Në Gjilan nis seminari dyditor për Trashëgiminë Kulturore

22.09.2015 (komentet: 0)

 

 Nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe në koordinim me Ambasadën e Francës në Kosovë, ka nisur sot seminari dyditor për Trashëgiminë Kulturore.

 

Seminarin e ka hapur kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ndërkaq kontributet e tyre i kanë dhënë edhe Sophie Matadier - kryetare e Beaulieu-lès-Loches, përfaqësuese e ANVPAH&VSSP, Faton Peci - këshilltar i ministrit të MKRS-së, Cadiev Slavko - kryetar i Komunës së Velesit në Maqedoni, sikurse edhe përfaqësues të tjerë nga komunat e Kosovës.

Kryetari Haziri, pasi u ka uruar suksese të pranishmëve, tha se shpreson që do të ndajnë përvoja të mira së bashku karshi trashëgimisë kulturore, e cila shtoi se është vlerë universale.

Haziri ka potencuar se Gjilani dhe Anamorava e ka trashëgiminë akoma të pazbuluar, duke theksuar se së bashku me MKRS-n dhe organizatat vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore do ta bëjnë këtë me mbështetjen e parezervë të Komunës së Gjilanit.

Këshilltari i ministrit të MKRS-së, Faton Peci, ka thënë se janë në vlug të punës sa i përket krijimit të një dokument-strategji për 10 vjetët e ardhshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa është shprehur se ruajtja e trashëgimsië kulturore është kategori kushtetuese

Sophie Matadier - kryetare e Beaulieu-lès-Loches, njëherit përfaqësuese e ANVPAH&VSSP në Francë, pohoi se ndihet e nderuar që po merr pjesë në këtë seminar, në të cilin do të diskutohet për rrjetin e qyteteve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Trashëgimia varet nga trashëgimia e gjeneratave të kaluara dhe ne duhet ta ruajmë dhe ta transmetojmë tek gjeneratat e ardhshme”, tha ajo.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Velesit në Maqedoni, Cadiev Slavko, ka përgëzuar organizatorët për këtë seminar, duke shfaqur bindjen se do të kthehen në Maqedoni shumë më i pasur në aspektin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Seminari për Trashëgiminë Kulturore po i vazhdon punimet, ndërkaq përmbyllet të mërkurrën.

Ndryshe, kryetari Lutfi Haziri e ka dhënë zyrën e tij për Muzeun e qytetit në vitin e kaluar, i cili ka qenë premtim i tij në fushatën elektorale./kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment