Në Gjilan ngritet flamuri me portretin dhe vargjet e Agim Ramadanit

15.06.2015 (komentet: 0)

 

 Me iden e voglushit nga Gjilani End Emini dhe me mbështetjen e kryetarit Lutfi Haziri, është ngritur sot flamuri me portretin dhe vargjet e dëshmorit të kombit “Agim Ramadani”, i cili qëndron pran shtatores së tij.

 

Flamurin me portretin dhe vargjet e Agimit e ngritën kryetari Lutfi Haziri, ideatori, End Emini, vajza e dëshmorit, Lorina dhe bashkëluftëtarët e Agimit, Bekim Arifi e Isa Agushi.

“Sot përmes këtij gjeniu të vogël, End Eminit, dhe familjarëve e bashkëluftëtarëve të Agim Ramdanit ne e ngritëm flamurin me himnin e këtij kolosi. Ky flamur tashmë i përket fëmijëve të Gjilanit të cilët janë bërë pjesë e programit tonë. Agim Ramadani e ka flamurin kombëtar, flamurin e Brigadës 138 të UÇK-së, flamurin e Gjilanit dhe prej sot e ka himnin për të gjithë ne, vargjet e tij të njohura dhe portretin e tij që do të pushojë përskaj shtatores së tij”, ka thënë me këtë rast kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“I falemi Agimit për sakrificën e madhe, për fjalët e tij dhe për veprën e tij të madhe sikurse të gjithë dëshmorët e Gjilanit. Ai mbeti i treti në 100 vjet të historisë sinonim i lirisë dhe bashkimit të shqiptarëve kudo që janë, së bashku me Idriz Seferin e Mulla Idriz Gjilanin. Lavdi jetës dhe veprës së Agim Ramdanit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka shtuar Haziri.

Ne këtë ceremoni ka folur edhe nënkryetari Rexhep Kadriu, vajza e dëshmorit Agim Ramadani, Loria dhe ideatori i kësaj vepre, vogëlushi End Emini.

Ngritja e flamurit me portretin dhe vargjet e dëshmorit të kombit “Agim Ramadani” është bërë në 16-vjetorin e çlirimit të Gjilanit.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment