Në kuadër të Flakës së Janarit, sonte është mbajtur ekspozitë në pikturë dhe skulpturë

17.01.2015 (komentet: 0)



Në kuadër të sesionit të 24 të manifestimit mbarëkombëtar, sonte në galerinë e qytetit në Gjilan është hapur ekspozita me punime në pikturë dhe skulpturë e mbështetur nga Komuna e Gjilanit dhe kryetari Haziri, në hapje të së cilës ishte edhe ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe një numër mjaft i madh i artistëve dhe artdashësve të Gjilanit dhe më gjerë.

 

Me këtë rast në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit z.Lutfi Haziri, me një fjalë rasti të pranishmit i ka përshëndetur kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, e cila tha se janari është muaji kur Gjilani dhe shqiptarët në përgjithësi kanë përjetuar sakrifica të mëdha, ndërsa sot në liri, Gjilani për një muaj rresht mbledh artistët dhe qytetarë të shumtë në ngjarje të rëndësishëm kulturo – artistike, duke kthyer vëmendjen në vlera të mirëfillta artistike.

“Gjilani me theks të veçantë gjatë janarit për vite me radhë pret artist të shumtë nga fusha të ndryshme të artit, duke mos njohur kufij ndër – shqiptarë, por duke shijuar vepra të mirëfillta artistike.  Janari është muaj i dhimbjes në njërën anë, dhe muaj i krenarisë në anën tjetër. Dhimbje sepse, në janar kanë rënë shumë dëshmorë, martir, heronj që falë gjakut dhe sakrificën së tyre, ne sot jetojmë të lirë. Poashtu në këtë muaj është përvjetori i vëllezërve Gërvalla, përkujtimi për dëshmorët Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, etj. poashtu 17 janari është data e vdekjes së heroit të Kombit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, dhe janari është muaji në të cilin ka ndërruar jetë edhe presidenti Ibrahim Rugova. Prandaj, besoj shumë se me angazhimin tuaj në të ardhmen do të organizohen ekspozita edhe më të mira dhe më të mëdha. Ndërsa, ju rikujtoj se gjatë qeverisjes së kryetarit Haziri, do të ndërtohet një Galeri, në të cilën shumë më lehtë artistët do të kishin ekspozimin e veprave të tyre”, tha Bunjaku – Rexhepi.

Ndërsa profesori Ahmet Ibrahimi, në emër të artistëve figurativ, ka bërë prezantimin e veprave artistike të ekspozuara në këtë ekspozitë.

“Sonte janë ekspozuar veprat e artistëve të Anamoravës dhe më gjerë si shprehje e kreativitetit dhe semantikës krijuese. Janë përdorur tematika të ndryshme në nderim të veprës së të rënëve për liri”, tha Ibrahimi.

Ndryshe, në këtë konkurs të madh janë ndarë katër çmime dhe atë një çmim blerës që do të mbetet në Galerinë e Qytetit iu dha artistit Lulzim Ramushit. Filloreta Maliqi është shpërblyer për punimin e saj në pikturë, Skender Bedriu, poashtu në pikturë, pastaj Aziz Islamaj në skulpturë.

Ndërsa drejtori Bujar Haziri ka informuar të pranishmit se së bashku me kryetarin Haziri janë angazhuar që në një të ardhme të afërt të nis ndërtimi i Galerisë së qytetit të Gjilanit, ngase Gjilani, një qytet regjional është ende pa Galeri të qytetit e që është e domosdoshme.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment