me traditë atdhetare të mëhallës së Lerajve.

 

Është trashëgimtar i emrit të Xheledin Kurbalisë. Si çdo pedagog, gjatë zhvillimit të procesit arsimor, është përballur me vështirësi e pengesa, por i ka sfiduar të gjitha.

 

Në vitet e 90-ta u angazhua drejtpërdrejt në aksionin për pajtimin e gjaqeve, pastaj në kurset për zhdukjen e analfabetizmit dhe aktivitete të tjera, të cilat janë bërë për të mirën e kombit. Pas dyzet viteve punë, më 2011 u pensionua si veterani i arsimit gjilanas.

 

Xheladin Ibrahimi, apo Mësuesi Xhelë siç i thoshin shumë prej ne, ndërroi jetë më 22 korrik, në moshën 69-vjeçare. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment