Në Gjilan u promovua projekti i kujdesit shtëpiak për nëna dhe fëmijë

08.07.2016 (komentet: 0)

Komuna e Gjilanit, ka nisur zbatimin e projektit për vizitat në shtëpi dhe kujdesin për nëna dhe fëmijë e Gjilanit, falë bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me përkrahjen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

 

Simbolikisht, ky projekt sot ka shënuar fillimin e tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Dardania”, ku pjesëmarrës ishin niveli më i lartë i institucioneve lokale dhe qendrore, përgjegjësja e UNICEF-it në Kosovë dhe stafi shëndetësor.

Kryetari Haziri, në fjalën e tij, tha se program për kujdesin për nënat dhe fëmijët është në vazhdën e programeve që në shtyllat e shëndetësisë dhe në politikat e drejta shëndetësore ka qëllim shërbimet më të mira për të gjithë qytetarët të cilët kërkojnë ndihmën profesionale të mjekut.

“Jemi Komuna e gjashtë në nivel të Republikës dhe e para në Anamoravë që po e nis këtë program. Me punën dhe angazhimin e përbashkët, me politikat në shëndetësinë tonë primare, që theks të veçantë ka kujdesin ndaj familjes, ndaj nënës dhe fëmijëve, kontrollat sistematike të fëmijëve nëpër shkolla, kontrollat ditore të njerëzve që kërkojnë ndihmën e mjekut, e deri tek ajo që në politikën tonë synojmë – një mjek për familje, për një shëndet të plot, e ruan karakterin e shtyllës kryesore të investimeve në politikat e shëndetësisë në Gjilan. Tani, krahas shumë punëve që janë duke u bërë, po punojmë shumë së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë që ta kemi objektin modern dhe me kushte shumë më të mira, i cili, tejkalon shumat milionëshe të investimeve, për një kujdes të vërtetë shëndetësor për pacientët”, ka thënë, ndër të tjerash, kryetari Haziri.

Ai ka falënderuar ministrin Shëndetësisë, Imet Rrahmani për përkushtimin që ka për shëndetësinë dhe UNICEF-in dhe gjithë donatorët për punën që po bëjnë në krijim të kushteve më të mira shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë se fokusi kryesor është zbulimi i hershëm i sëmundjeve dhe kujdesi i shtuar që nga vizitat në terren e deri tek përkujdesja më e ndërlikuar për një pacient.

“Identifikimi i hershëm i një problem shëndetësor tek njeriu është një mundësi më e madhe e intervenimit dhe e përmirësimit të gjendjes shëndetësore. Me këtë program, fokus kryesor është kujdesi ndaj nënave dhe fëmijëve. Synojmë që të kemi nën kontroll gjendjen shëndetësore të këtyre dy kategorive, e kështu më pas do të jetë gjendja me e mirë edhe në shumë aspekte. Politikat shëndetësore, gjithnjë do të jenë në funksion të qytetarëve të shëndosh, ndërsa kjo arrihet vetëm përmes angazhimit më të madh dhe përmes programeve sikur që po promovohet ky sot”, tha ministri Rrahmani.

E, Laila Omar Gad, udhëheqëse e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, ka thënë se ofrimi shërbimeve shëndetësore përmes vizitave shtëpiake bënë që sistemi i Mjekësisë Familjare të ndihet edhe më afër nga qytetarët.

“Shërbimet shëndetësore, përmes vizitave të këtilla, u mundësojnë qytetarëve që të marrin shërbime cilësore. UNICEF-i do të vazhdojë që në bashkëpunim me Ministrinë, Komunën dhe partnerët e tjerë të adresojë çështjet që lidhen me shëndetin e nënës dhe fëmijës me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve dhe sigurimit të mirëqenies më të mirë për nënat, fëmijët dhe familjen në përgjithësi”, theksoi ajo,  ndër të tjerash.

Ndërsa, drejtori i QKMF-së në Gjilan, Fejzulla Berisha, ka shprehur falënderimet e tij të vazhdueshme për mbështetjen dhe përkushtimin e treguar për shëndetësinë primare, duke nisur nga infrastruktura e cila është shumëfish më e mirë se ajo që ishte deri më tani, pastaj personelit mjekësor që është sipas tij përherë në gjendje gatishmërie e deri te furnizimi me barëra nga lista esenciale që është për 100 për qind më i mirë se sa që ishte më parë. ​

Kthehu mbrapa

Shto koment